Pandemia e Covid-19 ndikoi në rritjen e numrit të pacientëve të diagnostikuar në stade të avancuara të sëmundjes së kancerit. Mjekët e shërbimit onkologjik në QSUT thonë se kjo situatë pritet të ndikojë te rritja e vdekshmërisë. Për 10 vitet e ardhshme, ata paralajmërojnë dyfishim të rasteve të reja me kancer nga plakja e popullsisë. Mjekët shqiptaro-amerikane, referuar studimeve, thonë se në SHBA, vonesa në depistimin e hershëm do të rrisë 1% vdekshmërinë.
Tumori është quajtur si sëmundja e shekullit. Në pandemi, për shkak të frikës së infektimit me Covid-19, shumë njerëz nuk kryen kontrollet në spitale, gjë që ndikoi në uljen e rasteve me diagnostikim të hershëm.
Edhe në karantinë, grupi i të sëmurëve të cilët u penalizuan më shumë ishte ai i pacientëve me probleme onkologjike, të cilët nuk mundën të merrnin trajtimin e kimioterapisë sipas grafikëve. Depistimet për kancerin e gjirit në 2020 ranë 26% dhe trajtimi me radioterapi 8%, në raport me 2019-n. Për periudhën janar-prill 2021, depistimet e kancerit të qafës së mitrës u rritën 88% krahasuar me një vit më parë.
Pavarësisht shtimit të numrit të depistimeve, mjekët thonë se nga 2020 e deri më tani është rritur numri i stadeve të avancuara të sëmundjeve tumorale, pasi dallimi i hershëm u pengua nga frika e pacientëve se mos infektoheshin me Covid-19.
Sipas onkologëve, janë shtuar rastet e të sëmurëve me kancer në stade të avancuara. Të gjitha këto do të ndikojnë në rritjen e vdekshmërisë në vitet e ardhshme. Onkologët paralajmërojnë se në Shqipëri, në 10 vitet e ardhshme pritet të shtohen rastet e të sëmurëve me kancer edhe nga plakja e popullsisë.
Sëmundja e kancerit, përveç rrezikshmërisë shëndetësore, është edhe kosto e lartë sociale dhe ekonomike. Shpenzimet në spitalet publike për të sëmurët me tumore nisin nga 50 euro për një seancë kimioterapie deri në 6,000 euro.
Për shkak të medikamenteve të shtrenjta që përdoren gjatë trajtimit me kimioterapi, rreth 90% e pacientëve të sëmurë me kancer kurohen në spitalet publike sipas onkologëve, kurse pjesa e mbetur u drejtohen spitaleve private ose jashtë Shqipërisë.
Pandemia rriti rastet me stade te avancuara të të prekurve me kancer
Në Shqipëri, kanceri që u has më shpesh në 2020 ishte ai në mushkëri. Sipas të dhënave të Globocan, në 2020, incidenca (rastet e reja) më e lartë për këtë sëmundje është te mushkëritë me 1,107 raste të diagnostikuar, më pas është kanceri i gjirit, me 936 persona të diagnostikuar. Më tej është kanceri në prostatë me 794 persona të diagnostikuar, kanceri në stomak, 468 raste; në zorrën e trashë, 387 raste dhe kanceri i gjakut, 379 raste.
Drejtuesja e shërbimit onkologjik në QSUT, onkologia Silvana Çeliku, tha për “Monitor” se pandemia nuk ka ndikuar në shtimin e rasteve të reja me kancer. Efektet e pandemisë janë rritje e numrit të pacientëve të diagnostikuar në stade të avancuara të sëmundjes. Znj. Çeliku thotë se kjo ka ardhur për shkak të frikës së infektimit me Covid-19 që shumë të sëmurë patën në periudhën e pandemisë.
“Në vitin 2020, pavarësisht pandemisë, shifrat për rastet e reja të diagnostikuar me kancer janë të njëjta me një vit më parë. Në 2019-n, kishim 600 raste të reja me kancerin e gjirit të trajtuara në shërbimin onkologjik. Shifrat janë të njëjta edhe për 2020.
