Flet ish-deputeti Bardhyl Baltëza, njeriu që pati në xhep autorizimin për krijimin e PD-së në Durrës dhe që zotëron teserën nr 2 të saj. Biznesmeni i njohur në këtë qytet, hedh dritë mbi disa të vërteta të pa thëna mbi krijimin e PD-së në qytetin bregdetar. Përballjet me spiunët e Sigurimit të Shtetit, të infiltruar në radhët e partisë më të madhe të opozitës. Takimi kokë më kokë me Sali Berishën, i cili e pranoi gabimin e bërë me largimin nga politika të demokratëve të parë. “Shkatërrimin më të madh PD-së nuk ja ka bërë PS-ja, por këto lloj grupesh që vazhduan të njëjtën psikologji si në kohën e Partisë së Punës”
Z. Baltëza, ju jeni ndër firmëtarët e parë për krijimin e PD-së. A mund të riktheni pas shumë vitesh rrjedhën e ngjarjeve se si u krijua dega e Durrësit?
Tentativat e para për krijimin e grupit të PD-së në Durrës i kam bërë së bashku me Artan Hoxhën. Me Artanin nuk njihesha, por jam takuar me të në qytetin Studenti në grupin nismëtar për themelimin e PD-së. Ne kemi qenë dhe firmëtarët e parë të listës prej 300 vetësh dhe morëm një autorizim në emrin tim për krijimin e grupit nismëtar të PD-së në Durrës. Kujtoj se kishte shumë vështirësi në atë periudhë, pasi Sigurimi i Shtetit ishte akoma nëpër këmbë. Së pari u përpoqëm që të takojmë intelektualë që mendonim që kishin botëkuptim të hapur. Natyrisht një pjesë e tyre u rezervuan nga frika e Sigurimit të Shtetit, por kishte dhe njerëz që na kuptuan. Kujtoj se bënim takime nëpër shtëpi, kafene, ndërmarrje etj.
Nga fillimi i janarit bëmë takime me arsimtarët, në një kohë që nga mesi i janarit erdhi në grup befasisht dhe Minush Jero. Ishim në një klimë ku ka bënin presione nga më monstruozet. Na kërcënonin me vdekje persona të paidentifikuar. Kujtoj se ato ditë binte shpesh telefoni në shtëpi, nga ku më kërcënonin me vdekje dhe fëmijët. Ishin kërcënime të turpshme dhe ordinere. Pavarësisht nga këto ne vazhduam punën tonë.
Më pas u mblodhëm në shtëpinë e Minush Jeros, ku veç meje dhe Minushit ishin Artan Hoxha, Shyqyri Cara, Krenar Koçi dhe dy djem të tjerë që janë në Itali tani. Një prej tyre me sa më kujtohet punonte në postë dhe një tjetër ishte inxhinier në hekurudhë. Ne vendosëm ndonëse pak me nxitim që të formonim grupin nismëtar të PD-së dhe më pas krijuam grupe të ndryshme në ndërmarrje të vendit kur takimet nisën të bëhen më liberale. Mitingun e parë morëm leje ta zhvillonim në stadium, ku u grumbulluan një numër i madh njerëzish.
Kujtoj se në karrocerinë që ne kishim vendosur dhe e bëmë si podium, punonjësit e Sigurimit të Shtetit kishin futur mes të tjerëve dhe njerëz të papëlqyer nga qytetaria durrsake që kishin bërë krime ordinere, apo dhe kishin imazh jo të mirë publik. Kjo kishte qëllim që të prishte imazhin e demokracisë dhe të prishin mitingun. Duke e parë këtë veprim të turpshëm të njerëzve të Sigurimit të Shtetit, përpiqesha të largoja me sa mundësi kisha këta njerëz nga podiumi.
Pas këtij mitingu u bë dhe grupi nismëtar dhe zgjedhjet e përgjithshme në PD. Në këtë periudhë u bë dhe zgjedhja e deputetëve të parë. Autorizimi i parë për krijimin e PD-së në Durrës ishte në emrin tim dhe unë kam teserën me nr 2 të PD-së në Durrës. Dua të them një gjë që është shumë e rëndësishme dhe që nuk para evidentohet. Në atë kohë Sigurimi i Shtetit ka vepruar duke futur njerëz në PD, të cilët merrnin disa vendime që të shqetësonin. Kur u bënë zgjedhjet e para të deputetëve, kam fituar në zonën nr 1 (lagja nr 1 etj ) ku konkurrent ishte sekretar i parë i Durrësit, Nazim Skuqi, dhe fitova me 75% të votave. Ishte periudha e qeverisë së stabilitetit në vitet 1991-1992.
