Disa nga sektorët kryesorë të ekonomisë shqiptare, sidomos në qytetet e mëdha po dominohen nga punonjësit e huaj. Sipas agjencive të punësimit, në Durrës në sektorë si turizmi, ndërtimi etj, në 5 vitet e fundit është rritur ndjeshëm numri i punonjësve të huaj në sipërmarrjet private.

“Në fillim të këtij 5-vjeçari rekrutoheshin më shumë punonjës me aftësi të përgjithshme si sanitare etj. Tashmë rekrutohen ekspertë. Për një hotel rekrutohen nga sanitarja deri tek CEO i hotelit. Dominojnë më shumë shtetasit filipinas, indianë dhe ata nga Egjipti. Filipinasit janë përshtatur më shumë në hoteleri-turizëm, indianët janë të përshtatur në fabrika, ndërsa egjiptianët tek ndërtimi”,- bën të ditur për “DurrësLajm” agjentja e punësimit, Suzana Aga.

Në ndryshim nga vitet e para kur nisën të regjistroheshin flukset e punonjësve të huaj, që plotësonin kërkesat e tregut të punës për fuqi punëtore, kryesisht në profesione që nuk preferoheshin nga vendasit, tashmë trendi ka ndryshuar. Emigrimi i trurit, ka bërë që shtetasit e huaj të kërkohen edhe në pozicione pune si juristë, ekonomistë etj.

“Ne për fat të keq kemi hyrë në fazën që rekrutojmë edhe administratë. Kemi rekrutuar financierë, juristë e deri mësues. Duket pak e pamundur, ama është e vërtetë”,- thotë Aga.

Por a paguhen më shumë profesionistët shqiptarë apo ata të huaj?

“Profesionistët vijnë me pagë më të ulët sesa shqiptarët, por duke përfshirë dhe kostot  etjera si akomodimi, dokumentacioni etj kjo vlerë shkon e njëjtë me një punonjës shqiptar. Pra paga nuk përbën fare diferencë”.

Me ritmet e zhvillimit që po ecën ekonomia shqiptare, sidomos në sektorë të rëndësishëm si turizmi, ndërtimi etj, nuk pritet të jetë e largët dita që stafet të përbëhen vetëm nga shtetas të huaj. Sipas  agjencive të punësimit, nevojitet ndërhyrje shtetërore për të rikthyer shqiptarët e larguar në emigrim, në të kundërt, prania e të huajve në vendin tonë do të vijojë vetëm në trendin rritës.

“Tashmë duket qartë se turizmi do dominohet kryesisht nga të huajt, ndërtimi po ashtu dhe fabrikat. Unë mendoj se duhen ndërmarrë disa masa që të bëhet e mundur rikthimi i diasporës. Duhen disa politika sociale, që të rinjtë shqiptarë që janë andej të rikthehen në Shqipëri. Nëse ne ecim me këto ritme pothuajse në çdo sektor do të kemi zëvendësim të shqiptarëve me punonjës të huaj”,– përfundon Aga.

M.B.