Moti i ngrohtë i kësaj të hëne ka mbushur plot sheshin “Liria” të Durrësit dhe hapësirat e tjera publike. Prindërit së bashku me vogëlushët e tyre kanë shijuar dekorin e Ditës së Verës dhe tingujt e muzikës, ndërsa shumë pensionistë i janë gëzuar ngrohtësisë së rrezeve të diellit, sidomos në këtë periudhë kur tregohen të kujdesshëm me shpenzimet e energjisë elektrike për shkak të rritjes së ndjeshme të çmimeve.

Pjesa më e madhe e qytetarëve planifikonin një xhiro përgjatë shëtitores bregdetare në këtë ditë pushimi, për të konsumuar më pas drekën në ambientin familjar.

Për shkak të situatës së vështirë ekonomike prej rritjes së çmimeve, shumë familje kishin evituar shpenzime të shumta për tavolinën e festës.

Për fat të mirë, çmimi i ballokumes, ëmbëlsirës tradicionale të Ditës së Verës, nuk kishte ndryshuar, duke u tregtuar njësoj si një vit më parë me 100 lekë.

Rritja e ­çmimeve të produkteve të shportës dhe karburanteve ka nisur t’i trembë qytetarët, për përballimin e kostove të jetesës në muajt në vazhdim. Kjo është më e ndjeshme tek pensionistët, të papunët dhe familjet me të ardhura të ulta.

Në urimin e tyre për Ditën e Verës qytetarët shpresojnë për më shumë mbarësi për të gjithë shqiptarët, kudo ku janë.

M.B.