Nga Bledar Kurti

Që nga janari i vitit 2023 në të gjitha qytetet e Izraelit ka patur çdo javë protesta të mëdha me mijëra njerëz të cilët kundërshtonin planet e qeverisë për reformën në drejtësi. (https://www.bbc.com/news/world-middle-east-65086871.amp)

Kaosi u përhap në rrugët e Izraelit teksa protestuesit u përballën me policinë. Dhjetëra mijëra izraelitë marshuan në Jerusalem dhe fjetën në tenda jashtë parlamentit. Në Tel Aviv, protestuesit u përballën me një forcë policie hipur mbi kuaj gjithnjë e më e dhunshme.

Miliona izraelitë shprehën zemërimin dhe zhgënjimin e tyre ndaj qeverisë së koalicionit të krahut të djathtë – të udhëhequr nga kryeministri Benjamin Netanyahu – për një sërë reformash gjyqësore që ata argumentojnë se do të çmontojnë institucionet liberale të vendit dhe aftësinë e Izraelit për të funksionuar si një demokraci e konsoliduar. (https://www.hartman.org.il/israel-on-the-brink-of-civil-war/)

Këto protesta masive rrezikuan konflikt dhe luftë civile në Izrael.

Protestuesit kërkuan që të anulohen të gjitha reformat e planifikuara dhe kryeministri Benjamin Netanyahu të japë dorëheqjen. 

Protestat u mbështetën jo vetëm nga rivalët politikë të Netanyahut, por edhe nga ish-zyrtarë të lartë të ushtrisë, shërbimet e inteligjencës dhe sigurisë së Izraelit, ish kryetarë gjykatash dhe figura të shquara të ligjit si edhe biznesmenë të njohur.

Për më tepër, me qindra rezervistë ushtarakë, përfshirë pilotë të forcave ajrore – me rëndësi për mbrojtjen e Izraelit – kërcënuan të refuzojnë të raportojnë për shërbim, duke dëmtuar aftësitë ushtarake të Izraelit.

Reforma në drejtësi u kundërshtua pasi minon rëndë demokracinë e vendit duke e dobësuar sistemin gjyqësor, i vetmi mjet për të mbajtur nën kontroll abuzimin e pushtetit nga qeveria – më ektremistja dhe më e djathta në historinë e Izraelit – dhe kontrollin e Netanyahut i cili aktualisht është në gjykatë i akuzuar për korrupsion, ryshfet, mashtrim dhe shkelje të detyrës, të cilat ai i mohon.

Izraeli nuk ka Kushtetutë ndaj ndryshimet me ligj në sistemin e drejtësisë, të cilat e zhbëjnë autoritetin e Gjykatës së Lartë si trupi më i lartë në vend, ndihmojnë qeverinë të miratojë ligje pa asnjë frenim.

Qeveria e Natanyahut argumenton se gjyqësori ndërhyn shumë në legjislacion, është i njëanshëm në mbështetje të çështjeve liberale dhe është jodemokratik në mënyrën se si përzgjidhen gjyqtarët. 

Natanyahu druan se gjyqësori ka shumë fuqi për ta kontrolluar e madje rrëzuar qeverinë. 

Për këtë arsye Qeveria në pushtet dëshiron të:

* Dobësojë fuqinë e Gjykatës së Lartë për të rishikuar ose rrëzuar ligjet, duke mundësuar një shumicë të thjeshtë në Knesset (parlament) që të anulojë vendime të tilla.

* Qeveria të ketë një rol vendimtar mbi se kush bëhet gjyqtar, përfshirë në Gjykatën e Lartë, duke rritur përfaqësimin e saj në komisionin që i emëron ata.

* Të hiqet kërkesa që ministrat t’i binden këshillës së këshilltarëve ligjorë të sistemit të drejtësisë – të udhëhequr nga Prokurori i Përgjithshëm – të cilën ata aktualisht e kanë të detyrueshëm me ligj. (https://www.bbc.com/news/world-middle-east-65086871.amp)

Njerëzit i frikësohen diktaturës dhe shqetësohen se jeta e tyre dhe vendi i tyre do të ndryshojë nga Izraeli që është sot.

