Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore kanë blerë miliona kamera vëzhgimi të prodhuara nga Kina gjatë pesë vjetëve të fundit, pavarësisht dobësive të sigurisë së pajisjeve dhe lidhjeve me shtetin kinez, tregon një studim i Radios Evropa e Lirë në nëntë vende.

Raportimi i shërbimit qendror të REL-it zbuloi përdorimin në rritje të kamerave të prodhuara nga Kina në vendet që janë ose anëtare të BE-së dhe NATO-s ose që aspirojnë të anëtarësohen, duke përfshirë Kosovën, dhe ku qeveritë e ndërgjegjshme për buxhetin, po kthehen gjithnjë e më shumë drejt kompanive kineze të përballueshme.

Të dhëna publike në baza kombëtare lidhur me kamerat e vëzhgimit, nuk ekzistojnë për shumicën e vendeve.

Mirëpo, të dhënat e grumbulluara nga REL-i tregojnë se Dahua dhe Hikvision – dy kompani kineze pjesërisht shtetërore që janë ndër ofruesit kryesorë në botë të sistemeve të mbikëqyrjes – dominojnë tregjet në Hungari, Serbi, Rumani, Moldavi, Ukrainë, Bosnje e Hercegovinë, Kosovë, Bullgari dhe Gjeorgji.

“Dallimi më i madh midis këtyre [firmave kineze] dhe të tjerave është se kompanitë e tjera nuk kanë një katalog kaq të gjerë të dobësive për t’u shfrytëzuar”, tha për Radion Evropa e Lirë Conor Healy, drejtor i kërkimit qeveritar në IPVM, një firmë kërkimore e industrisë së mbikëqyrjes.

“Në thelb, siguria ka të bëjë me planifikimin e kërcënimeve të mundshme dhe qeveritë dhe organizatat e sigurisë kombëtare duhet të përqendrohen në këtë”.

Raportimi i Radios Evropa e Lirë tregon se, pavarësisht nga rritja e vetëdijes në kryeqytetet perëndimore për një varësi të tepruar në teknologjinë kineze për infrastruktura kritike, kamerat Dahua dhe Hikvision janë në përdorim edhe në vende të ndjeshme, duke përfshirë bazat ushtarake në Rumani dhe selitë speciale të policisë në Hungari, të cilat ekspertët thonë se i ekspozojnë ato ndaj hakerëve dhe kundërshtarëve të huaj.

Përderisa vende si Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Australia i kanë futur në listën e zezë të dy firmat, një ndalim i tillë nuk ekziston në Evropë.

Por, mes një vizite historike evropiane nga lideri kinez Xi Jinping që filloi më 5 maj, një mori skandalesh spiunazhi kinez në të gjithë kontinentin dhe një goditjeje nga BE-ja ndaj praktikave tregtare kineze, fuqia në rritje e këtyre kompanive në Evropë mund të shënojë një pikë kthese.

“Ne kemi parë që biseda të evoluojë me kalimin e kohës në vende si Shtetet e Bashkuara dhe të çojë në një ndalim, por është ende e paqartë se cilën rrugë do të ndjekin vendet evropiane,” shtoi Healy.

Hungaria
Nuk ka shifra zyrtare për numrin e kamerave të vëzhgimit të prodhuara në Kinë të blera nga Hungaria apo shtrirjen e përdorimit të teknologjisë kineze të njohjes së fytyrës atje.

Por, sipas Shodan, një softuer kërkimi për pajisjet e lidhura me internetin, ka 3.567 pajisje Dahua dhe 18.166 Hikvision që operojnë në vend.

Sipas faqes hungareze të lajmeve, Atlatszo, policia e Hungarisë nënshkroi kontratat e para me Dahuan në vitin 2017, duke nënshkruar marrëveshje për rojet kufitare të vendit dhe sistemin administrativ të policisë për të përdorur kamerat dhe softuerin e kompanisë.

Të dhënat e përpiluara nga Sistemi Elektrik i Prokurimit Publik të Hungarisë tregojnë se disa universitete dhe Akademia e Shkencave, kanë blerë produkte Hikvision.

Disa administrata lokale, si dhe policia e trazirave të Hungarisë përdorin gjithashtu kamerat e vëzhgimit të kompanisë kineze.

