Nga Dr. Bledar Kurti

Në mëngjesin e 7 dhjetorit 1941, Japonia sulmoi bazën detare amerikane në Pearl Harbor, Hawaii. Sulmi i befasishëm nga 350 avionë japonezë fundosi dhe dëmtoi rëndë tetëmbëdhjetë anije detare amerikane, përfshirë tetë luftanije, shkatërroi dhe dëmtoi 300 avionë amerikanë dhe vrau 2,403 marinsa.

Ky sulm do shenjonte një kthesë të madhe në historinë botërore pasi përfshiu SHBA-në, deri në atë kohë neutrale, në rol aktiv në Luftën e Dytë Botërore, duke iu bashkuar Aleatëve në luftën kundër aksit nazist, fashist dhe imperialist, Berlin-Romë-Tokio. Falë hyrjes së SHBA në luftë Aleatët, të cilët ishin në situatë kritike dhe humbëse, arritën në fitoren në vitin 1945.

“Hakmarrja” amerikane ndaj sulmit të 7 dhjetorit në Pearl Harbor do kulmonte në verën e vitit 1945 kur SHBA e goditi Japoninë me dy bomba atomike në Hiroshimë dhe Nagasaki më 6 dhe 9 gusht. Hedhja e bombave atomike jo vetëm i dha fund luftës botërore disa vjeçare, jo vetëm i transmetoi mesazhin e supremacisë ndaj Bashkimit Sovietik, por edhe themeloi rolin e SHBA në arenën ndërkombëtare si shteti më kryesor në përcaktimin e gjeopolitikës dhe influencës botërore. 

Gjithashtu, sulmi i 7 dhjetorit, ose më saktë, gabimi në inteligjencë dhe mungesa e informacioneve për një sulm të atillë shkatërrues, lindi nevojën për një agjenci inteligjence e cila do parandalonte çdo sulm të ngjashëm në të ardhmen. Kjo nevojë bëri të lindë Agjencia Qendrore e Inteligjencës e njohur si CIA.

Nevoja për një agjenci inteligjence të fortë dhe kompetente doli dukshëm pas 7 dhjetorit 1941, datë në të cilën, pavarësisht paralajmërimeve të shumta, Pearl Harbor u sulmua prej aeroplanëve bombardues japonezë. U duk qartë se sistemi i vjetëruar dhe i decentralizuar i inteligjencës, i cili nuk ishte në gjendje të bënte dallimin midis ‘zhurmës së rëndësishme’ të flotës japoneze nga zhurma e sfondit, e detit dhe erës, ishte tejet e papërshtatshme.

Presidenti F. D. Roosevelt kishte plotësuar pjesërisht nevojën e koordinimit të inteligjencës duke krijuar OSS-në (Office of Strategic Services) Zyra e Shërbimeve Strategjike, nën drejtimin e Gjeneral Major William J. Donovan. Ajo u formua në Tetor të vitit 1941. OSS-ja ishte një organizatë inteligjence aktive shumë e shpërndarë dhe e fuqishme e cila rrodhi prej një agjencie të mëparshme por më të vogël e quajtur Office of Co-ordination of Information (Zyra e Ko-ordinimit të Informacionit). 

OSS-ja kreu punën e saj gjatë viteve të luftës dhe hodhi themelet për një agjenci të përshtatshme për në kohë paqe, kjo agjenci që pasoi ishte CIA.

Në fillimet e saj OSS-ja konsiderohej si një agjenci civilësh. William J. Donovan dhe Presidenti amerikan i Luftës së Dytë Botërore, Franklin D. Roosevelt e themeluan atë për të mbledhur informacione, një agjenci amerikane e shpërndarë në tërë botën por nën juridiksionin e Departamentit të Luftës, dhe si një model i të famshmes Federal Bureau of Investigation (FBI), e cila deri në atë kohë ishte e mjaftueshme.

Presidenti Roosevelt dhe Gjenerali Donovan u përpoqën ta ruanin statusin civil të OSS-së, por pavarësisht nga përpjekjet e tyre, ndodhi një proces gradual dhe i pashmangshëm militarizimi. Pati shumë pjestarë të OSS-së të cilët e kundërshtuan kategorikisht militarizimin, por kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës i shpallën luftë forcave qendrore (Gjermani, Itali, dhe më vonë Japoni) dhe kur Gjenerali Donovan u paraqit me uniformë ushtarake, pranimi i militarizimit të organizatës u nënkuptua dhe u pranua unanimisht. Lufta mund të mbështetej prej civilëve por ajo nuk luftohej prej tyre, ajo luftohej prej njerëzve me uniformë, ndaj një gjë ishte e sigurtë, që në fillimet e saj OSS-ja nuk ishte një organizatë policie që ruante rendin pa luftuar. Detyrat e saj ishin të mbështeste konfliktet e armatosura, operacionet e fshehta, klandestine dhe luftrat sekrete, pra ishte një organizatë lufte.