Mbështetësit e reformimit të gjyqësorit – të cilët, sipas të gjitha sondazheve, janë vetëm një pakicë e izraelitëve të djathtë – shpresojnë se qeveria tani do të ketë fuqi të papenguar për të aneksuar Bregun Perëndimor, për të zgjeruar vendbanimet, për të thelluar mbajtjen e respektimit të rreptë fetar hebre në jetën e izraelitëve. 

Gjithashtu, siç u shpreh Mordechai Kremnitzer, një studiues konstitucionalist: “Kufizimi i pushtetit gjyqësor do të inkurajojë qeverinë të marrë vendime të papranueshme, si në Izrael ashtu edhe në territoret e pushtuara.” (https://www.newyorker.com/magazine/2023/08/07/israel-on-the-brink)

Gjatë muajit korrik 2023, nën një situatë të tillë të rënduar, me rrezikun e një përplasje civile, ananlistët vendas dhe ndërkombëtarë (https://amp.theguardian.com/world/commentisfree/2023/jul/30/will-israel-escape-civil-war-even-if-it-does-it-will-surely-lose-its-soul) parashikuan se Izraeli së shpejti do të aneksojë Bregun Perëndimor dhe do të përdorë sundimin e vet autoritar ushtarak mbi palestinezët në mënyrë të plotë dhe të përhershëm. Sundimi autokratik do të shtrëngojë me ngadalë qytetarët izraelitë, do të ketë presion ndaj shoqërisë civile, shprehjes së lirë dhe shtypit të lirë. Dhe me ndryshimet në gjyqësor Gjykata e Lartë nuk do të jetë në gjendje t’i ndihmojë.

Knesset (parlamenti) ka gjithsej njëqind e njëzet vende; Koalicioni i djathtë i Netanyahut ka gjashtëdhjetë e katër prej tyre. Nëse zgjedhjet do të mbaheshin gjatë verës, para konfliktit në Gaza, sipas një sondazhi të publikuar nga Channel 12, e djathta do të humbiste të paktën dhjetë mandate, dhe rrjedhimisht shumicën e saj.

Po Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog? Çfarë qëndrimi mbajti? 

Në mars 2023, duke paraqitur kornizën e tij alternative për reformën në drejtësi, presidenti Isaac Herzog tha se konflikti mbi këtë çështje “e ka sjellë Izraelin në prag të luftës civile.”

Herzog tha se ishte i tronditur nga ajo që kish dëgjuar nga vetë izraelitët.

“Ata që mendojnë se një luftë civile është larg prej nesh, as që nuk e kanë idenë.

Dua t’ju them diçka nga zemra dhe shpresoj shumë që ajo të depërtojë edhe në zemrat tuaja.

Në jetën time, në makthet më të këqija, nuk e kisha menduar kurrë se do të dëgjoja fjalë të tilla, qoftë edhe nga një pakicë shumë e vogël njerëzish. Kam dëgjuar një retorikë befasuese. Kam dëgjuar urrejtje të vërtetë, e të thellë. Kam dëgjuar njerëz – nga të gjitha partitë që ideja e gjakut e derdhur në rrugë nuk i trondit më”, tha ai. (https://www.timesofisrael.com/liveblog_entry/presenting-compromise-plan-herzog-says-we-are-on-brink-of-civil-war/)

Izraeli është një shtet shumë i afërt dhe i dashur për shqiptarët, dhe marrëdhëniet midis dy vendeve tona janë të shkëlqyera.  Rreziku i cenimit të demokracisë dhe konfliktet e thella të brendshme në Izrael sjellin pasoja jo vetëm te qytetarët e thjeshtë atje por gjithashtu, duke qenë prej dekadash një shtet shembullor i zhvillimit e me standarde të larta demokratike, një kthesë kaq e madhe dhe konflikt i luftës së pushteteve do rezultojë në një të ardhme të pasigurtë edhe më gjerë, me pasoja që reflektohen gjeo-politikisht si në Lindjen e Mesme ashtu edhe në Evropë, e madje me pasoja globale. 

Demokracia në Izrael është vitale për një sërë faktorësh të rëndësishëm, ndaj e duam kombin e Izraelit, aq shumë i vuajtur e i persekutuar padrejtësisht ndër epoka, por duam që shteti i Izraelit të jetë demokratik e të mos kthehet kurrësesi në autokraci.