Shumë prej jush jetojnë, apo kanë udhëtuar nëpër shumë vende të huaja. Keni parë shërbimet që ofrohen nga hotelet e këtyre vendeve. A ka Durrësi të njëjtin nivel shërbimesh hoteliere me vendet fqinje?

Ka ardhur koha të vlerësohet motivimi i vizitorëve, të cilët paguajnë për t’u kënaqur. Por kur këta turistë paguajnë atë vlerë që mund të jetë e njëjtë apo dhe më e lartë se në një vend tjetër, presin që shërbimi të jetë po aq i lartë, ose më i mirë. Është ky faktor, që do të përcaktojë avantazhet konkuruese brenda turizmit vendas, por edhe ndërmjet tij dhe turizmit të konkurentëve tanë të huaj. Cilësinë e shërbimit dhe rolin e njerëzve mund t’a shohim që në konceptimin e bizneseve dhe ndërtesave, deri në mënyrën e kryerjes së shërbimit nga kamarierët, recepsionistët etj. Tashmë në Durrës gjen hotele dhe restorante të ndërtuara me materiale të shtrenjta, me mermere dhe granit, me TV dhe kondicioner, me banjo me vaskë etj. Por ndërkohë banjoja mund të mos jetë e pastruar mirë, hoteli mund të mos ketë ujë ose drita, mund të mos punojë dushi, mund të mos gjesh njeri të komunikosh në gjuhë të huaj, shërbimi mund të fillojë të ofrohet pas gjysmë ore, çmimet i vendosin më të larta për të huajt dhe kur i ankohesh pronarëve, të thonë se mund të shkosh në vend tjetër. Të gjitha këto kanë të bëjnë me kulturën e shërbimit dhe ndikojnë në formimin e imazhit të shërbimit në turizmin shqiptar.

Ai që ka provuar dhe jeton eksperiencat e turistit apo klientit të këtyre shërbimeve vëren një “karakteristikë” të turizmit shqiptar: ndërtime luksi, por që në mjaft raste mbesin si të akullta, nuk mbushen me gjallërinë dhe ngrohtësinë e mikpritjes, duke humbur luksin dhe elegancën për shkak të shërbimit që ofrohet.Duhet theksuar se fajtorë për këtë nuk janë vetëm pronarët dhe punonjësit. Këta të fundit shpesh kanë dëshirën dhe vullnetin për të bërë diçka të bukur, por u mungon kultura e duhur profesionale që të dallojnë se cilat janë kërkesat dhe nevojat e turistëve dhe prioritetet e tyre.Nëse do të analizojmë historinë e industrisë shqiptare të turizmit, do të shohim se kemi shumë pak traditë, duke marrë parasysh historinë 42 vjeçare të një regjimi që luftonte konceptin e një shoqërie konsumi, ku ofrimi i shërbimeve të shlodhjes dhe argëtimit konsiderohej i huaj dhe mikroborgjez, ku arti i kulinarisë nuk u zhvillua nga varfëria, ku në sferën e shërbimeve ekzistonin vetëm restorante popullore, apo gjelltore të ushqimit social, dhe ndërtimi i hoteleve në qytetet kryesore u bë vetëm në vitet 1970, atëherë kur nevoja për valutën e huaj u pa e domosdoshme.

Kjo shpjegon edhe interesin e pakët të opinionit publik mbi turizmin. Në fakt, më shumë se një ndërgjegjësim të plotë mbi potencialet e turizmit në vendin tonë, ka një konfuzion, një paqartësi, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Askush nuk është në gjendje të thotë se çfarë drejtimi do marrë turizmi ynë, kush do t'i përcaktojë këto drejtime, si, kush, dhe kur do zbatohen.Le të diskutojmë më në detaje ide të tilla për të gjetur zgjidhjen më optimale, dhe për ta zbatuar atë sa më shpejt në praktikë. Tashmë ka ardhur koha që të mendohet seriozisht për kulturën e shërbimit para se mikpritja tradicionale shqiptare të komercializohet e të transformohet në kulturën e moskujdesit, shërbimit të dobët, apo zhvatjes së klientit, duke përballur pasojat e pariparueshme të moskthimit dhe rrjedhjes së numrit të turistëve.

INDRIT NINA:Ka shumë durrsakë që qarkullojnë nëpër vende të ndryshme të botës dhe aq më tepër në periudhën e verës ata shkojnë për pushime në Turqi, Maqedoni dhe Malin e Zi, dhe kanë krijuar një ide pak a shumë të qartë për shërbimet hoteliere. Në Durrës ka shumë biznese hotelerie që japin dhe kontribojnë në aspektin ekonomik, sistemin e taksave dhe mbi të gjitha në fuqinë punëtore. Të huajt apo kosovarët, të cilët kalojnë pushimet vijnë nga diku, ku ka një standart tjetër dhe se ne duhet të përpiqemi të analizojmë, apo të diskutojmë për perfeksionimin e këtyre standarteve në të mirë të këtyre bisneseve, por edhe të qytetit në përgjithësi. Esenca ku është? Mungojnë kushtet, mungojnë standartet e lidhura me kushtet, ka nevojë për shëmbëlltyra të marra kopje dhe të sjella në kushtet që jetohet, plus mentaliteti që sjell probleme në të tilla raste.

