Britaniku, i cili ishte i vetmi i mbijetuar i rrëzimit të aeroplanit të Air India të enjten, arriti të shpëtonte nga rrënojat përmes një hapjeje në trup të avionit. Ramash tha se arriti të zgjidhte rripat dhe të dilte jashtë me zvarritje.
I mbijetuari i vetëm i fluturimit Air India 171, Vishwashkumar Ramesh, ka mundur të përshkruajë momentet e tmerrit dhe mënyrën se si arriti të mbijetojë duke u zvarritur përmes një çarjeje të avionit.
40-vjeçari me shtetësi britanike ndodhej në sediljen 11A në avionin Boeing 787-8 Dreamliner, kur ndodhi përplasja, vetëm pak sekonda pas ngritjes në aeroportin e Ahmedabadit, në Indinë perëndimore.
Sipas raportimeve nga vendngjarja dhe deklaratave të ekipeve të shpëtimit, Ramesh ishte shkëputur nga trupi i avionit bashkë me sediljen e tij gjatë përplasjes.
Sedilja 11A, ku ai ishte ulur, besohet të ketë rënë me pjesën e pasme duke mbrojtur në këtë mënyrë trupin e Ramesh.
“Arrita të zgjidhja rripat, përdora këmbën për të kaluar nëpër atë çarje dhe dola jashtë me zvarritje”, tha 40 vjeçari.

Ky fakt, i kombinuar me vendndodhjen e tij në avion dhe mënyrën se si ra struktura, mendohet të jetë arsyeja kryesore pse ai ishte i vetmi që mbijetoi nga aksidenti ku humbën jetën 241 persona.
“Pashë njerëz që vdisnin rreth meje. Për një moment mendova se edhe unë do të vdisja. Kur hapa sytë dhe pashë që isha gjallë, nuk mund ta besoja. Dola nga rrënojat me gjithë trupin që më dhembte.”
Ai kujton se gjithçka ndodhi brenda pesë deri në dhjetë sekondash.
“Ndjeva sikur avioni ngeci në ajër, dritat pulsonin me ngjyrë jeshile dhe të bardhë, dhe më pas ndodhi përplasja. Ishte një goditje e shpejtë dhe e fortë.”
Avioni, që kishte në bord 242 persona, u përplas me një ndërtesë që shërbente si rezidencë për mjekët pranë Kolegjit Mjekësor Byramjee Jeejeebhoy dhe Spitalit Civil.