Ajo natë ka qenë e mrekullueshme për ne, pasi u pa qartazi se ky popull (i Durrësit) e donte demokracinë. Vumë re që Flota Tregtare që dihej se ishte e kontrolluar me njerëz të besuar dhe kishte komunistë në të, votoi për mua dhe jo për sekretarin e parë. Me keqardhje dua të them diçka. Ne nuk ishim një grup njerëzish që vërtetë ishim të përgatitur për këto ndryshime të mëdha. Duhet thënë se në shumë familje të njohura në Durrës që shkuam, na pritën ftohtë duke mos na futur as në shtëpi.
Një pjesë e tyre as nuk pranuan ta shikojnë programin e PD-së. Frika ekzistonte. Frika u vra vetëm pas zgjedhjeve të para pluraliste, kur Durrësi si rrallë qytet tjetër fitoi 6-0. Nuk fitoi asnjë deputet i PS-së në Durrës. Më pas lufta e brendshme në PD bëri që të hynë njerëz me të kaluar të dyshimtë, të cilët bënin votime dhe zgjedhje të tilla që të dënonin. Nuk harroj një moment kur do të zgjidhej Kryetari i Komitetit të Qarkut.
Pasi u bë zgjedhja e aktivit të PD-së dolën dy emra, unë dhe Bashkim Kopliku. Unë personalisht mbështeta Bashkim Koplikun. Më pas më thanë të bëhesha kryetar i Komitetit të Qytetit. Ju thashë se nuk duhet të përfitojmë ne nga postet, pasi do të dukej se luftën për demokraci e bëmë për interesat tona. Sot mund të duket e çuditshme kjo deklaratë, por ne ishim idealistë në atë kohë. Në ato kushtet vendosëm që të marrim një njeri që jo domosdoshmërisht duhej të ishte nga grupi nismëtar i qytetit, pasi Durrësi kishte njerëz të tjerë shumë të mirë.
Personalisht propozova për Nevruz Çelën që dhe u vendos Kryetar i Komitetit të qytetit. E kam takuar personalisht në shtëpi, ku dhe i bëmë propozimin. Pas hezitimit të parë, ai pranoi dhe u bë kryetar i komitetit të Qytetit. Ne përpiqeshim të fusnim njerëz sa më të aftë të zotë dhe qytetarë në PD, në një kohë që Sigurimi i Shtetit përpiqej që të fuste njerëz negativë për të prishur imazhin e PD-së. Do t’ju tregoj diçka interesante. Kishim vendosur që të bënim administratën e Komitetit Ekzekutiv të Durrësit.
Vendosëm një grup pune, ku unë isha kryetar. Në këtë pozicion kërkova që në grup pune të vendoseshin ata njerëz që nuk kishin dëshirë të punonin në Komitetin Ekzekutiv. Ramë dakord që një grup prej pesë vetash do përzgjidhte kandidaturat dhe do të bënte aprovimin. Në fund do të votohej me votim të fshehtë, me letër. Në fakt ndodhi dy herë që ishte plotësuar grupi i seksioneve të Komitetit Ekzekutiv, ku në tavolinë binim dakord për një person dhe në fakt në votim dilte një person tjetër. Unë qesha dhe iu thashë:“Të dashur spiunë, unë nuk jam me ju“.
A ndodhi në këtë moment shkëputja juaj nga politika aktive?
Jo, unë kam vazhduar aktiv në politikë deri në zgjedhjet e dyta në vitin 1992. Isha në listën e deputetëve të PD-së dhe më erdhi radha, por çuditërisht nuk më morën mua po një tjetër që ishte në listë pas meje. Ne në atë kohë kishim dy përfaqësues tonët në qeveri dhe në kryesinë e PD-së, por me sa duket dikujt i kisha shkelur në kallo, pasi unë i shpreh mendimet e mia siç janë dhe për këtë më anashkaluan. Dikush më kish akuzuar madje si Neritanist.