Megjithatë, në disa raste, përdorimi i produkteve kineze është ndaluar.

Në një rast në vitin 2023, prodhuesi gjerman i armëve Rheinmetall bllokoi përdorimin e kamerave kineze në fabrikën e tij në Hungarinë perëndimore.

Megjithatë, përdorimi i pajisjeve duket se do të rritet, veçanërisht pasi lidhjet midis Budapestit dhe Pekinit thellohen nën kryeministrin hungarez, Viktor Orban.

Në shkurt, Hungaria nënshkroi një marrëveshje sigurie me Kinën për të rritur bashkëpunimin midis agjencive të tyre të zbatimit të ligjit. Marrëveshja mund të çojë në patrullim të policisë kineze në pjesët më të qarkulluara të Budapestit, ku jeton diaspora më e madhe kineze në Evropën Qendrore.

Është e paqartë se si do të ndahen të dhënat dhe qasja në kamera midis zyrtarëve hungarezë dhe kinezë, por kjo situatë ka ngritur zile alarmi në Bruksel dhe në mesin e aktivistëve kinezë jashtë shtetit.

Ukrainë
Qindra mijëra kamera Dahua dhe Hikvision janë instaluar në të gjithë Ukrainën, sipas të dhënave të përpiluara nga baza e të dhënave të industrisë ImportGenius dhe të siguruara nga Radio Evropa e Lirë.

Organet e rendit në Ukrainë dhe kompanitë private kanë blerë një numër të madh të kamerave të vëzhgimit të prodhuara nga Kina.

Sipas ImportGenius, kompania ukrainase “Shtëpia tregtare e sistemeve të vëzhgimit me kamerë” është blerësi më i madh i kamerave Dahua dhe pajisjeve të tjera.

Të dhënat tregojnë se kompania ukrainase bleu më shumë se 1 milion pajisje të mbikëqyrjes me video – e cila përfshin kamera vëzhgimi, pajisje termike të imazhit dhe pajisje të tjera me kamera – nga viti 2016 deri në 2023.
Shifrat e ImportGenius tregojnë, gjithashtu, se një grup kompanish ukrainase që punojnë drejtpërdrejt me Hikvision kanë importuar një numër të ngjashëm pajisjesh vëzhgimi gjatë së njëjtës periudhë.

Por, shqetësime mbi sigurinë janë ngritur për kamerat Dahua dhe Hikvision.

Në janar, Shërbimi i Sigurisë Shtetërore të Ukrainës (SBU) pretendoi se inteligjenca ruse hakoi dy kamera vëzhgimi në Kiev përpara një sulmi raketor rus në kryeqytetin ukrainas që vrau të paktën tre persona.

Një zyrtar ukrainas i zbatimit të ligjit, i cili kërkoi të mbetej anonim për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, tha për Schemes, ekipi hulumtues i Shërbimit Ukrainas të Radios Evropa e Lirë, se një nga kamerat ishte e Hikvision dhe ishte instaluar në vitin 2016.

Moldavia
Moldavia ka blerë mijëra kamera kineze vëzhgimi për policinë, ushtrinë dhe shërbimin e saj diplomatik në pesë vjetët e fundit, sipas të dhënave të prokurimit publik, por numri i saktë mbetet i paqartë.

Vendi nuk ka një bazë të dhënash publike për numrin e kamerave të vëzhgimit që operojnë brenda vendit.

Mirëpo, shifrat nga Shodan listojnë 15.133 kamera Hikvision dhe 4.177 kamera Dahua.

Portali i prokurimeve publike të Moldavisë, achizitii.md, tregon se më shumë se 7210 kamera Dahua dhe Hikvision janë blerë mes viteve 2018 dhe 2023.

Ndër blerësit kryesorë ishin organet e sigurisë, si policia dhe Regjimenti i Aviacionit “Decebal” në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe Ministria e Punës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Banka Kombëtare.

Kamerat e prodhimit kinez kanë hyrë edhe në sistemin e transportit publik në kryeqytetin Kishinau, të pajisur me kamera Dahua.

Administrata Kombëtare e Burgjeve gjithashtu ka blerë dhe instaluar më shumë se 800 kamera kineze në ambientet e saj mes viteve 2018 dhe 2023.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Moldavisë, po ashtu, bleu 2.300 kamera vëzhgimi pas zgjedhjeve parlamentare të vendit më 2019. Të dhënat e prokurimit tregojnë se ato janë blerë nga një kompani e quajtur Rapid Link, një distributor i autorizuar i Hikvision.

