Në Kepin e Rodonit ka dështuar një ditë më parë ndërhyrja e helikopterit nga ajri. Megjithëse në terren ishin rreth 50 forca me mjete zjarrfikëse dhe helikopter, sipas përfaqësuesve të grupeve vullnetare të njësisë vendore të Ishmit, nuk u arrit të vihen nën kontroll vatrat e shumta në zonën e Shetajt.

Kjo për shkak të temperaturave të larta që arritën në pikun e ditës sa që edhe uji që hidhte mjeti nga ajri, thanë pjesëmarresit në këtë betejë me zjarrin, avullohej në ajër. Është punuar deri në orët e vona sa që pjesëmarrësit thanë se janë rraskapitur për shkak se shuarja bëhej për shkak të terrenit që nuk e arrinte teknika, me mjete rrethanore, lopata dhe degë.

Ndërkaq, sot mësohet se janë ende në gatishmëri 4 mjete zjarrfikëse me personelin e Emergjencave Civile dhe pritet të qetësohet situata që të rihyjë në këtë beteje të stërzgjatur helikopteri.

Shefi i Emergjencave Civile më prefekturën e Durrësit Artur Lekbello, deklaroi se helikopteri po punon në zonën e zjarreve në Krujë.

Në Zgërdhesh janë shkrumbuar me qindra ha tokë, mbi 2500 rrënjë ullinj janë djegur, teksa rrezikohen 3 stane bagëtish.