Pikërisht në këtë periudhë në PD nisën që të krijohen grupet e interesave. Shkatërrimin më të madh PD-së nuk ja ka bërë PS-ja, por këto lloj grupesh që vazhduan të njëjtën psikologji si në kohën e Partisë së Punës. Di të kujtoj me nostalgji se në atë kohë kishte shumë njerëz të ndershëm që flisnin tamam.
Para se të bëheshin zgjedhjet e përgjithshme në kryesinë e PD-së për të vendosur se kush do të ishin gjashtë deputetët unë propozova Ben Çetën dhe doktor Ali Sulën, dy figura që ishin me shumë reputacion. Së bashku me një shok shkova në shtëpinë e Ali Sulës, duke ju thënë se jam gati të tërhiqem nëse ju pranoni të bëheni deputet i Durrësit. Doktori nuk e pa të arsyeshme t´i futej politikës, në një kohë që merrej me një detyrë fisnike, atë të Kryetarit të Kryqit të Kuq.
Pas kësaj shkova të shtëpia e Ben Çetës, ku i bëra të njëjtin propozim. Mu përgjigj tekstualisht kështu me një fisnikëri të pashembullt: “Mos u përpiqni me ne që kemi qenë në burgje pasi diku –diku një pjesë kanë firmosur dhe nesër dikush mund t´ua tregojë atë dokument dhe është turp. Mund të ketë njerëz që kanë një ganxhë ku Sigurimi mund të kapet gjithmonë. Përpiquni që kësaj radhe të mos e bëni me njerëz që kanë qenë në burgje !“.
Më pas më tregoi dy-tre raste për njerëz që ishin në atë kohë në grupin e PD-së. Më erdhi mirë dhe më erdhi keq. Më erdhi mirë pasi një njeri që e donte Durrësin si askush foli sinqerisht dhe që sakrifikonte veten për t´i thënë njerëzve se kështu ka ndodhur. Kjo ish fatkeqësia më e madhe në atë kohë, që njerëz shumë të mirë kishin gëlltitur një lugë çorbë të prishur dhe më pas kishin frikë nga kjo lugë çorbe.
Ishte koha që njerëzit tregonin burrëri dhe unë mund të tregoj dhe raste të tjera kur qytetarë durrsakë nuk kanë pranuar poste në mënyrën më fisnike, në një kohë që sot shumë gjëra bëhen për interes dhe karrierë.
Sa idealizëm ka aktualisht sot në PD?
Pak idealizëm ka sot në radhët e PD-së. Historia më duket se u përsërit. Ashtu si kishin bërë komunistët me themeluesit që i futën nëpër burgje, ashtu ndodhi dhe me PD-në. Ne nuk na thërritnin më në mbledhjet e PD-së. Madje një herë i pyeta: “A jam më anëtar i PD-së?”, në një kohë që unë kam nr 2 në teserën e PD-së në Durrës dhe njeriu që firmosi autorizimin për krijimin e kësaj force. Pyetja ime nuk mori përgjigje.
Natyrisht që dhe ne kemi fajet tona, pasi duhej të ishim më agresivë, më këmbëngulës, por gjithsesi nuk ishim politikanë. Ju them se nga grupi themelues i PD-së asnjë nuk ka mbetur në politikë. Çuditërisht bënë karrierë ata njerëz që kur i shkonim në shtëpi na thanë jo dhe nuk na futën në shtëpi. Më pas kur u bënë zgjedhjet e dyta dhe u vra frika, ata u bënë deputetë dhe patën karrierë të shkëlqyer.
A mendoni se politika është bërë pragmatiste?
Unë mendoj se ka një grup njerëzish që nuk e duan Shqipërinë dhe që kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë keq për Shqipërinë. Nëse në të gjitha shtetet post komuniste, shefat e sigurimit, ministrat e brendshëm që bënë reprezalje në popull kërkuan falje, qoftë dhe pa dëshirë, në Shqipëri nuk ndodhi kjo. Çuditërisht në legjislaturën e dytë të Kuvendit Popullor thuhej që kish njerëz që kishin qenë të Sigurimit të Shtetit.
Për mendimin tim atëherë ka pasur një kolonë të pestë që kërkonte shkatërrimin e PD-së, strategji e të cilës ka qenë largimi i idealistëve që janë të pakompromentueshëm dhe zëvendësimi i tyre me të tjerë që filluan të hyjnë në radhët e PD-së, nisën të bëhen grupe interesash dhe nisën të kërkojnë privilegje.