Në total, në vit, me të gjitha tumoret rastet e reja arrijnë deri në 6,000. Rreth 90% e tyre trajtohen në shërbimin onkologjik publik, 10% në spitalet private apo jashtë Shqipërisë. Nuk vihet re rritje e rasteve të reja me tumor, për shkak të pandemisë, por rritje e numrit të rasteve me stade të avancuara të sëmundjes.
Në periudhën e karantinës, shumë pacientë për shkak të frikës së infektimit hezituan të vinin në spital dhe kjo ndikoi te rritja e numrit të pacientëve me stade të avancuara të sëmundjes. Kjo pritet të rrisë jo vetëm vështirësitë për kurimin e të sëmurëve, por edhe rastet e humbjes të jetës”, thotë Dr. Çeliku.
Tendenca
Shumë individë të prekur nga Covid-19 gjatë periudhës së pandemisë kryenin kontrolle me skaner. Ekzaminimi me skaner, sipas mjekes onkologe Silvana Çeliku ndikoi edhe për diagnostikimin e sëmundjeve tumorale apo sëmundjeve të tjera të brendshme. “Gjatë këtyre kontrolleve, ata zbuluan edhe sëmundjen e kancerit, qoftë kanceri në pulmon apo në organe të tjera. Pra pandemia ka ndikuar edhe si depistim për shumë lloje të kancereve”, – nënvizon Çeliku.
Ecuria e rasteve të reja me kancer në 10 vitet e ardhshme
Në vitin 2020, në Shqipëri, u shënuan 966 raste me vdekje nga kanceri i mushkërive sipas të dhënave të Globocan. Kjo tendencë është e pranishme edhe në shumë shtete të tjera si SHBA, Rusi, Francë, Greqi etj. Onkologët pohojnë se arsyeja kryesore që shkakton sëmundjen e kancerit në mushkëri është pirja e duhanit.
Numër të lartë të vdekjeve pati edhe nga kanceri në stomak me 385 persona të diagnostikuar me këtë sëmundje, që nuk kanë mbijetuar; 338 raste me vdekje nga kanceri i prostatës, 260 vdekje nga kanceri i pankreasit, 260 vdekje nga kanceri i gjirit dhe 212 raste me vdekje të kancerit të zorrës së trashë. Për vitin 2020, sipas të dhënave të INSTAT, rastet e humbjes së jetës nga tumoret ishin 3,589 nga 3,583 humbje jete që u shënuan në 2019.
Mjekja Silvana Çeliku thotë se në 10 vitet e fundit pritet të dyfishohen rastet e reja të tumoreve në Shqipëri. Faktori kryesor konsiderohet plakja e popullsisë.
“Sëmundja e kancerit nuk është karakteristikë për moshat e reja. Më tepër rastet e diagnostikuara janë të moshës së tretë. Vitet e fundit për shkak të stilit të jetesës, ushqyerjes, hormonet që marrin gratë kanë ndikuar tek ulja mesatare e moshës të sëmurëve me kancer. Ashtu siç ka ndodhur nga vitet ’90 dhe deri më sot, që të gjitha llojet e tumoreve janë dyfishuar, dhe me kalimin e viteve tendenca është gjithmonë me rritje deri në dyfishimin e rasteve të para që diagnostikohen.
Sot në vendin tonë trajtohen shumë lloje të sëmundjes, që më parë nuk janë trajtuar, si kanceri i stomakut, i mëlçisë, pankreasit, ezofagut etj. Kimioterapia ka bërë shumë përparime. Të gjitha sëmundjet e kancerit trajtohen, pavarësisht se sa është mbijetesa e pacientëve të prekur. Të gjithë njerëzit e prekur nga sëmundja vijnë në spital për trajtim. Nuk ka më raste të humbjes të jetës nga kanceri në shtëpi, pa u diagnostikuar”.
Në botë, vendi me numrin më të lartë të rasteve të reja të sëmundjes së kancerit është Australia, më pas renditet Zelanda e Re, SHBA, Kanadaja, Irlanda, Sllovakia, Holanda, Hungaria, Franca etj. Onkologët shpjegojnë se kjo ndodh për shkak të popullsisë heterogjene të këtyre shteteve që nuk kanë kulturën e vizitave mjekësore, apo edhe nuk janë të siguruar.