ROMINA BERISHA: Ka shumë për të përmirësuar, jo vetëm në cilësi por edhe në sasinë e shërbimeve. Duke filluar që nga hapësirat e argëtimit dhe mbi të gjitha duhet mediat t’i japin fund reklamës së keqe që bëjnë çdo fillim sezoni. Kini parasysh që deri dje ishim treg paksa injorant, s’dinim se jemi ne që kemi përparësi. Vazhdojmë të jemi pak të informuar dhe indiferent, pasi preferojmë të shpenzojmë lekët jashtë vendit, kur akoma s’kemi vizituar shumë vende në Shqipëri. Sa për Durrësin: është dashuria ime e madhe. E quaj fat që zgjohem çdo mëngjes duke parë detin. Fatkeqësia jonë është edhe pushteti vendor e lokal, që s’ka ditur të menaxhojë vijën bregdetare. Gjithsesi kush ka ndërmend të vi në Durrës, do të gjejë akoma shumë plazhe pothuajse të virgjëra, kuzhinë gjithashtu më të lirë dhe më të mirë se në Jug. Mendoj se për momentin janë më të rëndësishëm turistët 'vendas', sepse kur pakënaqësia fillon që në shkallët më të ulëta dihet që do infektojë gjithë hierarkinë. Mendoj se kemi fajet kryesore ne vetë, sepse vazhdojmë të paguajmë shumë për shërbim “0”. Do doja shumë të investohej për komplekse turistike që të na mbajnë të angazhuar për gjithë ditën. Pa përmendur që shumica e hoteleve janë sipërmarrje familjare që e vetmja gjë që kanë janë fondet, pasi idetë dhe menaxhimi janë për të ardhur keq.

1-Plazhe publike, sepse na ka ardhur në majë të hundës me shezlongjet

2-Tualete publike

3-Mund të organizojnë natën durrsake me ushqim dhe muzikë vendase

4-Lojra jo vetëm për fëmijë por edhe për të rritur, rrjetë volejbolli, udhëtim i organizuar me skaf apo anije

5-Guidë turistike nëpër vendet kyçe të qytetit

6-Ndihma e shpejtë e hotelit, apo rojet bregdetare funksionale

 

ADA SHEHU:Është vërtetë për të ardhur keq, që shumë pak hotele këtu tek ne kanë cilësi në shërbim. Do ishte mirë të ishte rregull që kamarierët kryesorë (pra ata që marrin porositë dhe shtrojnë tryezën, jo ata që mbledhin pjatat etj) të ishin të shkolluar. Ka të bëjë shumë dhe shërbimi i restoranteve, si brenda tyre dhe jashtë tyre, se për hotelet ka shumë për të thënë fatkeqsisht: do kishim turizëm shumë më të zhvilluar nëse do kishim cilësi në këto fusha mendoj. Puna e mediave është e tmerrshme. Ato që duhet të bëjnë super-reklamë, çdo fillim sezoni fillojnë jo ujrat e zeza, jo kto, jo ato. Ok, e pranoj janë, por ama ka dhe shumë anë të tjera pozitive. Pse t’i bëjmë anti-reklamë vendit tonë? Kur fare mirë siç bëjnë shumë faqe në facebook mund të paraqesin foto të vendeve të mrekullueshme të Shqipërisë. Duke filluar nga turizmi detar, që kemi pafund, e deri tek pasuritë e pafundme antike që kemi. Duhet kulturë në rradhë të parë. Me një menaxher të aftë, të shkolluar, me një pagë të mirë, që të drejtojë të gjithë personelin, do të shndërrohej komplet figura e hotelit. Se si është ajo shprehja: më mirë një luan në krye të 100 deleve, se një dele në krye të 100 luanëve. Faktikisht unë mendoj se pronarët janë fajtorë, sepse janë njerëz që nuk dihet ku e kur i kanë vënë aq lekë (shumicën e rasteve) dhe i harxhojnë kot më kot. Kur fare mirë mund të marrin një njeri me eksperiencë. Ka plot këtu tek ne, por nuk i merr njeri se i quajnë "shpenzime të tepërta". Gjithsesi duhet një reformë vërtetë e madhe në këtë aspekt, jo vetëm në Durrës por dhe Vlorë e Sarandë për sezonin veror kryesisht, sepse është 50% e imazhit.

EDMOND FEJZULLAI:Unë si shërbime nuk e di, sepse ka vite që nuk frekuentoj një hotel në Shqipëri, por ajo që mund të them është diferenca e madhe në organizimin e hapësirave dhe gjelbërimit. Kultura dhe shërbimi është A-ja e turizmit sot. Turistët perëndimorë nuk vijnë për pllaka mermeri dhe tv digitale. Në Europë, i kanë me bollëk. Vijnë për natyrën dhe diellin mesdhetar (që e kemi me bollëk), për traditën kulinare dhe etnologjike (e kemi po nuk e dimë ku është fshehur), vijnë dhe për njerëz që dinë të buzëqeshin.

AKSINJA GIOIA XHOJA: ‎"MIRËSJELLJA DHE HIGJENA", janë dy kushtet kryesore për mbarëvajtjen e një hoteli, sipas mendimit tim edhe këto i kam gjetur në hotelet e Durrësit tim të dashur ku shkoj vazhdimisht.