* Flasin dëshmitarët okularë që gjetën trupin e viktimës Arben Hasa
3 dhjetor 2015 – Në Manëz, Maminas, Karpen, flitet vetëm për vrasjen e ndodhur një natë më parë në orën 22:00 të mbrëmjes. Të gjithë e njihnin viktimën Arben Hasa me origjinë nga Burreli, si shpërndarësin e dërrasave për ndërtim. Banorët thonë se ai kishte një mjet, dhe dinin që kishte një punishte të vogël ku punonte me gruan e tij.
Por për 9 orë me radhë, trupi i tij nuk gjendej nga policia e cila bëri kontrolle në zonën ku u gjet mjeti i braktisur. Trupi u gjet nga dy banorë të zonës që punojnë me mëditje në tokat bujqësore. Ishin ata që lajmëruan edhe policinë.
“Ne erdhëm këtu në mëngjes, punojmë tokën për 10 mijë lekë të vjetër në ditë. Hapim gropa për ullinj. Kur erdhëm për të punuar, pamë një kufomë të një djali të ri, mbuluar nga gjaku. Ishte i veshur. Shkuam menjëherë dhe pamë nëse ishte gjallë apo jo. Ishte i vdekur, ishte i ftohtë, se dukej që kishte gjithë natën aty. Ne lajmëruam menjëherë policinë e cila mbërriti dhe e identifikuan si Arbenin. Policia kishte gjithë natën që i kërkonte, dhe trupi i tij ishte afër arës sonë. Nuk dihet si ka përfunduar, nëse erdhi i gjallë e vdiq aty, apo e kanë hedhur aty. I hodhën një batanije dhe trupin e morën të policisë.”
/K.H. portali DurresLajm/