Arkeologu i mirënjohur Fatos Tartari flet për indiferencën që tregojnë në ditët e sotme institucionet e specializuara dhe ato të pushtetit lokal ndaj arkeologjisë në qytetin bregdetar. “Pushteti lokal ka hequr dorë nga mbështetja financiare ndaj arkeologjisë, duke e lënë këtë të fundit krejtësisht në dorë të Ministrisë së Kulturës, IMK-së dhe projekteve të huaja”. Sipas Tartarit, në shumë zona nuk duhet të ishin lejuar ndërtimet shumëkatëshe, për vetë specifikën që ka nëntoka e Durrësit, ndërkohë që gërmimet duhet të mbikëqyreshin rreptësisht nga punonjësit e institutit të monumenteve.
Nëntoka e Durrësit është muze dhe si e tillë duhet të ishte trajtuar gjatë 20 viteve të fundit. Këtë shprehje, arkeologu i njohur durrsak, Fatos Tartari, nuk harron të ma kujtojë, ndërsa shpreh indinjatën e tij për keqadministrimin dhe keqpërdorimin që i është bërë nëntokës së qytetit antik, ku ende vazhdojnë të ruhen të gjalla gjurmë të lashtësisë, të cilat shpeshherë gjatë gërmimeve të viteve të fundit kanë dalë në dritë e më pas në rastin më të mirë janë mbuluar sërish, ndërsa në rastin më të keq nuk dihet gjë për fatin e tyre. Në një kohë kur nënvizon se para viteve '90, Durrësi numëronte 30 monumente kulture të ruajtura nga shteti, Tartari shprehet me keqardhje për indiferencën që tregojnë shpeshherë në ditët e sotme institucionet e specializuara dhe ato të pushtetit lokal ndaj arkeologjisë në qytetin bregdetar. Sipas Tartarit, Durrësit dhe pasurive të tij mjaft të çmuara arkeologjike i është kushtuar një vëmendje e veçantë gjatë sistemit komunist.
Ai kujton se në vitet '70, qyteti ishte kthyer në një kantier arkeologjik dhe në ato vite janë zbuluar e kanë parë dritën e diellit, disa nga zbulimet arkeologjike më të rëndësishme me të cilat qyteti vazhdon të krenohet edhe sot. Ndërsa rrëfen se në ato vite, në bazë të të dhënave zyrtare, qyteti vizitohej nga rreth 50-60 mijë turistë, guida turistike zgjaste deri 18-20 orë në ditë, pasi vizitorët dërgoheshin për të parë e për t'u njohur me të gjitha sitet arkeologjike dhe monumentet me të cilat qyteti është mjaft i pasur. Krahas ciceronëve që punonin pranë monumenteve të kulturës, shpeshherë grupet e huaja shoqëroheshin edhe nga arkeologët durrsakë apo punonjësit shkencorë, të cilët jepnin informacione më të detajuara rreth monumenteve të lashtësisë duke shuar kureshtjen e të huajve dhe duke i bërë guidat turistike edhe më tërheqëse. Po ndërsa në ditët tona, qyteti vizitohet nga shumë më tepër turistë të huaj, vëmendja që i kushtohet arkeologjisë ka ardhur duke u zbehur. Sipas Tartarit, pushteti lokal ka hequr krejtësisht dorë nga mbështetja financiare ndaj arkeologjisë, duke e lënë këtë të fundit krejtësisht në dorë të Ministrisë së Kulturës, IMK-së dhe projekteve të huaja.
Kjo indiferencë sipas tij ka ushqyer oreksin e "qendrës" (Tiranës), që kërkon të atrofizojë arkeologjinë e Durrësit. Këtë Tartari e shpjegon se faktin se nëse vite më parë arkeologët paguheshin nga pushteti lokal, tashmë gjithçka i ka kaluar drejtorive të ngritura pranë Ministrisë së Kulturës, ndërsa numri i punonjësve të Drejtorisë rajonale të Kulturës Kombëtare është reduktuar ndjeshëm duke mos garantuar as mbrojtjen e monumenteve dhe as restaurimin e tyre në rastet kur ka nevojë për riparime. Gjithashtu ai përmend tendencën që ka ekzistuar gjithnjë për të çuar drejt kryeqytetit objekte antike të zbuluara në Durrës, për të pasuruar muzetë e metropolit shqiptar.
