TIRANË, 19 tetor 2013 – “Ndërkohë që çdo gjë ishte në rregull gjatë kontrollit në Durrës, m’u raportua se ishin konstatuar probleme të mëdha në Elbasan”, i detyruar nga një shënim i “Dyrrah”-ut, për herë të parë, ish-drejtori i Antikontrabandës Denion Meidani pranon se ka ushtruar kontroll në magazinën doganore të “Kurum”-it në Durrës dhe se gjithçka këtu ishte OK. Këtë pohim e ka bërë para Çanit, në emisionin “Zonë e lirë” në TV Klan. Por Denioni nuk ka shpjeguar pse në Durrës, ku është më lehtë të bësh evazion fiskal, nuk ka ndodhur kjo gjë. Më tej ai ka dhënë versionin e tij të sherrit me drejtoreshën e Përgjithshme të Doganave, Elisa Spiropali. Për hir të transparencës, “Dyrrah”-u po boton intervistën në “Zonën e lirë”.
INTERVISTA
Aksionin te “Kurum” kush e organizoi dhe në ç’mënyrë?
Pas një informacioni, nga disa burime të brendshme, në datën 8 tetor, për një gjendje fiktive të magazinave doganore të kësaj kompanie, bëra verifikimet po atë ditë, më datë 8 tetor, me drejtorinë përkatëse monitoruese se si rezultonin në sistem këto magazina. Të nesërmen, më datë 9 tetor, njoftova drejtoreshën e Përgjithshme dhe eprorin tim të drejtpërdrejtë dhe organizova dy grupe të Antikontrabandës Tokësore për kryerjen e kontrollit te magazinat doganore në Durrës dhe paralelisht dy grupe të Antikontrabandës Tokësore për kontroll te magazinat doganore në Elbasan. Ndërkohë që çdo gjë ishte në rregull gjatë kontrollit në Durrës, m’u raportua se ishin konstatuar probleme të mëdha në Elbasan. Njoftova drejtoreshën e Përgjithshme dhe drejtorin e Departamentit Operativ Hetimor si eprori direkt i imi, dhe u nisa për në Elbasan me një nga grupet e Durrësit.
Çfarë zbuluat atje?
Ndërkohë që unë po shkoja aty, grupet që po kryenin kontrollin kishin konstatuar një sasi të madhe malli të zhdukur nga magazinat doganore, afërsisht të vlerësuar me dy vaporë me mall të atij lloji. Në rastet kur ky mall është i mbuluar nga garancitë përkatëse, kjo konsiderohet, në bazë të Kodit Doganor, si kundërvajtje administrative. Kështu, grupet e Antikontrabandës kryen të gjitha procedurat e nevojshme dhe prenë fletën e gjobës duke i kaluar me pas çështjen për kompetencë Drejtorisë së Hetimit Doganor, që vazhdoi punën e saj së bashku me përfaqësues nga Drejtoria e Aposteriorit.
Cilat kanë qenë institucionet e tjera të përfshira në këtë aksion?
Në vendngjarje erdhi prokurori i gatshëm dhe oficerë të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, si dhe përfaqësues të Drejtorisë së Krimit Ekonomik të Policisë së Qarkut Elbasan. Pra, për ne si Antikontrabandë, që ishim dhe iniciuesit e këtij kontrolli, operacioni filloi nga ne në orën 10:00 me verifikimet dokumentare e kontrollet fizike, dhe kulmoi me vënien e gjobave rreth orës 14:00. Kjo ishte dhe koha kur operacioni mbaroi me sukses të plotë dhe me rezultate të prekshme e të vërtetueshme. Grupet u urdhëruan nga drejtori i Departamentit që të merrnin në ruajtje magazinat doganore derisa strukturat e tjera të kryenin punën e tyre procedurale.
Si e priti Spiropali këtë aksion?
