Formula 1 po përgatitet për ndryshime të mëdha në 2026-ën. Sipas ekspertëve Botërori i ardhshëm do të ketë shumë risi.

Veturat do të jetë më të lehta.

Duke nisur nga Botërori i 2026-ës njëvendëshet do të peshojnë gati 30 kg më pak.

Deri më tani pesha limit e një veture ishte 800 kg ndërsa në Botërorin e ardhshëm kjo shifër do të jetë 768 kg.

Veturat pritet që të jenë 10 cm më të ngushta dhe 20 cm më të shkurtra krahasuar me aktualet.

Ndryshim thelbësor do të pësojnë edhe motorët ose siç njihen ndryshe “powr unit”. Duke nisur nga 2026-ta të gjitha veturat do të pajisen me motorë më të thjeshtë dhe më pak të kushtueshëm.

Hyrja në cirkuit të markave si Audi dhe Ford do të jenë një element plus në këtë drejtim pasi do të jenë një faktor “X” për cirkuitin.

Deri më tani është kuptuar se “power unit” i ri do të jetë 50% elektrik dhe 50% termik.

Risia më e madhe në motor do të jetë largimi i MGU-H ose thënë ndryshe motori elektrik, i cili shërbente për të rikuperuar energji nga turbo.

Kjo pjesë konsiderohej si më e shtrenjta dhe duke e larguar nga motorët e veturave të 2026-ës, FIA ka ulur edhe kostot për secilën skuadër.

Nëse pjesa termike e motorëve do të jetë më pak e fuqishme (do të ulet nga 550-560 kW në 400 kW) mësohet se do të rritet pjesa elektrike ose ajo që njihet si MGU-K (rikuperon energji në frenim dhe e çliron atë në shpejtësi).

Pjesa elektrike do të kalojë nga 120 kW në 350 kW.

Fakti se është ulur fuqia e motorëve nuk duhet që të shtyjë askënd të besojë se do të ndikojë në spektakël pasi parakalimet do të jenë të shumta falë ndryshimeve në aerodinamikë.

Deri më tani veturat mund të parakalonin falë sistemit Drs, i cili aktivizohej vetëm kur distanca mes dy veturave ishte nën një sekondë.

Tani ky sistem është hequr nga veturat ndërsa parakalimet do të jenë më të shpeshta pasi veturat do të projektohen në atë mënyrë që të mos shqetësojnë me rryma ajri ndjekëset.

Sistemi Drs është zëvendësuar nga “Manual Override”, i cili u jep mundësi veturave ndjekëse që të përdorin motorin elektrik për një periudhë më të gjatë se veturat që synohen të parakalohen në vijë të drejtë.