Nga ana tjetër pushteti lokal me betonizimin që i ka bërë qytetit dhe lejet për pallate shumëkatëshe edhe në zona, ku nuk duhej aspak të përdoreshin batipalët dhe gërmimet me mjete të rënda i ka vënë vulën shkatërrimit të arkeologjisë durrsake. Sipas Tartarit, në shumë zona nuk duhet të ishin lejuar ndërtimet shumëkatëshe, për vetë specifikën që ka nëntoka e Durrësit, ndërkohë që gërmimet duhet të mbikëqyreshin rreptësisht nga punonjësit e institutit të monumenteve. Përsa kohë një kriter i tillë është shkelur me të dyja këmbët (gërmimet shpeshherë bëhen natën ose në ditët e pushimit) masakra që i është bërë nëntokës është mjaft e madhe.
Edhe në rastet kur, vitet e fundit, gjatë gërmimeve janë zbuluar objekte antike, mozaikë, apo rrënojat e godinave të lashta sipas arkeologut të njohur, punonjësit vendorë të monumenteve nuk janë përfshirë në grupet e punës, që kanë mbikëqyrur procesin e nxjerrjes së këtyre objekteve dhe inventarizimin e tyre, duke ngritur kështu dyshime për faktin se ku kanë përfunduar zbulimet e gjetura.
Tartari kujton se fondi i muzeut arkeologjik të Durrësit përbëhet nga objektet që janë gjetur në rrethinat e qytetit dhe shumë prej tyre janë sjellë nga vetë qytetarët. Ndërsa vite më parë ishte arritur të edukohej ndërgjegjja qytetare, qytetari ishte bërë i përgjegjshëm për rëndësinë që kishin objektet e nëntokës e për këtë kontaktonte gjithnjë me arkeologët sa herë ndeshej në objekte të tilla, tashmë kjo është një praktikë e harruar. E kjo sipas arkeologut durrsak është një fatkeqësi më vete.
"Nëse në popull nuk ekziston vullneti i mirë për të ruajtur dhe mbrojtur trashëgiminë e përbashkët kulturore dhe nëse autoritetet përkatëse vazhdojnë t'i mbajnë sytë mbyllur ndaj abuzimit që po bëhet me arkeologjinë atëherë në çdo moment ajo është e ekspozuar ndaj dëmtimit, shkatërrimit apo vjedhjes, siç ka ndodhur jo pak herë në këto vite,- thotë Tartari. Tani sipas tij edhe në rastet kur qytetarët zbulojnë rastësisht objekte antike priren ose t'i mbajnë vetë ose t'i shesin në treg të zi, për të nxjerrë pak fitime, duke harruar se ato në rradhë të parë janë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë së përbashkët e si të tilla duhet të ruhen e dokumentohen për të dëshmuar etapat kohore nëpër të cilat ka kaluar historia e zhvillimit ekonomik, urban e kulturor e qytetit tonë.
Mozaikët, sa janë të vizitueshëm?
Krahas monumenteve antike si amfiteatri, muret rrethuese, forumi rrethor, termat romake, Torra veneciane etj, një pasuri mjaft e rëndësishme arkeologjike janë dhe mozaikët e zbuluar 100 vitet e fundit në Durrës. Por sa janë të vizitueshëm këto mozaikë? Pak, shumë pak. Nëse do të ndaleshim të bënim historikun e tyre do të kuptonim se në Durrës janë zbuluar shumë mozaikë, të formave e përmasave të ndryshme gjë që tregon se qyteti kishte arritur një zhvillim mjaft të madh ekonomik në kohët antike. “Bukuroshja e Durrësit”, mozaiku me Kalë Deti, mozaiku paretial që ndodhet në amfiteatër, ai i Rozetës apo mozaiku i Bazilikës së Arapajt, janë vetëm disa nga veprat më të shquara, që i japin një dimension mjaft të rëndësishëm antikitetit dhe mesjetës në qytetin bregdetar.
