Kjo ishte panorama e bukur që kishte mundësi të shijonte çdo durrsak, kur Kodra e Currilave u rehabilitua.

Me rastin e ditës së mjedisit më 5 qershor 2014, në Kodrat e Currilave filloi projekti i rehabilitimit me vlerë 2.4 miliardë lekë të vjetër.

Në atë kohë u tha se jo vetëm do të zgjidhej njëherë e mirë problemi i rrëshqitjes, por edhe do të ofrohej një park i bukur, i gjelbër, i aksesueshëm për qytetarët dhe vizitorët.

“Me këtë projekt i japim rëndësi të veçantë gjelbërimit dhe mbrojtjes së ekosistemit”, tha asokohe ministri i Mjedisit duke shtuar se projekti do t’i shërbente turizmit dhe zhvillimit ekonomik.

Fatkeqësisht, projekti ishte aq afatshkurtër, sa nuk zgjati as një vit kur filluan sërish rrëshqitjet e para të kodrës. Pa mbushur 2 vjet nga fillimi i punimeve dhe më pak se një vit nga inaugurimi i përfundimit të tyre, një pjesë e investimit u shndërrua në një përrua balte.

Prej asaj kohe, dherat kanë rrëshqitur mjaft herë, duke paralizuar lëvizjen në zonë, një nga më të preferuarat e durrsakëve. Dy ditë më parë, kur gati i gjithë Durrësi u përmbyt si pasojë e reshjeve të dendura, një situatë e frikshme u krijua në Currila, më e rënda e kohëve të fundit. Pamjet filmike që solli “DurrësLajm” dëshmonin situatën mjaft të rëndë të krijuar në sipërfaqen e kodrës. Masive argjilesh përfunduan në rrugë duke e bërë tërësisht të pakalueshëm njërin kah të segmentit rrugor. Ndërsa banesat e ndodhura aty rrezikojnë seriozisht të shemben.

240 milionë lekë të rinj rrëshqitën e vazhdojnë të rrëshqasin së bashku me dherat dhe reshjet e radhës të shiut… 

S.L.