Në datë 26 nëntor, në tërmetin e frikshëm që shkundi Durrësin dhe shkaktoi 51 viktima në të gjithë vendin humbi jetën edhe kryekomisari Bajram Hajdarmataj.
Hajdarmataj ndodhej në godinën e Konvaleshencës së Ministrisë së Brendshme, ku po zhvillonte një kurs trajnimi, pasi në godinën që u shemb qëndrojnë 120 studentë të Akademisë së Policisë. Godina shtetërore kishte pësuar dëmtime që në 21 shtator, fakt që pranohet edhe nga bashkia e qytetit bregdetar. DurrësLajm u interesua sot për gjendjen e godinës pas tërmetit 5.8 ballë të 21 shtatorit dhe të njëjtat burime nga pushteti vendor konfirmuan se ndërtesa 4 katëshe ishte e dëmtuar, por jo e pabanueshme.
Ndërkohë edhe nga kontaktet që DurrësLajm ka pasur me personelin e Konvaleshencës së Ministrisë së Brendshme pas tërmetit të 21 shtatorit, ata konfirmonin dëmet e pësuara në godinë.
Por ajo që të bën përshtypje është fakti sesi zv/ministrja e brendshme Rovena Voda, në një lidhje live me emisionin “Tempora” e pyetur për këtë çështje mohoi që godina të ishte dëmtuar më 21 shtator (shih videon më poshtë).
O ministrja bën të paditurën, ose nuk e kanë informuar, pasi për shkak të dëmeve të pësuara në godinë (fotot poshtë) Konvaleshenca kishte hapur edhe një tender për përmirësime në hotelin nr.4, në datë 7 nëntor 2019, tender i cili u anulua (faksimilja poshtë) në datë 2 dhjetor, pasi lëkundja 6.3 ballë e 26 nëntorit e shkatërroi strukturën.
Drejtuesja e Open Data, Aranita Brahaj, e cila e pyeti mbrëmjen e së martës zv/ministren Voda për dëmet në godinën nr.4 të Konvaleshëncës, ka postuar sot në profilin e saj në Facebook një status të gjatë, ku shtron një sërë pyetjesh për ministrin e brendshëm, Sandër Lleshaj. Gazetarja ka postuar edhe disa foto të godinës nr.4 pas tërmetit të 21 shtatorit, foto që ndodhen në termat reference të tenderit. Në foto dallohen mjaft qartë dëmet që ka pësuar ndërtesa, dëme të cilat zv/ministrja Voda i mohoi publikisht një natë më parë.
“Pyetje për Gjeneralin e Dorëhequr që sot bën Ministrin e Brendshëm, a ka në tavolinë një relacion për dëmet dhe statusin e rrezikshmërisë së godinave të Kavalishencës pas tërmetit të datës 21 Shtator. A ka patur ndonjë plan për evakuim të personelit dhe rezidentëve në Godinat e Institucionit. A duhet të ishte Oficeri Hajdarmata datën 26 Nëntor rezident në shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme. A ka fajtor për papërgjegjshmëri në vlerësimin e riskut në godina të Ministrisë. Po prokuroria a po heton per fatkeqesine ne Shtepine e Pushimit”,- pyet gazetarja Brahaj ministrin Lleshaj.
Mohimi i zv.ministres Voda për dëmtimet në Konvaleshencë i ngjan polemikës që shefi i saj Lleshaj zhvilloi dje me kreun e Urbanistikës në bashkinë e Lezhës, i cili ishte kundër futjes së banorëve të një pallati 12 katësh në shtëpitë e tyre, pasi godina rrezikonte. Nga ana e tij, ministri i tha shefit të Urbanistikës të mos përhapte panik, pasi godina kishte dëme të vogla!!!
PD e quajti dje sjelljen e ministrit Lleshaj si të papërgjegjshme, ndërsa ftoi “prokurorinë që të nisë menjëherë hetimet ndaj Ministrit të Brendshëm për intimidimin e ekspertëve dhe tentativën e tij për t’u fshehur banorëve të vërtetën”.
Statusi i plotë i Aranita Brahajt:
Tragjedia në ambientet e Kavalishencës! Pyetje për Ministrinë e Brendshme
Pas tërmetit të datës 21 shtator godina nr 4 e Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme Durrës, e njohur si kavalishenca u klasifikuar e dëmtuar, jo funksionale me muratura të dëmtuara të rrezikshmërisë së lartë. (dokument zyrtar i mare në faqen e APP Ref-42518-11-06-2019, Terma reference).
Për këtë godinë Autoriteti ka shpallur në datën 7 nëntor 2019 një Tender për Shërbim Projektimi për Hotelin nr 4, në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme, Durrës. Tenderi ka Ref-42518-11-06-2019. Fondi limit për shërbim projektimi është 5 888 388 Lekë. Projektimi do të bazohej në nevojën për konstruksion të plotë të godinës.
Në datën 2 Dhjetor 2018, APPP në Buletinin Periodik shpalli anullim të tenderit pasi Objekti (Material) i Shërbimit të kërkuar „është shkatërruar plotësisht struktura mbajtëse beton arme“.
Të gjitha këto dokumenta të cituara më lart janë në sistemin dhe buletinin e Axhensisë së Prokurimit Publik.
Në datën 26 nëntor Në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme mbeti pa jetë një funksionar i Policisë së Shtetit. Sipas burimeve rezident në atë Shtëpi Pushimi kanë qenë atë natë edhe të tjerë student të akademisë së policisë dhe trajner.
Pyetje për Gjeneralin e Dorëhequr që sot bën Ministrin e Brendshëm, a ka në tavolinë një relacion për dëmet dhe statusin e rrezikshmërisë së godinave të Kavalishencës pas tërmetit të datës 21 Shtator. A ka patur ndonjë plan për evakuim të personelit dhe rezidentëve në Godinat e Institucionit. A duhet të ishte Oficeri Hajdarmata datën 26 Nëntor rezident në shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme. A ka fajtor për papërgjegjshmëri në vlerësimin e riskut në godina të Ministrisë.
Po prokruoria a po heton per fatkeqesine ne Shtepine e Pushimit
Foto që po ilustrohet ky status janë marrë nga terma reference të tenderit.





