·        Pasojat e një vendimi: më 22 tetor 2014 u mbyllën 150 fabrika bloje në të gjithë me më se 3 mijë të punësuar, ndërkohë që në portin e Durrësit janë në shkarkim tri anije me 13 220 tonë grurë importi

·        Nuk dëmtohet vetëm zinxhiri i fabrikave të blojës, por edhe ai i importit të grurit: kështu, nëpërmjet portit të Durrësit, sipas statistikave zyrtare të 9-mujorit 2014, janë importuar 166 480 tonë grurë ose 10.64 për qind të totalit prej 1 563 621 tonë mallra importi

DURRËS, 22 tetor 2014 –   Teksa më 22 tetor 2014 në portin e Durrësit ndodhen për shkarkim tri anije me 13 220 tonë grurë importi i destinuar kryesisht për fabrikat e blojës (prodhim mielli), papritur një vendim i Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, ku lejohet importi i miellit kosovar dhe serb me përmbajtje të ulur të proteinës nga 12,5 në 9 për qind, shkakton një tërmet jo vetëm për importuesit e grurit por për krejt sistemin e biznesit të blojës në Shqipëri.

Më 21 tetor 2014 Unioni i Prodhuesve të Miellit të Shqipërisë akuzon Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave për një vendim që ishte “i papritur, i paargumentuar dhe i pakonsultuar me biznesin”, që flet “për uljen e përqindjes së proteinës nga 12.5 për qind në 9 për qind, jo vetëm shkatërron dhe mbyll industrinë vendase, por njëkohësisht përbën një rrezik potencial për shëndetin e njerëzve, kjo pasi favorizon futjen e produktit miell me karakteristika jashtë çdo lloj norme, vlere ushqyese dhe shëndetësore për konsumatorin shqiptar”.

Z. Adi Haxhiymeri, Kryetar i Unionit të Prodhuesve të Miellit, deklaroi se, “si rezultat i këtij vendimi, i cili del në mbrojtje të konkurrencës së pandershme dhe produkteve me cilësi të ulët, industria e prodhimit të mielli shqiptar deklaron mbylljen e aktivitetit të saj, duke filluar që nga 22 tetori 2014”.  

Sipas z. Haxhiymeri, industria e përpunimit të miellit në Shqipëri përfaqëson një investim më shumë se 150 milionë euro me më shumë se 150 impiante në të gjithë vendin, bazuar në teknologjinë e standardeve më të larta evropiane dhe ka të punësuar më shumë se 3 mijë persona.

Investimet e kryera dhe konkurrenca e brendshme bëri të mundur që konsumatorit shqiptar t'i afrohet një produkt me vlera ushqyese dhe shëndetësore me standard të lartë.

25 SHTATOR 2014

Është rasti të përmendet kthesa 180 gradë brenda 3-javësh e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, z. Edmond Panariti, i cili më 25 shtator 2014, gjatë vizitës në një fabrikë në mielli në Tiranë, ka folur rreth standardeve të cilësisë dhe sigurisë së grurit dhe miellit:

“Tashmë është koha që të mos operohet më me standardet e vjetra, të cilat nuk i përgjigjen më kërkesave të sigurisë dhe cilësisë. Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave inkurajon të gjithë bizneset që dëshirojnë të merren më tregtimin, përpunimin dhe prodhimin e miellit që të adoptojnë këto standarde të larta dhe të përparuara. Pra, të gjithë operatorët duhet të marrin masa duke filluar që nga fillimi i tetorit, ne do të zbatojmë rigorozisht standardet e reja të cilësisë dhe sigurisë të grurit dhe të miellit shqiptar”.

Kurse Adi Haxhiymeri, Kryetar i Unionit të Prodhuesve të Miellit, deklaroi:

“Në radhë të parë duhet të falënderoj qeverinë shqiptare për një angazhim kaq të madh për industrinë e miellit ashtu edhe për konsumatorët, dua të falënderoj edhe Ministrinë e Bujqësisë, që ishte një promotor për nxjerrjen e këtij urdhri, pas një pune të lodhshme 8-mujore, si edhe ministrin, pasi është ministri i parë që viziton një industri të tillë, ku në impiantet e Shqipërisë është investuar rreth 100 milion euro dhe gjithashtu garantojmë ashtu siç edhe tha zoti Ministër që nuk do të ketë ndryshim në çmimin e bukës, vetëm mielli që do të ofrohet dhe buka që do të ofrohet do të jetë në një cilësi më lartë”.

Me sa duket, kjo “piruetë” e z. Panariti është diktuar pas trysnisë së lobit kosovar të miellit, nëpërmjet një forme “letre të hapur” të publicistit Baton Haxhiu drejtuar miqve të vet “Edi Ramës dhe Ilir Metës”, që detyroi Panaritin të shkojë me vrap si manar në Prishtinë dhe t’i ngulë thikën në shpinë biznesit shqiptar.

Ndërkaq, duhet vënë në dukje se nuk dëmtohet vetëm zinxhiri i fabrikave të blojës, por edhe ai i importit të grurit.

Kështu, nëpërmjet portit të Durrësit, sipas statistikave zyrtare të 9-mujorit 2014, janë importuar 166 480 tonë grurë ose 10.64 për qind të totalit prej 1 563 621 tonë mallra importi.

Ndërkaq, ka dy vjet që nuk importohet me det asnjë gram miell.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/