Sipas statistikave zyrtare deri në fillim të vitit 2010 jashtë Shqipërisë jetonin dhe punonin rreth 1.2 milion shqiptarë (25% e popullsisë së Shqipërisë) ose rreth 35% e forcës së punës. Pjesa më e madhe e emigrantëvë shqiptarë janë vendosur në Itali e Greqi, dy vendet fqinje, që gjatë viteve të tranzicionit janë përballur me valën e shqiptarëve që në mungesë të kushteve të përshtatshme ekonomike në Shqipëri, morën rrugën e migrimit për të siguruar një jetesë më të mirë për veten dhe të afërmit e tyre. Në Itali, sipas të dhënave zyrtare, shqiptarët përbëjnë komunitetin e dytë më të madh pas rumunëve. Aktualisht, në fqinjin tonë përtej Adriatikut jetojnë e punojnë rreth 483 mijë shqiptarë, ndërkohë që numri i studentëve shqiptarë vërtitet rreth shifrës 10 mijë. Në Itali shqiptarët kanë emigruar në masë të madhe në dy periudha të rëndësishme të historisë sonë. E para ajo rreth viteve 1400, kur pas pushtimit osman shumë shqiptarë u drejtuan drejt brigjeve italiane ndërtuan atje kolonitë e tyre dhe u njohën nga popullsia vendase me emrin arbëreshë. Ndërsa e dyta ishte ajo pas shembjes së regjimit komunist, kur mijëra shqiptarë me anije e gomone kapërcyen Adriatikun për të shkuar drejt Italisë (atyre u dukej si El dorado “vendi i veshur me ar”) në kërkim të një jete më të mirë. “Në këta 20 vjet, emigracioni shqiptar përbën një faktor pozitiv si për Italinë dhe për Shqipërinë”,- shkruajnë në artikullin e tyre Franco Pittau dhe Antonio Ricci. Në shkrimin “Kapërcimi i pesë paragjykimeve mbi praninë e shqiptarëve në Itali.

Një rilexim i 20 viteve të emigracionit shqiptar në Itali”, Pittau dhe Ricci theksojnë se duke bërë një reflektim mbi atë çfarë përfaqësojnë shqiptarët atje, këta të fundit fare mirë mund të shihen si paradigma e takimit mes popullsisë italiane dhe emigrantëve, duke lënë pas kështu një sërë frikërash që për vite me rradhë janë ushqyer kundrejt tyre. Të etiketuar vitet e para si njerëz të dhunshëm e të dhënë pas kriminalitetit, opinioni i përgjithshëm mbi shqiptarët filloi të ndryshojë me kalimin e kohës. Nëse në fillim gazetat dhe televizionet italiane bombardoheshin nga lajme që flisnin për krimet e shqiptarëve, tashmë në jo pak raste faqet dhe kronikat e shtypit të huaj mbushen me informacione mbi aftësitë profesionale të shqiptarëve, sensin e tyre të rregullit dhe përgjegjshmërisë në punë dhe talentin e tyre të dëshmuar tashmë jo vetëm si punëtorë të thjeshtë, por edhe si sipërmarrës në vendin fqinjë. Sipas statistikave të shtetit italian rreth 216 mijë shqiptarë janë punëtorë, ndërsa rreth 15 mijë kanë ngritur bizneset e tyre, në të cilat kanë punësuar kryesisht shqiptarë, por dhe emigrantë nga vende të tjera. Në një artikull të pak kohëve më parë në të përditshmen italiane “Il Giornale” nënvizohet fakti sesi një skuadër punëtorësh shqiptarë e angazhuar në mirëmbajtjen e disa rrugëve në qendër të Genova-s ka bërë një punë të shkëlqyer në një afat mjaft të shkurtër. “Për disa ditë me rradhë një skuadër punëtorësh ka punuar në rrugicat e qendrës historike për ndërrimin e tubave të ujit. Prishin asfaltin, ndërrojnë tubat e shumë shpejt mbyllin e asfaltojnë gjithçka duke u kthyer banorëve rrugët në kohë rekord”,- thuhet në shkrimin e “Il Giornale”.