Mbijetesa e të sëmurëve me kancer
Nëse sëmundja e kacerit diagnostikohet në periudhë shumë të hershme, shanset për të mbijetuar janë të larta. Mjekët ngrenë shqetësimin se kapja e sëmundjes në stade të avancuara e vështirëson kurimin. “Për sëmundjen e kancerit të gjirit, aktualisht përdoret një gamë e gjerë medikamentesh që kanë rezultuar efikase dhe kanë rritur jetëgjatësinë te të sëmurët.
Por edhe kjo varet nga faza e diagnostikimit të sëmundjes. Nëse sëmundja diagnostikohet në stadin e katërt, mbijetesa është më e ulët se sa kur sëmundja kapet në stadin e parë apo të dytë. Tumori në mitër ka jetëgjatësi shumë më të mirë sesa kanceri i vezoreve që është shumë agresiv. Po ashtu edhe tumori në mëlçi dhe pankreas kapen shumë me vonesë nga pacientët dhe kjo ndikon te vështirësia e kurimit të sëmundjes”, pohon mjekja onkologe znj. Silvana Çeliku.
Sa janë kostot e kurimit të sëmundjes
Kurimet për sëmundjen e kancerit janë shumë të shtrenjta. Shumica e të sëmurëve me tumor, në pamundësi financiare për të përballuar kurimin jashtë shtetit (për shkak të medikamenteve të reja që përdoren në Europë) trajtohen më së shumti në spitalet shtetërore.
Në spitalin onkologjik në QSUT, kostoja për një seancë kimioterapie të mjekimit bazë varion nga 50 euro deri në 6,000 euro. Drejtuesja e shërbimit onkologjik, Silvana Çeliku, nënvizon se të gjitha medikamentet rimbursohen nga shteti dhe të sëmurëve nuk iu mungon mjekimi bazë.
“Në spitalin publik nuk mungon mjekimi bazë i të gjitha patologjive, çka është shumë e rëndësishme për të prekurit me kancer. Në spitalin publik, ata trajtohen me ilaçe të terapive të fundit që kanë rezultuar efikase në jetëgjatësinë e pacientit. Kostot e kurimit të kancerit janë të shtrenjta. Medikamentet e kimioterapisë blihen nga shteti, ndërsa shërbimi pacientëve u ofrohet falas. Kimioterapia e thjeshtë, që quhet linja e parë dhe e dytë, kushton nga 50 euro, 250, 300 deri në 400 euro.
Më pas ka rritje të çmimeve. Medikamenti i erceptinës, që merret nga gratë me kancerin e gjirit, do ta quaja arritje të qeverisë shqiptare që e siguroi për të gjitha gratë e sëmura. Vetëm një gjilpërë në muaj e këtij medikamenti kushton 1,000 euro dhe ato duhen ta bëjnë 18 herë çdo 21 ditë medikamentin. Kostoja për kurimin e kancerit të gjirit me këtë medikament është 18,000 euro.
Çdo kosto e përdorimit të medikamentit rimbursohet nga shteti. Ndërkohë ka edhe medikamente të tjera që sërish rimbursohen nga shteti, kostoja e të cilave arrin 5,000 deri në 6,000 euro për patologji të ndryshme që përfshihen në imunoterapi. Për shumë medikamente përpara përdorimit duhen të kryhen ekzaminime, nëse janë efikase apo jo, dhe të gjitha këto kanë kosto”, nënvizon Dr. Çeliku.
Për kurimin e sëmundjeve të kancerit, vitet e fundit po përdoren ilaçe, që kanë rezultuar efikase, por janë shumë të shtrenjta. Nga shteti nuk mbulohen seancat e kimioterapive që kushtojnë 8,000 euro.
“Një pjesë e mirë e medikamenteve të reja janë futur edhe në spital, por fatkeqësisht ashtu siç ndodh edhe në vendet e zhvilluara, shteti nuk i rimburson të gjitha medikamentet e kimioterapisë. Një pjesë e medikamenteve të kimioterapisë paguhen nga pacientët, pasi janë shumë të shtrenjta dhe nuk rimbursohen. Ka cikël të kimioterapive që kushtojnë deri në 8,000 euro vetëm 1 prej tyre”, thekson onkologia Silvana Çeliku.
