Mes fishekzjarrëve e urimeve për një vit më të mirë se ai që lamë pas, shumë vende të botës kremtuan hyrjen e 2024-tës, me gëzim por edhe shpresë.
Anekënd Europës, njerëzit u mblodhën për të festuar pranë strukturave ikonike si Porta e Brandenburgut në Berlin apo Kulla Eiffel në Francë. Policia gjermane ishte në gatishmëri të lartë me rreth 4.500 efektivë të shpërndarë në rrugët e kryeqytetit dhe të landeve të tjera, mes shqetësimeve të rrezikut të përsëritjes së skenave të vitit të kaluar, kur kremtimet u errësuan nga përleshje të dhunshme e sulme ndaj shërbimeve të emergjencës.
Mbrëmjen e së dielës u raportuan disa incidente pranë Alexanderplatz, kur rreth 500 vetë i lëshuan fishekzjarre njëri-tjetrit. Në Francë, Emanuel Macron e përdori fjalimin e natës së ndërrimit të viteve për të përcjellë një mesazh politik. Teksa fliste nga Elizeja me flamurin olimpik pas krahëve të tij, presidenti francez bëri thirrje për unitet teksa kryeqyteti francez përgatitet të presë Lojrat Olimpike 2024.
Mbretëria e Bashkuar e kremtoi hyrjen e vitit të ri me gjëmimin e Big Benit dhe një show të jashtëzakonshëm piroteknik. Me qindra mijëra vetë u mblodhën në brigjet e kumit Tamiz për të parë më mirë spektaklin e 12,000 fishekzjarreve.
Kryebashkiaku Sadiq Khan postoi një videoklip të shkurtër të kremtimeve në platformën X, shoqëruar me mesazhin se Londra po i dërgonte botës një mesazh uniteti, dashurie dhe shprese. Turma gjigante e njerëzve që pret rënien e famshme të sferës së ndërrimit të viteve në të sferës së ndërrimit të viteve në Times Square të New Yorkut, nuk mungoi as këtë vit.
Kryebashkiaku i New Yorkut Eric Adams pohoi se për festën e madhe të rrugës nuk kishte pasur ndonjë kërcënim speficik sigurie, edhe pse në vigjiljen e ndërrimit të viteve, një burrë me hanxhar në dorë sulmoi tre efektivë policie jo shumë larg Times Square.
Turma të mëdha njerëzish u mblodhën si çdo vit edhe në plazhin e famshëm Copacabana të Rio de Janeiropër ate që mbetet një ndër prej kretimeve më të mëdha në botë. Festimet e vitit të ri tërheqin këtu çdo vit rreth 2 milionë njerëz.
Afrika gjithashtu i ka thënë lamtumirë vitit 2023, duke iu bashkuar Australisë, Zelandës së Re dhe vendeve anembanë Azisë. Banorët e ishullit të vogël të Paqësorit të Kiribatit ishin të parët që përshëndetën vitin e ri. Si gjithmonë, pati shfaqje mbresëlënëse fishekzjarrësh në Hong Kong, Sydney dhe Dubai.