Pasi kaluan natën e ndërrimit të viteve në shtëpi për shkak të orës policore, të shumtë ishin qytetarët durrsakë që paraditen dhe pasditen e datës 1 janar preferuan ta kalonin në natyrë.

Shëtitorja “Taulantia” mbetet gjithnjë një nga vendet më të frekuentuara nga familjet dhe të rinjtë.

Një xhiro buzë detit, një kafe në lokalet pranë vijës bregdetare është një mënyrë e bukur për të kaluar këtë ditë pushimi.

Perëndimi i diellit në shëtitoren “Taulantia” mbetet përherë një magji më vete, prandaj shumë qytetarë preferojnë të mos e humbin mundësinë për ta shijuar live atë.  

Vendin e vizitave tek të afërmit, një ritual ky i përvitshëm, duket se e zëvendësuan takimet në shëtitore, pasi për shkak të pandemisë, njerëzit vazhdojnë të jenë të kufizuar në hyrje-daljet familjare.

Shumë prej qytetarëve mbajnë maskat, një “aksesor” që na shoqëroi për një pjesë të mirë të vitit që sapo lamë pas.

Pas disa ditëve me mot të keq, pasojat e të cilit duken ende në shëtitoore, dielli ndriçoi që në orët e para të mëngjesit të kësaj të premteje, si për t’u kujtuar njerëzve se pas një viti të vështirë, 2021 vjen me shpresën për një 365 ditësh shumë më të mirë.