Më tej artikull shkruesi vijon duke thënë: “I kam parë edhe herë tjetër këta shqiptarë, kur ribënë e dekoruan pallatin mes San Bernardo-s e sheshit Embriaci. Realizuan një kryevepër të vogël profesionale dhe kam vërejtur që është mënyra e tyre normale e të punuarit, ajo që krijon mundësinë që pasi gjithçka mbaron të gjithë sodisin me admirim një punë të kryer siç duhet. Nëse italianët do të arrinin të kuptonin që ekziston një etikë pune dhe nëse do të silleshin me të njëjtin dinjitet si këta shqiptarë, gjërat do të shkonin më mirë në këtë vend”. Ky paragraf i shkëputur nga “Il Giornale” tregon më së miri se si gjatë viteve këndvështrimi i italianëve ndaj emigrantëve shqiptarë ka ndryshuar kryekëput. Por nuk janë vetëm këto shkrime që dëshmojnë se çfarë arrijnë të realizojnë shqiptarët me shpirtin e tyre krijues. Tashmë shoqëria italiane kur flet për ta nuk i sheh më me syrin e stereotipit “kriminel”, por si njerëz që punojnë shumë e me ndershmëri, njerëz që e duan diturinë dhe janë në gjendje të sakrifikojnë shumë që ta përfitojmë atë deri në nivelet më të larta. Në jo pak raste studentët shqiptarë që vazhdojnë studimet në Itali janë klasifikuar si nxënës mjaft të zotë, ndërsa shumë punëtorë të thjeshtë janë shkolluar apo kanë kryer kurse formimi profesional që i ka bërë të përmirësojnë gradualisht statusin e tyre social-ekonomik.

Shqiptarët janë dalluar gjithmonë për aftësinë e tyre për të mësuar lehtësisht gjuhët e huaja. Shqiptarët jashtë vendit flasin rrjedhshëm (42%) ose mjaftueshëm (52%) gjuhën e vendit pritës duke treguar një nivel të lartë të integrimit. Gjuha është konsideruar gjithmonë një element thelbësor që garanton integrimin më të lehtë në shoqërinë pritëse e përderisa shqiptarët këtë pengesë e kanë kaluar me sukses bashkëveprimi ekonomik, social e kulturor me vendin mikpritës ka qenë më fleksibël. Krahas lënies pas të klasifikimit “kriminelë” shqiptarët vit pas viti kanë ulur ndjeshëm edhe statistikat e krimeve të kryera prej tyre. Në shkrimin e përmendur pak më sipër, Pittau dhe Ricci deklarojnë se në bazë të të dhënave zyrtare në periudhën 2005-2009 denoncimet ndaj shtetasve të huaj janë ulur me 19.9%. Fakt interesant është se shqiptarët rezidentë në Itali janë denoncuar në 6.8% të rasteve të marra në shqyrtim nga policia, ndërkohë që vetë italianët janë denoncuar në 11.3% të rasteve. Pra kjo diferencë prej 4.8% tregon sesi shqiptarët janë kthyer në një faktor pozitiv për shoqërinë italiane, janë ndërgjegjësuar edhe më shumë për vlerat e tyre të vërteta dhe janë përqendruar në aspektet e integrimit të tyre në shoqëri dhe zhvillimin e ekonomisë familjare.

Kriza dhe emigrantët

Po ndërsa flasim për progresin e padiskutueshëm që ata kanë bërë për përmirësimin e imazhit të tyre dhe të vendit nga vijnë, një problem tjetër i shqetëson ata prej kohësh, ashtu siç shqetëson edhe shoqërinë europiane. Kriza ekonomike duket se është ulur këmbëkryq në Europë e sidomos në dy vendet, ku ndodhet edhe komuniteti më i madh i emigrantëve shqiptarë, Itali e Greqi. Në një anketë të bërë nga Qendra e Studimeve Ekonomike dhe Sociale në bashkëpunim me OIM (Organizata Ndërkombëtare për Migracion), UNDP dhe Bankën Botërore e ku u intervistuan një grup emigrantësh që vizituan Shqipërinë gjatë periudhës dhjetor 2009-janar 2010, u konstatua se rreth tre të katërtat e tyre kanë vuajtur efektet negative të krizës ekonomike. Rreth 46% e emigrantëve janë përballur me një reduktim të ditëve ose të orarit të punës, rreth 14% e tyre kanë humbur vendin e punës të të paktën një anëtari të familjes dhe 9% prej tyre kanë humbur vendet e punës personalisht. Në të njëjtën kohë, rreth 46% e emigrantëve që janë përballur me një përkeqësim të kushteve të tyre ekonomike dhe sociale u është dashur të përballen edhe me një fakt tjetër negativ. Shumë punëdhënës italianë tashmë preferojnë punëtorë më fleksibël (dmth ata që bien dakord të punojnë pa kontrata të rregullta dhe pa sigurimeve shoqërore).