Kostot e kurimit
Kimioterapia e thjeshtë, që quhet linja e parë dhe e dytë, kushton nga 50 euro, 250, 300 deri në 400 euro. Më pas ka rritje të çmimeve. Medikamenti i erceptinës, që merret nga gratë me kancerin e gjirit, do ta quaja arritje të qeverisë shqiptare që e siguroi për të gjitha gratë e sëmura. Vetëm një gjilpërë në muaj e këtij medikamenti kushton 1,000 euro dhe ato duhen ta bëjnë 18 herë çdo 21 ditë medikamentin. Kostoja për kurimin e kancerit të gjirit me këtë medikament është 18,000 euro
Rriten depistimet e kancerit në qafën e mitrës
Tetori, kudo në botë, është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Për këtë vit, kontrollet e grave për kancerin në qafën e mitrës janë rritur 88%, sipas raportit të monitorimit të Ministrisë së Shëndetësisë. Për janar-prill të 2021, janë kryer 2,686 depistime (ekzaminim për të kapur në kohë sëmundjen) me kancerin në qafën e mitrës nga 320 që ishin në 2020.
Rritje ka pasur edhe për pacientët që ndjekin kimioterapinë. Nga 6,635 pacientë të trajtuar me radioterapi në janar-prill të 2020, këtë vit janë 7,597 pacientë apo 13% më shumë. Sipas drejtueses së Shërbimit Onkologjik në QSUT, depistimi bëhet për të kapur herët ose për të parandaluar një sëmundje. Depistimi i kancerit në qafën e mitrës kryhet nga Shërbimi Parësor.
“Pra ne bëjmë fushata depistimi në popullata të shëndosha, me PAP test apo mamografi në mënyrë që të zbulojmë ato gra që janë të sëmura, por në faza fillestare, si dhe të identifikojmë ato që kanë mundësi zhvillimi të sëmundjes në të ardhmen. Nëpërmjet depistimit zbulohet dhe parandalohet sëmundja”, tha onkologia Silvana Çeliku.
Pse mungon në spitalin publik operacioni për protezën e gjirit
Në spitalin publik nuk kryhen ndërhyrjet e vendosjes së protezës në gji për gratë që vuajnë nga sëmundja e kancerit. Në klinikat private në Shqipëri, një operacion i tillë kushton 7,000 deri 8,000 euro (vetëm për njërin gji, pasi gratë e sëmura me kancer heqin vetëm një gji).
Në spitalet shtetërore, kjo ndërhyrje konsiderohet si kozmetikë, sipas shefes së shërbimit onkologjik në QSUT, znj. Silvana Çeliku dhe me kosto shumë të lartë. “Në spitalin publik nuk kryhet proteza e gjirit, pasi ka kosto shumë të lartë. Kjo ndërhyrje, në disa raste, cilësohet edhe kozmetikë dhe ne nuk kemi arritur në atë stad. Më e rëndësishme është mbulimi i të sëmurëve me mjekimin bazë. Kjo ndodh edhe në shtete të tjera që nuk rimbursohet kjo ndërhyrje.
Nga ana tjetër, në disa raste, këto ndërhyrje kanë pasur edhe përkeqësim të gjendjes së pacientëve. Zgjidhja më e mirë është që gratë të vijnë më herët në spital për të parandaluar përkeqësimin e sëmundjes dhe për të shpëtuar gjirin. Është shumë e domosdoshme që çdo grua të bëjë të paktën një herë në vit një eko të gjirit, për të shpëtuar nga fillesat e sëmundjes”, pohon Dr. Çeliku.
Në SHBA, në vitin 1998, Akti për Shëndetin e Grave dhe të Drejtat e Kancerit kërkoi që të gjitha planet shëndetësore të mbulojnë ndërhyrjet për protezat dhe procedurat rindërtuese të gjirit. Aktualisht në SHBA, sipas “Breast Cancer Research”, siguracionet mbulojnë ndërhyrjen e protezës së gjirit, ku mbulimi mund të ndryshojë nga shteti në shtet.
