Pronari i një kompanie ashensorësh në Tiranë është mashtruar nëpërmjet porosive për blerje online, duke humbur në këtë formë shuma të konsiderueshme parash.

Burime nga Policia e Tiranës thanë se biznesmeni 67- vjeçar, Ideal Agolli, ka denoncuar se persona ende të panjohur i kanë vjedhur me anë të mashtrimit në internet rreth 40 mijë euro.

Vjedhja është kryer në tri faza të fundit gjatë muajve të fundit, ndërsa i dëmtuari e ka kuptuar mashtrimin vetëm disa ditë më parë, kur kompania reale ku ai kishte porositur mallrat, i ka shkruar duke kërkuar të kryhej pagesa. Menjëherë pas e-mail-it të mbërritur në adresën e tij, nga kompania me qendër në Shangai, biznesmeni i është drejtuar Policisë së Tiranës.

Ai ka bërë denoncim në zyrat e Antikrimit Ekonomik, duke dorëzuar faturat e parave që kishte nisur në adresën e gabuar, si dhe e-mail-et e shkëmbyera me kompaninë fiktive, që i kishte zhvatur paratë. Burimet thanë se adresa nga i kanë shkruar 67-vjeçarit është thuajse e njëjtë me adresën reale ku ai kishte porositur disa materiale për kompaninë e tij, që i priste t’i vinin nga Kina.

I vetmi ndryshim ishin disa numra, të cilat Ideal Agolli nuk i ka vënë re, duke e marrë si të mirëqenë. Për këtë arsye ka kryer tri transferta bankare, të parën rreth 27 mijë dollarë, të dytën 10 mijë euro dhe të fundit 5 mijë euro.

Transferta 

Sipas burimeve nga Policia e Tiranës, Sektori Kundër Krimit Ekonomik ka nisur hetimet për vjedhje me anë të mashtrimit kompjuterik, pas denoncimit që ka bërë një biznesmen 67-vjeçar.

Burimet thanë se, më 23 gusht, shtetasi Ideal Agolli ka kallëzuar se është mashtruar online, duke pësuar një dëm ekonomik në shumën prej rreth 40 mijë eurosh. “Në kallëzimin e tij, biznesmeni është shprehur se dëmi i shkaktuar është 10.610,37 euro dhe 27.787,07 dollarë amerikan, nga persona të panjohur, me një adresë e-maili false ‘[email protected]'”, tha dje Policia.

Nëpërmjet mashtrimit me anë të kësaj adrese, autorët kanë devijuar në mënyrë të paligjshme transfertat bankare, të destinuara për të paguar një faturë mbi blerjen e disa mallrave nga kompania kineze “Shanghai CET Electric Co. LTD”. /Panorama