Një ngjarje gati si nëpër filma është regjistruar ditën e sotme në Tiranë, ku dy vajza të guximshme kanë parandaluar një vjedhje. Tentativa e grabitjes ka ndodhur pasditen e sotme në një dyqan argjendarie, rreth orës 17:56 në rrugën ‘Muhamed Gjollesha’, përballë shkollës ‘Sabaudin Gabrani’.

“BalkanWeb” ka arritur të sigurojë pamjet nga kamerat e sigurisë së dyqanit, ku shihet skena e frikshme. Në pamjet në fjalë duket një person, i veshur me bluzë me kapuç dhe kapele në kokë, ndërsa hyn brenda në dyqan duke kërcënuar me pistoletë. Të kapura në befasi, dy vajzat që qëndrojnë pas banakut, kanë nisur të ulërasin, ndërsa njëra prej tyre ka hapur sirtarin dhe pasi ka shtypur alarmin e sigurisë ka nxjerrë një sprai, duke ia drejtuar hajdutit.

Policia e Tiranës ka dhënë detaje rreth tentativës së grabitjes sot në Tiranë, ku një person tentoi që të vidhte një argjendari. Ngjarja ndodhi rreth orës 17:57, në rrugën “Muhamed Gjollesha”. Sipas policisë, dyshohet se autori ka pasur në dorë një pistoletë lodër.

Informacion Paraprak:

Më datë 08.10.2018, rreth orës 17:57, në rrugën “Muhamed Gjollesha” një person i maskuar nën kërcënimin e një arme të dyshuar lodër ka tentuar të vjedhë në një argjendari.

Personi i maskuar nuk ka arritur të realizojë vjedhjen, por është larguar pasi është spërkatur me solucion nga punonjëset e argjendarisë.

Shërbimet e Policisë po punojnë për identifikimin dhe kapjen e tij.