Muaji gusht njihet për fluksin e lartë të emigrantëve që kthehen në atdhe dhe turistëve që zgjedhin qytetin e Durrësit për të kaluar ditët e pushimeve. Por ky fluks ndikon edhe në brendësi të qytetit përsa i përket numrit të lartë të automjeteve që qarkullojnë nëpër rrugët kryesore duke shkaktuar edhe trafik.
Pamjet që po paraqesim janë të një dite normale në Durrës nëpër pikat kryesore të qytetit, siç janë rruga nga Mauzoleumi për në qendër apo te stacioni i trenit ku makinat janë në radhë në pritje për të mbërritur në destinacion.
Kjo situatë nuk është e panjohur për durrsakët gjatë sezoneve të verës, ndonëse efektivët e policisë janë aty për të drejtuar automjetet për të shmangur disi krijimin e trafikut. Durrësi që kthehet në kryeqendër të vendit, vlon nga makinat e shumta e herë pas here edhe nga drejtuesit e “paduruar” të cilët të e shohin si zgjidhje të situatës rënien e borisë për të shmangur pritjen në trafik.
Ndonëse temperaturat kanë pësuar rënie gjatë javës së fundit të gushtit, kjo sërish nuk e lehtëson lëvizjen nëpër qendrën e qytetit sidmos në pikun e ditës.