Kur lufta mbaroi dhe forcat e armatosura u kthyen në detyrat e tyre të para-luftës, OSS-ja, pa e patur një precedent të tillë, nuk u kthye në rolin e saj parësor. Ajo nuk kishte patur një strukturë bazë që ti rikthehej. Ajo kishte lindur prej luftës. Për aq kohë sa Presidenti Roosevelt jetonte (ai vdiq vetëm një muaj dhe katër dite përpara kapitullimit të Gjermanisë në Europë) agjencia e Gjeneralit Donovan ishte e sigurtë nga zaptimi që mund ti bënin shërbimet ushtarake. Megjithatë, OSS-ja nuk gëzoi të njëjtën marrëdhënie me pasardhësin e Roosevelt-it në Shtëpinë e Bardhë, presidentin Harry S. Truman, i cili mendonte se OSS-ja nuk nevojitej më. 

Gjithashtu, ai dukej se bashkohej me mendimin e shefave të shërbimeve ushtarake se espionazhi duhej të ishte pjesë e ushtrisë, ndërsa për gjëra të tjera FBI-ja do mjaftonte.

Gjenerali Donovan argumentoi për vazhdueshmërinë e ekzistencës së OSS-së kundër mendimit ndryshe që kishin shefat e forcave ushtarake, detare dhe ajrore të SHBA-së, si edhe komiteteve të Kongresit dhe shumë komisioneve të tjera. 

Ai e konsideronte të pakonceptueshëm rikthimin e inteligjencës amerikane në statusin e saj të para-luftës. Ai, herë-pas-here ngulmoi në besimin e tij se nevoitej një agjenci e pavarur, me një status civil, dhe e ndarë nga kontrolli i ushtrisë, marinës dhe forcave ajrore, që të funksiononte në kohë paqeje si një organizatë inteligjence me detyrën e mbledhjes së informacionit dhe inteligjencës. 

Gjenerali Donovan u mundua të bindte Truman edhe për rëndësinë e lidhjes me Shërbimet Sekrete të Inteligjencës Britanike dhe se ajo duhej ruajtur dhe jo humbur.

Truman tashmë e kishte vendosur në mendjen e tij se nuk nevojitej një agjenci inteligjence e huaj në periudhën e pas luftës. Ai nënshkroi Urdhërin Ekzekutiv 9621, i cili e lëndoi OSS-në. Në fund Donovani dha dorëheqjen dhe OSS-ja u mor nën zotërimin e Departamentit të Luftës. Shuarja e saj e plotë ishte e shpejtë. Emri ndryshoi në “Njësia e Zyrës së Shërbimeve Strategjike – Departamenti i Luftës” por më pas ndryshoi përsëri në “Grupi i Inteligjencës Qendrore – Departamenti i Luftës”. Në 22 Janar, 1946, Presidenti Truman themeloi “Autoriteti i Inteligjencës Kombëtare”, i cili përbëhej prej sekretarit të shtetit, të luftës dhe marinës, dhe kishte si detyrë të planifikonte, zhvillonte dhe koordinonte të gjitha aktivitetet e inteligjencës.

Në vitin 1947, Lufta e Ftohtë ishte në fillimet e saj. Në 12 Mars, 1947, Truman u paraqit përpara një sesioni të përbashkët të Kongresit dhe kërkoi 400 milionë dollarë për të ndihmuar dhe shpëtuar Greqinë dhe Turqinë prej rrezikut Komunist. 

Për dyzetë vitet në vazhdim “Frenimi” i Bashkimit Sovietik u bë baza e politikës së jashtme Amerikane. Ngritja e tensionit të Luftës së Ftohtë bëri që të ngrihej propozimi për themelimin e një agjencie qendrore të inteligjencës.

Në 26 Shkurt, 1947, në Kongresin amerikan u dërgua për miratim një ligj, i cili me pak amandamente, u aprovua dhe doli për zbatim në 26 Korrik dhe njihet si Ligji i Sigurisë Kombëtare. Ky ligj themeloi Këshillin e Sigurisë Kombëtare si edhe Agjencinë Qendrore të Inteligjencës ose në origjinal CIA, “me qëllimin për të koordinuar aktivitetet e inteligjencës së shumë departamenteve dhe agjencive të qeverisë në interes të sigurisë kombëtare.” Drejtuesit të CIA-s iu shtua titulli Drejtor i CI-së, që vazhdon të njihet edhe sot e kësaj dite me shkurtimin DCI, i cili do kishte autoritet edhe mbi komunitetin e inteligjencës ndaj jashtë vendit.

Dhe për më shumë se shtatë dekada CIA ka luajtur një rol themeltar në sigurinë dhe inteligjencën botërore. 

Sulmi i 7 dhjetorit 1941 në Pearl Harbor nuk e shkatërroi SHBA-në por vetëm sa zgjoi gjigandin nga gjumi, që deri më sot vazhdon të jetë zgjuar më shumë se kurrë.