Qeveria do të shpërndajë banesa sociale në 61 bashki të vendit. Duhen shtatë dokumente për të përfituar një banesë sociale, ose për të përfituar nga gjashtë programet e strehimit që ka qeveria.
Ministria e Zhvillimit Urban dhe PNUD organizuan një takim me 61 bashkitë në vend për sfidat dhe problematikën e strehimit social në vend. Gjatë fjalës së saj ministrja, Eglantina Gjermeni tha se së shpejti do të krijohet databaza për të pastrehët në rang vendi, në të 61 bashkitë – nëpërmjet saj do të kemi, më në fund një numër të saktë dhe një regjistër dixhital të familjeve në nevojë për strehim, në Shqipëri. “Në këtë kuadër, kemi realizuar edhe trajnime me stafet e bashkive. Evidentimin e numrit dhe situatës së komunitetit rom dhe egjiptian në të 61 bashkitë. Kjo analizë do të na shërbejë për investime më të mira në vitet në vijim, si dhe në hartimin e ligjit të ri për strehimin social, të cilin ne shumë shpejt presim ta kalojmë për diskutim në komisione parlamentare dhe Kuvend.
Fondi
Për vitin 2017 fondi i alokuar nga buxheti i ministrisë është 140 milionë lekë. Ne jemi tashmë në fazën e miratimit të projekteve të depozituara nga bashkitë që do të përfitojnë financim direkt gjatë këtij viti dhe nga një vlerësim paraprak që stafi i drejtorisë së strehimit në ministri ka kryer me këtë fond do të mundësohet përmirësimi i kushteve të jetesës për mbi 300 familje të këtij komuniteti. Programi për banesat sociale pilotohet për herë të parë këtë vit dhe synon kthimin apo përshtatjen në banesa sociale të objekteve pronë e bashkisë. Është parashikuar që me fondin e alokuar në vlerën 120 milionë lekë, të mundësohet strehimi i 135 familjeve në nevojë, në bashki të ndryshme të vendit, të cilat do të aplikojnë me projekte pranë ministrisë. Për vitin 2017 do të garantojmë ofrimin e Grantit të Menjëhershëm për shlyerjen e kredisë së përftuar të banesës me kosto të ulët në masën 5 – 10 % të vlerës së banesës për 20 familje me statusin e jetimit apo person me aftësi të kufizuar. Për të dyja këto programe janë alokuar fonde të veçanta buxhetore dhe për më shumë detaje që lidhen me procesin e aplikimit, plotësimit të dokumentacionit nga bashkitë do të kemi një prezantim të detajuar nga specialistë të strehimit në ministri në sesionin e dytë të këtij ‘workshop’-i.
Enti i banesave
Me fondet e Entit kemi ndërtuar gjithsej 182 apartamente në bashkitë Berat (34 apartamente), Fier (75 apartamente), Lushnjë (38 apartamente) dhe Librazhd (35 apartamente). “Që prej vitit 2015 Shqipëria si shtet anëtar i Komisionit Ekonomik për Evropën i Kombeve të Bashkuara ka marrë përsipër zbatimin e Kartës së Gjenevës mbi Strehimin e Qëndrueshëm, e cila u miratua në sesionin e 75-të të Komitetit të Strehimit dhe Menaxhimit të Tokës. Kjo kartë shërben si mjet për të mbështetur politikat e strehimit të vendeve anëtare për të rritur aksesin në strehim të përballueshëm dhe të përshtatshëm. Besoj se ju të gjithë keni tashmë një kopje të publikimit të Kartës së Gjenevës në gjuhën shqip. Është shumë e rëndësishme të theksohet se ky dokument do të duhet të jetë themeli i çdo politike që ne do të hartojmë apo ndërmarrin në fushën e strehimit social për të garantuar të drejtën për strehim të denjë, të përshtatshëm, të përballueshëm dhe të shëndetshëm për të gjithë qytetarët”, – tha Gjermeni./G.SH