Vlen të përmendet se drejtoresha, znj. Spiropali, rreth orës 14:00 priti në takim përfaqësuesit e kompanisë, ndër të cilët ishte dhe personi i autorizuar si mbikëqyrës i magazinës doganore. Ai, në fakt, pas njoftimit të bërë nga ne, pritej që në zbatim të ligjit të paraqitej pranë magazinave të kompanisë, ku po kryhej kontrolli. Më pas, rreth orës 17:00, drejtoresha Spiropali m’u hakërrye në telefon që të bllokoja rrjedhjen e informacionit në media. E nxorët ju informacionin në media, ndaj Spiropali ua kërkoi këtë bllokim? Ndoshta Spiropali, duke mos pasur fare eksperiencë, por dhe idenë se si funksionojnë institucionet shtetërore dhe administrata, nuk e kuptonte që kjo kërkesë realisht nuk hynte te detyrat e mia funksionale si drejtor, por dhe të Antikontrabandës në tërësi. Për sa kohë e kishim ne në dore operacionin, pra nga ora 10:00 e deri në ora 15:00, kur ai përfundoi nga ana jonë me sukses, nuk pati asnjë problem apo rrjedhje informacioni. Do të kishte qenë më e hijshme nga ana saj që në vend këtij hakërrimi të uronte strukturën tonë dhe mua personalisht për punën e kryer dhe suksesin e arritur.
Gjithsesi, a ndikonte informacioni i rrjedhur në dështimin e operacionit?
Informacioni i rrjedhur në atë moment në media nuk ndikonte më në vazhdimësinë e procesit, sepse të gjitha procedurat e para në kushtet e flagrancës ishin kryer me sukses të plotë dhe thjesht po mbyllej ana dokumentare nga Drejtoria e Hetimit.
A jeni takuar dhe sqaruar përballë me Spiropalin për këtë çështje?
Të nesërmen, më datë 10 tetor, zonja Spiropali më thirri në zyrën e saj, ku më bëri me dije që kishte pritur një përfaqësues të lartë të kompanisë në fjalë (i cili kishte fluturuar me charter veçanërisht për ta takuar atë). Gjithashtu, më bëri me dije se kjo kompani disponon shumë lekë dhe do ta gjejë personin që e ka nxjerrë lajmin në media dhe ka dëmtuar reputacionin e kompanisë, sipas saj. I thashë se meqë bëhej fjalë për një kompani që kishte shumë lekë, ajo si fillim të paguante detyrimet doganore dhe gjobën e vënë nga ana jonë, dhe më pas të ndiqte çfarëdo rruge ligjore që e quante të arsyeshme për problemet e veta private, që sinqerisht nuk më interesonin fare. Të premten, më datë 11 tetor, mbas orarit zyrtar më mori në telefon dikush nga kabineti i drejtoreshës, që më komunikoi se drejtoresha me keqardhje duhet të më lëvizte nga vendi i drejtorit të Antikontrabandës. Madje, se ajo kërkonte mirëkuptimin tim që të më çonte doganier diku.
Si iu përgjigjët kësaj oferte?
U përgjigja se pozicioni që kisha si drejtor i takonte Kategorisë A, ndërsa pozicioni në fjalë ishte i Kategorisë C; për më tepër që nuk më interesonte fare oferta në fjalë, sado i mirë mund t’u dukej ai vend atyre. Më mori pak më vonë duke më ofruar një vend tjetër pune si drejtor në një drejtori tjetër në Doganë. I thashë përsëri që as kjo ofertë nuk më interesonte aspak.
Po me Kryeministrin a keni komunikuar lidhur me këtë situatë?
Po, të premten i jam drejtuar me mesazh Kryeministrit të vendit për këtë sjellje të çuditshme të kreut të Doganave, të emëruar nga ai vetëm pak ditë më parë. Përgjigjja e tij ishte që të komunikoja me ministrin e Financave, për të cilin i komunikova sërish me SMS që nuk gjendej në Shqipëri (sepse kisha tentuar më parë të lidhesha disa herë, por telefoni i tij me dilte i fikur dhe e-maile-ve të mia nuk i ishte përgjigjur).
Si ndodhi pezullimi juaj?
Të hënën, më datë 14 tetor, u njoha me një shkresë që isha i pezulluar për shkelje të Kodit të Etikës. Ia kërkova me shkrim drejtoreshës që të më njihte me ç’pjesë të Kodit të Etikës kisha shkelur dhe sa e rëndë ishte ajo sa të pezullohesha!
Dhe cila ishte përgjigjja?
Më thanë nën zë, në mënyrë konfidenciale, që dhe drejtori i Departamentit paska bërë një vlerësim të punës sime kohëshkurtër gjatë këtij një muaji dhe sipas tij unë paskam tejkaluar pak, po ama pak fare, kompetencat. Por ai nuk ma paska vënë në dukje këtë gjë, por thjesht kur i është kërkuar nga drejtoresha, e paska shprehur atë.