Faktin se emigrantët shqiptarë po kalojnë vështirësi ekonomike ashtu si dhe popullsia e vendeve ku ata janë vendosur e tregojnë më së miri edhe remitancat. Nëse remitancat në kohët e tyre më të mira kanë arritur të përbëjnë deri 27% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë (në periudhën 2004-2009 totali i remitancave u rrit nga 2.7 miliard euro në 6.7 miliard euro) tashmë ato janë reduktuar ndjeshëm. Gjithnjë e më pak emigrantë po dërgojnë para për familjarët e tyre në Shqipëri, por dhe shumat e parave që ata dërgojnë ulen vit pas viti. Por a rrezikon Shqipëria të përballet me një kthim masiv të emigrantëve në vendlindje meqë situata ekonomike në Greqi dhe Itali duket mjaft e zymtë? Sipas një ankete të INSTAT-it të realizuar në fund të 2010-tës, rreth 47% e emigrantëve mund të vendoste të kthehej në Shqipëri si pasojë e drejtpërdrejtë e krizës ekonomike. Sipas vlerësimit, nga këta, 28% do dëshironin të punonin në profesionin e tyre në sektorin privat, 10% në sektorin publik dhe 62% do ishin të gatshëm të pranonin çdo punë që mund t’u ofrohej. Por deri tani këto të dhëna nuk janë verifikuar, për më tepër në shifra kaq të larta. Një fakt që vlen të përmendet dhe që ndoshta do të ndikojë në mos kthimin masiv të emigrantëve për të jetuar e punuar në Shqipëri është se pjesa dërrmuese e tyre jetojnë atje me familjen dhe shumë prej tyre kanë blerë shtëpi (emigrantët shqiptarë përbëjnë numrin më të madh të komuniteteve të huaja për numrin e shtëpive të blera nëpërmjet sistemit bankar).

Pra përsa kohë ata kanë realizuar një investim të tillë madhor në vend të huaj, kanë futur fëmijët në shkollë dhe kanë ngritur bizneset e tyre atje, mundësia për tu shpërngulur dhe kthyer në vendlindje duket më e vogël. Pastaj një tjetër element që ndoshta do ta kushtëzonte idenë e tyre për tu rikthyer në vendlindje do të ishte fakti se Shqipëria po përballet vetë me pasojat e krizës. Mungesa e vendeve të reja të punës, vështirësia e biznesit privat për likujditete dhe kujdesi i treguar për të mos investuar shuma të mëdha në këtë kohë të vështirë mund të jenë disa nga arsyet kryesore që do t’i shtynin emigrantët ta mendonin mirë para se të bënin një hap mbrapsht për tu kthyer në vendlindje. Shqiptarët edhe në periudha të vështira historike e ekonomike kanë ditur ta nxjerrin në pah aftësinë e tyre për mbijetesë. Sipas meje ndoshta efekti i krizës përjetohet më shumë nga shtetasit europianë sesa nga emigrantët shqiptarë. Kjo për faktin se për shumë prej tyre, të mësuar prej kohësh me një standart të lartë jetese, kjo periudhë krize shoqërohet me privime të shumta, të cilat ata ndoshta nuk i kishin menduar më parë. Ndërsa emigrantët dhe populli shqiptar, të dalë vetëm 20 vjet më parë nga ai sistem diktatorial që i varfëroi familjet shqiptare në ekstrem, ndoshta mund t’i përballojnë pak më lehtë efektet negative të krizës. Emigrantët shqiptarë janë dalluar gjithnjë si kursimtarë të zotë; me punën e tyre në emigrim ata ndërtuan shtëpitë dhe vilat në Shqipëri, apo blenë shtëpi jashtë si dhe investuan për ngritjen e një biznesi këtu apo në vend të huaj. Kështu që pavarësisht situatës së zymtë që po vërtitet prej kohësh në Europë, emigrantët shqiptarë besoj se do të dinë t’ia dalin mbanë të përballojnë me maturi efektet negative të një krize që nuk dihet sa do zgjasë dhe çfarë impakti do të lërë pas.