Veprimi i një çifti irlandez që dorëzoi në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër mbi 40 mijë euro, me pretendimin se i kishin gjetur në Durrës, me sa duket nuk është aq i jashtëzakonshëm dhe fisnik.
Policia e Shkodrës informoi sot se: “Shtetasi K. S., 42 vjeç, dhe bashkëshortja e tij, shtetasja K. K., kanë deklaruar se shumën prej 41 400 eurosh e kanë gjetur më datë 26.03.2025, rreth orës 15:30, në afërsi të një supermarketi, në lagjen nr 13, Durrës”.
Por, e vërteta duket se është ndryshe.
Sipas pamjeve që ka publikuar që ditën e djeshme portali JOQ, irlandezët dyshohet se e kanë marrë në tjetër formë këtë shumë parash. Paraprakisht, dyshohet se paratë u kanë rënë punonjësve të një agjencie imobiliare në Durrës. Vlerën prej 41.400 eurosh e kanë gjetur në rrugë dy të rinj, siç duket edhe në video, të cilëve më pas u ka dalë parë çifti irlandez, duke i thënë në anglisht se paratë janë të tij.
Pas publikimit të pamjeve, Policia kreu kontrolle edhe në pikat doganore e aeroport, pasi dyshohet se ata mund të largoheshin jashtë vendit. Deri mbrëmjen e djeshme kur çifti u paraqit në polici për t’i dorëzuar.
Me veprimet e metejshme do të merret Drejtoria Vendore e Policisë Durrës.