Por nga të gjithë këta mozaikë, që përbëjnë një pjesë të atyre që janë zbuluar në nëntokën durrsake, vetëm mozaiku mural i amfiteatrit (i vetmi i këtij lloji në vendin tonë) është i vizitueshëm. "Bukuroshja e Durrësit", mozaiku më i famshëm në vendin tonë është transferuar në Tiranë, në Muzeun Historik Kombëtar. Ndërsa mozaikët e tjerë e kanë parë dritën e diellit vetëm për pak kohë, për t'iu kthyer sërish nëntokës, e cila ndoshta siguron një mbrojtje më afatgjatë për to. Mozaiku bardh e zi i Hipokamit, ai i Rozetës (i zbuluar vetëm pak vite më parë gjatë gërmimeve të një pallati shumëkatësh), apo ai i Bazilikës së Arapajt janë mbuluar sepse në pamundësi të investimeve shtetërore për t'i kthyer vendet ku ato u zbuluan në ambiente të vizitueshme, arkeologët shohin si mënyrën më të mirë të ruajtjes së tyre mbulimin e tyre në pritje të kohëve më të përshtatshme.
Sipas arkeologut Fatos Tartari, në rastet kur vendet ku zbulohen mozaikët nuk mund të kthehen në të vizitueshme, një mënyrë tjetër e ekspozimit të mozaikut, është shkulja e tij nga vendi me anë të punonjësve të specializuar dhe sistemimi i tij më pas në muzetë përkatës. Kjo praktikë është zbatuar vetëm me mozaikun e "Bukuroshes së Durrësit", ndërsa për të tjerët është parë i arsyeshëm rimbulimi i tyre. Për Tartarin kjo nuk është aspak zgjidhja më e mirë, pasi në këtë rast turistët dhe vizitorët privohen nga njohja me këto monumente që përbëjnë etapa të rëndësishme historike në zhvillimin e qytetit. Por mbulimin e mozaikëve duhet ta shohim edhe si një mënyrë për ruajtjen e tyre. Kështu, mozaiku i amfiteatrit, megjithëse është i vizitueshëm, ndodhet në kushte të mjerueshme.
Lagështira dhe myku po e dëmtojnë mozaikun e kishëzës së amfiteatrit dhe duket se institucionet përgjegjëse po qëndrojnë indiferente duke mos ndërmarrë asnjë masë për të parandaluar dëmtimin e tij të mëtejshëm nga agjentët atmosferikë. Po ndërsa lagështia dhe myku rrezikojnë ta dëmtojnë përgjithmonë këtë mozaik, një fat tjetër ka pasur mozaiku bardh e zi i shkollës "Hajdar Dushi", që siç tregon arkeologu Tartari u zhduk në vitin 1993, pasi u dëmtua vazhdimisht nga banorët e vendosur në atë zonë pas viteve '90. Në të gjitha vendet e zhvilluara, monumentet e kulturës trajtohen gjithnjë me vëmendje maksimale dhe shteti ka investuar dhe vazhdon të investojë për t'i restauruar dhe promovuar këto vlera unike të trashëgimisë kulturore të njerëzimit.
Mjafton të përmendim këtu rastin e Greqisë, ku shteti helen, me gjithë vështirësitë e mëdha ekonomike me të cilat po përballet nuk ka pranuar deri tani asnjë nga propozimet për të nxjerrë në shitje disa nga monumentet më të rëndësishme, të trashëguara që nga kohët antike. E kundërta ka ndodhur tek ne, ku nuk janë të pakta rastet, kur disa nga monumentet më të rëndësishme të lashtësisë ose mesjetës janë dhënë me qira tek privatët, që me ndërhyrjet pa kriter të realizuara në to i kanë gati tjetërsuar apo betonizuar kalatë e vjetra si ato të Petrelës, Lëkurësit etj.