Nga BUJAR QESJA

Jeta ndërtohet nga kujtimet. Se ku kam lexuar të thuhet: “jeta pa memorie humbet kuptimin”. Kur shkruajta profilin e plotë të Niko Profkolës, këtij senatori të historisë së basketbollit, bëra të njohur edhe një foto. Po është krejt e veçantë, prekëse, me shumë mall, me shumë sentiment. Ravijëzohet një kohë e artë i basketbollit durrsak. Punë pasionante e dyshes Bashkim Taga dhe Dhimitraq Goga. Frut i punës tyre breza të tërë harlemash të këtij Durrësi, “toka” më pjellore e fidanishtes së basketbollit.

Durrësi jo vetëm ishte kampion me të rinj, jo vetëm përfaqësonte në mënyrë cilësore veten në veprimtaritë kombëtare, por ishte furnizuese edhe ekipeve të kryeqytetit. Veçanërisht në ekipin e “Studentit” që drejtohej nga i mirnjohri Xhoxhi Baho.

Historia e “Studentit” është historia e vetë basketbollit durrsak. Nysret Reka, Niko Profkola, Vladimir Agaraj, Pali Jorgoni, Luigj Kalebota etj. mezi priteshin të vinin në Tiranë. “Studenti” me ta, ishtë bërë “tmerr” i ekipeve të forta. Kur vinte “Studenti” të luante në Durrës, njerëzia shprehej : po luan Durrësi A me Durrësin B. Sa gëzoheshim kur i shikonim djemtë tanë, ta mundin ngandonjëherë edhe ekipin mëmë të origjinës.

Kushtrim Zaçe, u bë heroi i “Partizanit” në vitet më të fuqishme të tij. Ibrahim Kurtbegovi ishte kapiteni i ekipit të “Dinamos”. Janë fakte që e prezantojnë basketbollin durrsak, me fuqinë furnizuese edhe të ekipeve të njohura kryeqytetase.

Në pamjen që paraqesim, na mbysin kujtimet dhe na del e gjallë ajo kohë e artë e basketbollit të Durrësit, por edhe i ekipit simpatik të “Studentit”. Në shtatë basketbollistë që prezantojmë 3 janë të “Lokomotivës” dhe tre të “Skëndërbeut” të Korçës. Andrea Andoni mbase i takon Tiranës.

Niko Profkola, Vladimir Agaraj dhe Luigj Kalebota janë ish të “Lokomotivës”, ndërsa Zhani Zengo, Gjergj Ikonomi i njohur me epitetin Keno dhe Fatos Bitincka (që arriti të drejtoj edhe një ministri) janë ish të “Skëndërbeut” të Korçës. Ekip më rinor dhe më tërheqës, zor se i vjen historisë së basketbollit shqiptar.

Dimër. Borë. Bukuri. Por përmbi fuqinë tërheqëse të natyrës, janë bukuria e rrallë e këtyre 7 djemve të basketbollit të “Studentit” të fillimit të viteve 70-të. Një “Studenti” të frikshëm, me fuqinë dhe potenncën e një basketbolli të kohës, me kostumin aq tërheqës të pëlqyeshëm dukshëm nga tifozëria.

Malli ulet dhe na ngacmon këtë shpirtin tonë, ku nga të shtatët veçojmë treshen tonë të Durrësit. Qaj me lot zemre, largimin nga jeta të Niko Profkolës. Zor se do të më ikë sa të jem me frymë, çfarë bënin durrsakët për të dhe si se ja shpërblenin talentin e lindur. Kujtoj Luigj Kalebotën, djalin e mjeshtërit të fonisë së teatrit “A. Moisiu” të shkëlqyerit njeri Ivo Kalebotës, vëllait të Frankos që humbi jetën në kohën e kovidit të tmerrshëm. Është Lad Agaraj, anësori virtuoz dhe kënaqësia e tifozërisë.

Dukë kujtuar ata, duke qenë në një premorie për ta, më del si në ekran të gjithë brezat e basketbollit të artë të Durrësit, drejtuesit e tyre Taga dhe Goga, që i dhanë nam, nder e krenari qytetit tonë të njohur në topin e koshit. Me 29 qershor 2025, është 100 vjetori i lindjes së korifeut të këtij sporti Dhimtraq Goga. Me siguri përkujtimi do të lej mbresa.

Po deri atëhere, le të shijojmë këtë foto. Është “Studenti” i artë i fillimit të viteve 70-të. Ndërmjet të shtatëve janë edhe tre durrsakët tanë Niko Profkola, Luigj Kalebota dhe Vladimir Agaraj.

Gjithnjë në kujtimet dhe jetën tonë!