Është hera e parë që po shprehem për gazetën tuaj të nderuar në lidhje me këto çështje që kanë të bëjnë mezhvillimet e demokracisë në Durrës. Do t’ju them diçka që ndoshta do t’ju duket e pabesueshme. Në kohën e qeverisjes së PD-së në vitin 1993 më kanë pushuar mua dhe bashkëshorten nga puna. Personalisht isha ndër shkencëtarët më të mirë të asaj kohe në Institutin e Peshkimit dhe shkrimet e mia ishin si askush tjetër në analet e FAOS-s, për studime shkencore mbi rezervat peshkore të Adriatikut. Në fakt më bënë nder, pasi u detyrova të merrem me biznes. Atyre që më hoqën u thashë :“Rrofshi se më bëtë milioner!” Me gjak, sakrificë dhe ndershmëri e kam filluar nga hii dhe sot drejtoj bizneset e mia në mënyrën më të ndershme të mundshme. Do t’ju them një fakt interesant se në vitin 1997, kur ra shteti, isha ndër firmat e rralla të biznesit (vetëm dy) që pagova taksë në doganën e Durrësit si dhe TVSH-në. Gjithsesi jam krenar që gjithmonë kam qenë transparent dhe kam qenë i lirë në mendimet e mia të cilat ja kam përcjellë direkt dhe Sali Berishës.
Cila ishte biseda që zhvilluat me Sali Berishën?
Më priti në zyrë dhe kemi qëndruar rreth një orë e tridhjetë minuta. Nuk ishte më ai Sali që njihja unë në fillimet e demokracisë. Kujtoj se dhe në grupin parlamentar në atë kohë unë kam qenë ndër zërat më të fuqishëm, sepse nuk doja karrierë politike. Karriera ime ishte ajo e shkencëtarit. Më kanë propozuar për shumë vende dhe nuk kam pranuar. Në takim në fakt Sali Berisha më dha një përgjigje shumë pozitive. A
i i pranoi gabimet që lartpërmenda, pranoi se ai kishte pak informacion nga këto gabime, pranoi që rrethi që ka qenë poshtë (në bazë) ka bërë gjëra të tilla për të krijuar grupe dhe u dha një rekomandim përfaqësuesve të degës së Durrësit që të merrte prapë në konsideratë të gjithë njerëzit që themeluan PD-në e Durrësit. Në Tiranë në fakt kjo porosi u realizua pasi kur erdhi në fuqi në vitin 2005 mori të gjithë ish-deputetët e PD-së. Në Durrës çuditërisht nuk ndodhi një gjë e tillë. Në këto kushte e pashë veten si të padëshiruar nga strukturat e PD-së dhe zgjodha jetën private dhe biznesin.
Në fakt dhe biznesi juaj është i veçantë…
Në Shqipëri kanë lindur lloj-lloj biznesesh. Sot shikon dhjetëra farmaci ngjitur me njëra-tjetrën, biznese që konkurrojnë njeri-tjetrin në mënyrë të pakontrolluara, dhjetëra karburante në krah të autostradës me mbi 30 milionë euro investime që, nëse do të financoheshin për ndërmarrje, do të ndërtoheshin biznese shumë të mira.
Unë mendova të bëj diçka ndryshe në kushtet ku prodhimet e mia farmaceutike detyrohesha t´i ambalazhoja me materiale të kushtueshme importi. Në kushtet kur nuk kishte prodhues të tjerë, bëmë fillimisht një linjë të vogël dhe më pas realizuam prodhimin e kartonit në Shqipëri. Duke parë kostot e transportit dhe letrës që importonim, morëm kredi dhe bëmë një fabrikë riciklimi me teknologjinë më të mirë italiane.
Punojmë me 25 % të kapacitetit, pasi në Shqipëri nuk është bërë gjë konkrete për seleksionimin e mbetjeve urbane. Në Shqipëri janë investuar shumë, miliona euro për riciklimin me teknologji të viteve të fundit, por fatkeqësisht edhe te mbeturinat hyn politika. I kërkuam qeverisë të bëjë listën jeshile dhe për fat e bëri për dy muaj, por përsëri vazhdoi lufta e shoqatave të caktuara që flasin nën flamurin “lufta kundër plehrave”.