Në SHBA, vonesa në depistimin e hershëm do të rrisë 1% vdekshmërinë
Edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shkak të frikës nga infektimi me Covid-19, depistimet në pandemi janë ulur, ndërsa janë rritur rastet me stade të avancuara të sëmundjes.
Albana Bufi Mihali, asistent/profesore e sëmundjeve të brendshme në spitalin “Beth Israel Lahey”, si dhe drejtoreshë e komitetit mjekësor në shoqatën “Albanians Fighting Cancer USA”, me qendër në Boston, pohoi për “Monitor” se në këtë periudhë është shumë e rëndësishme t’u jepet përparësi depistimeve të popullatës për atë grupmoshe që ka rrezikshmërinë më të lartë për zhvillimin e kancerit.
Dr. Albana Bufi Mihali thotë se, sipas një studimit ku janë përdorur të dhënat nga qendra e kancerit, “Beth Israel Deaconess Medical Center”, 92,9% e pacientëve u diagnostikuan me stad të avancuar të kancerit në periudhën qershor-dhjetor 2020.
“Në SHBA rekomandohet depistimi i vazhdueshëm për katër lloje të kancerit, si: i gjirit, i zorrës të trashë, i qafës të mitrës dhe i mushkërisë për kategori të caktuar pacientësh. Pranverën e kaluar, mjekët ngritën shqetësimin se pandemia do të ndikojë në diagnostikimin e hershëm të kancerit.
Në SHBA, gjatë pandemisë u vu re një rënie e theksuar e diagnostikimit të hershëm kancerit. Në shumë spitale, mjekët ishin të detyruar të përzgjidhnin pacientët që do t’u nënshtroheshin trajtimit dhe procedurave kirurgjikale të kancerit, për të ruajtur kapacitetin spitalor për të sëmurët me Covid-19. Në këtë periudhë u vu re, se disa pacientë iu nënshtruan terapisë më pak intensive apo radioterapive”.
Mjekja shqiptare-amerikane Albana Bufi Mihali thotë se referuar studimeve të zhvilluara në SHBA, ulja e rasteve të diagnostikimit të hershëm të sëmundjes pritet të ndikojë në shtimin e rasteve me humbje të jetës nga tumoret.
“Në periudhën e pandemisë u vunë re vonesa në depistimin e hershëm për kancerin e gjirit dhe të zorrës së trashë (këto në SHBA përbëjnë 1/6 të vdekshmërisë nga tumoret) dhe pritet të shkaktojë rritjen me 1% të vdekshmërisë në dhjetë vitet e ardhshme. Studiuesit mendojnë se si rezultat i vonesës në diagnostikimin e hershëm, numri vdekjeve do të arrijë pikun në një-dy vitet e ardhshme.
Në studimin e realizuar në verilindje të SHBA-së nga sistemi më i madh shëndetësor “Massachusetts General Brigham” u krahasua numri i pacientëve që iu nënshtruan depistimit të hershëm në 3-mujorin e parë të pandemisë (mars-qershor) me të njëjtën periudhë të 2019-s.
Në këtë studim u përfshinë pacientët që realizuan një nga pesë kontrollet për kancerin si, mamografia (për kancerin e gjirit), kolonoskopia (për kancerin e zorrës të trashë), PAP test (për qafën e mitrës), PSA test (për kancerin e prostatës) dhe skaneri për kancerin e mushkërisë.
Nga të dhënat rezultoi rënie me 75% të depistimeve në 3-mujorin e parë të pandemisë, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019-s. Në 3-mujorin e dytë të pandemisë (korrik-gusht-shtator) numri i pacientëve që kryen kontrollet u rrit, por megjithatë nuk arriti të kapte shifrat e së njëjtës periudhë të 2019-s. Për muajt qershor-shtator, depistimet ranë 86% në raport me të njëjtën periudhë të 2019-s.
Një studim tjetër tregon se në shtetin e Kalifornisë, në periudhën mars-qershor 2020, kur ishte ende në fuqi urdhri i karantinës, depistimet për kancerin në qafën e mitrës ranë 80% në krahasim me një vit më parë. Të gjitha këto do të ndikojnë në rritjen e vdekshmërisë në vitet e ardhshme”./Monitor