NGA ALEKSANDËR CANGONJA

Ngritja e flamurit është festa më madhore që shteti ynë feston krahas festave të shumta zyrtare që përfshin kalendari vjetor. Në periudhën e monarkisë festa e flamurit ishte një ditë shumë e veçantë, kjo veçanti reflektohet në detajet e organizimit që bashkitë e vendit bënin për këtë ditë. Festa në Durrës fillonte një ditë përpara pra që me 27 nëntor stolisjen me flamuj kombëtarë nëpër banesa dhe aktiviteve tëk bulevardet kryesore të Durrësit. Më pas u ndizte ndriçimi i rrugëve dhe dilte banda frymore e qytetit në sheshi “Liria” pra para bashkisë. Më 28 e cila ishte dhe dita e festës, programacioni niste në orën 7 të mëngjesit me bandën muzikore me muzikë të zgjedhura, po në këtë orë dilnin muezinët e xhamiave, do binin këmbanat e kishave dhe sirenat e anijeve do ndizeshin. Në orën 8 deri në orën 9 do bëheshin lutjet fetare në xhamia dhe kisha për nder të kësaj dite të shënuar. Në orën 9 do dilte përsëri banda muzikore në sheshin “Liria” ku krahas tyre rrjeshtohen dhe djemtë e vajzat e shkollave të Durrësit, administrata civile, shoqëria “Gruaja Shqiptare” të cilët qëndrojnë para bashkisë. Në këtë kohë mbahen fjalime të rastit nga ballkoni i bashkisë, edhe duke u recituar vjersha patriotike nga nxënësit e shkollave por edhe duke u kënduar himni i Mbretit Zog dhe ai i flamurit. Mbas kësaj ceremonije pritet vizita zyrtare në bashki apo prefekturë deri në orën 11. Prej orës 11 deri në orën 12 priten urimet nga trupat diplomatike që gjenden në Durrës. Rreth orë 10 në rrugët e Durrësit do të kalonin grupi i çiklistëve që bënin garën Tiranë-Vlorë, i pari që do arrinte në Durrës bashkia do ti dhuronte një çmim. Në orë 14:00 do zhvillohej ndeshja miqësore e futbollit midis Teutës dhe asaj të Dobrovnikut të Kroacisë në atë kohë nën Jugosllavi. Në orë 16:30 ndizen dritat e qytetit, ndërsa në orën 18:00 i gjithë populli me bandën muzikore dalin nëpër rrugët kryesore të qytetit duke festuar dhe në fund po në sheshin Liria hidhen fishekzjarre duke e zbukuruar edhe më shumë këtë festë. Interesante ishte se për fishekzjarret që do hidheshin për atë ditë bashkia do organizonte një tender për lëndë plasëse. Fituesi i tenderit te fishekzjarreve midis ofertuesve ishte Qazim Neki, i biri i patriotit Doktor Neki Libohova. Ai garoi përballë Rexhep Kondit dhe Hajdar Ferrës duke dhënë ofertën më të ulët me një çmim prej 260 franga ari të cilat përfshinin 200 copë fisheke të thjeshtë; 30 batarie, 30 copë çarfelek, 100 copë banfale, 120 bomba me një krisme, 50 bomba me dy krisma, 30 bomba me katër krisma, 20 bomba me 8 krisma dhe 15 bomba me 200 krisma. (Fotot Ilustruese)

                                           PROGRAMI 
                                                I 
                       Kremtimit të ditës 28 Nanduer 1938
  1. Më 27 Nanduer mbas dite gjith qyteti i Durrësit do të jetë i stolisun me gjelbërime, Flamure të pregatituna prej qytetarvet në të gjithë banesat e tyne, magaze e dyqane e tjera dhe prej Bashkis në vendet e caktueme.
  2. Në orën 16,30 i gjithë qyteti do të ndriçohet.
  3. Në orën 18 banda e Bashkis zhvillon nji proram muzikal në vendin e caktuem te sheshi i Liris, e në kët kohë hudhen fyshek zjarri
    Dita 27 Nanduer
  4. Më 28 Nanduer ora 7 të mëngjezit banda e Bashkis shëtit rrugat e qytetit tue lujtë pjesa muzikale të zgjedhuna. Po në kët orë këndojnë në për Xhamijat Mezinat, bijen kombanat e Kishave dhe fishkëllojnë syrenat e fabrikave, vaporeve, cinemave, dhe të barkave.
  5. Në orën 8 fillojnë lutjet fetare në Faltoret e tri besimeve me pjesmarrjen e të gjithë autoriteteve dhe të popollit tue vazhdue simbas rradhës së zakonshme deri në ora 9.
  6. Në orën 9 banda e bashkis zen vëndin në sheshin e Liris e rreth e qark të ciles rreshtohen djemt e vajzat e shkollave. Autoritetet civile e ushtarake, Shoqnija Gruja Shqiptare qendrojnë para Pallatit të Bashkis. Në këtë kohë mbahet fjalimi i rastit tue u këndue edhe disa vjersha prej vajzavet e djemve të shkollave dhe në përfundim luhet HYMNI I N.M.T MBRETITT dhe ay i FLAMURIT. Mbas kësaj cerëmonije priten urime në Prekturë dhe në Bashki, deri n’orën 11. Prej orës 11 e deri në orën 12 priten urimet e Trupit Konsullor.
  7. Kah ore 10 do të kalojnë nëpër qytet grupi çiklistik qi ban vrapin Tiranë-Vlonë. Të parit qi do t’arijë në Durrës, Bashkija ka me i dhurue nji çmim.
  8. Në orën 14 do të zhvillohet ndeshja me randësi Foot-Bolli, midis skuadrës të formuem në Durrës dhe asaj të qytetit Dobrovnik të Jugosllavis.
  9. Në orën 16,30 i gjith qyteti do të ndriçohet.
  10. Në orën 18 Shoqnija Jasht Shkollore, djelmt e shkollavet të klasave të fundit dhe populli me banden e Bashkis ne krye bajnë nji manifestim gëzimi tue shëtit këto rruga të qyteit: Ali Pash Tepelena, Xhemal Pash Zogu, Bulavardi Ismail Qemali, Nana Mbretnesha e sheshi i Liris.
  11. Ma ne fund në sheshin e Liris zën vënd banda e Bashkis tue luejt pjesa muzikore të zgjedhuna dhe koh mbas kohe do të hidhen fishek zjarrmë nën drejtimin e organeve bashkijake. Në kët mënyrë midis manifestmeve gëzimi vazhdon Festimi i kësaj dite historike deri në mes nate.

V.O.
Gjat ditës 28 Nanduer i gjith tregu do të jetë i mbyllun, me përjashtim të kafevet, pijetorevet hotelevet restaurantavet dhe furravet të cilat do të qindrojnë të mbylluna vetëm deri në mes dite.
Gjindarmerija Qytetse dhe policija e Bashkis ngarkohen me zbatimin, e këtij programi Kryetar’ i Bashkis.