Gazetari dhe publicisti nga Kosova Baton Haxhiu ishte i ftuar në Forumet UET nën moderimin e pedagoges Belina Budini, ku analizoi politikën në Shqipëri dhe në Kosovë dhe komentoi sjelljet politike të liderve kryesorë politikë.

Edi Rama është një autoritet intelektual në gjithë Botën Shqiptare, ndërsa Basha nuk është opozitari që krijon shpresë për të ardhur në pushtet. Sali Berisha po lufton për partinë duke vrarë historinë e vet politike. Argita Berisha është më e mira për në PD, por e pengon i vëllai duke u shfaqur në jetën e luksit me Arminën.

Pak a shumë ky ishte profilizimi që gazetari nga Kosova Baton Haxhiu u bëri liderve politikë shqiptarë gjatë një bisede të hapur me studentë dhe pedagogë të UET-it gjatë ForumeveUET të mërkurën në mbrëmje.

Për Sali Berishën ai mendon se po e banalizon historinë e tij me ‘fejzbukizmin”, ndërsa problemi më i madh për Berishën dhe për gjithë familjen e ish-kryeministrit, për Haxhiun, është sjellja e të birit, Shkëlzenit dhe të dashurës së tij modele, Armina Mevlani.

Duke shfaqur një jetë luksi në rrjetet sociale, sipas tij, ai po demonizon të atin dhe po pengon dhe motrën, Argitën, që të hyjë në politikë.

”Nuk mund t’ia bësh babës që ka bërë diçka për shqipërinë në mënyrë më të vrazhdë  të mundshme me asi referencash kulturore njeriut që është munduar ta moralizojë çdo situatë në Shqipëri dhe afër në shtëpinë e tij ka një diçka që çdo ditë ia nxin jetën.

Kjo është e padurueshme. Prandaj goditet Argita, e cila është një nga njerëzit ëm të zgjuar që njoh unë, me me karakter të fortë dhe më stabile, por si duket ajo nuk e ka guximin të hyjë në politikë për shkak të asaj që ka bërë vllai i saj ose që i bën çdo ditë.

Kujt i intereson darkat dhe veshjet dhe ku janë ato lekë që për çdo ditë të atij njeriu me të dashurën e tij në çdo cep të botës? Po mbase kjo nuk është një shfaqje e mirë për njerëzit të cilët kanë paguar taksa dhe kanë pasur bindjen se doktori është i pakorruptuar.

Shkëlzeni dhe Armina e demonizojnë në mënyrë më të vrazhdë me prirjet sociale njeriun që ka kontribuar në histori dhe në politikë në Shqipëri. Kjo është për të ardhur keq. Unë po flas për të keqen e dukjes se për të keqen e mosdukjes le të merret prokuroria”.