Serbia
Shifrat e doganës serbe nuk specifikojnë importin e kamerave vëzhguese të prodhimit kinez, por të dhënat gjatë pesë vjetëve të fundit tregojnë një rritje të vazhdueshme të numrit të kamerave të blera gjatë asaj kohe.

Vetëm në vitin 2023, Beogradi shpenzoi rreth 5.8 milionë dollarë për blerjen e kamerave.

Shumica e kamerave në Serbi blihen nga kompani private, të cilat më pas ua shesin pushteteve vendore.

Sipas një hulumtimi të REL-it të vitit 2023, më shumë se 40 komuna dhe qytete në Serbi – pothuajse një e treta e të gjitha qeverive lokale atje – kanë sisteme publike të mbikëqyrjes me video dhe monitorimit të trafikut, të blera nga Dahua, Hikvision ose një prodhues tjetër kinez .

Ky zgjerim u zhvillua gjatë pesë vjetëve të fundit me një kosto prej rreth 32 milionë dollarësh.

Pajisjet iu shitën këtyre komunave nga Macchina Security, një firmë e errët me bazë në Beograd që importon teknologji kineze në vendin ballkanik dhe ka fituar kontrata gjatë disa viteve të fundit.

Sipas dokumenteve të siguruara nga Radio Evropa e Lirë, Qeveria serbe ka blerë 15 lloje të ndryshme kamerash nga prodhuesit në Poloni, Australi, Shtetet e Bashkuara, Itali, Sllovaki, Hungari dhe një kompani vendase serbe.

Por, komunat serbe anembanë vendit duket se kanë blerë më shumë kamera nga Dahua në krahasim me kompanitë e tjera.

Sipas dokumenteve të marra në bazë të kërkesave nga Radio Evropa e Lirë, 10 nga 42 komunat dhe qytetet e anketuara blenë kamera me teknologji të njohjes së fytyrës.

Serbia ka instaluar më shumë se 1.000 kamera vëzhgimi me aftësi për njohjen e fytyrës të prodhuara nga Huawei i Kinës në vitet e fundit.

Kjo ishte e diskutueshme në Beograd pasi Serbia nuk ka ligje të duhura për privatësinë e të dhënave për të përpunuar informacionin biometrik të marrë nga regjistrimet e fytyrës.

Një hulumtim i vitit 2022 i REL-it zbuloi se si zyrtarët serbë tashmë po përdorin teknologjinë kineze për të gjurmuar dhe shënjestruar aktivistët dhe protestuesit, duke ngritur shqetësime se pajisjet më të avancuara të vëzhgimit të prodhuara nga Kina mund të abuzohen.

Bosnja dhe Hercegovina
Bosnja dhe Hercegovina, ku pushteti ndahet në njësi kombëtare dhe disa entitete të nivelit më të ulët, nuk ka një bazë të dhënash mbarëkombëtare.

Mirëpo, të dhënat nga ministritë lokale, qytetet dhe bashkitë tregojnë rritjen e përdorimit të kamerave të vëzhgimit vitet e fundit.

Sipas të dhënave të Administratës për Tatimet Indirekte të Bosnjë e Hercegovinës, importi i pajisjeve regjistruese nga Kina është rritur në pesë vjetët e fundit.

Të dhënat e prokurimit shtetëror tregojnë një rritje të importeve nga 3.4 milionë dollarë më 2018 në 5.4 milionë dollarë më 2023.

Ministria e Brendshme e Republikës Sërpska, entiteti me mbizotërim etnik serb i tha Radios Evropa e Lirë se vetëm në vitin 2023, 139 kamera nga Dahua u blenë për një total prej 47.000 dollarësh.

Banjalluka, kryeqyteti i njësisë ekonomike, është gjithashtu shtëpia e një projekti të qytetit të mençur që ka instaluar tashmë 265 nga 325 kamerat Dahua që kishte planifikuar.

Në Federatën kryesisht boshnjake dhe kroate të Bosnjë dhe Hercegovinës, e cila përbëhet nga 10 qeveri kantonale, të dhënat janë të shpërndara dhe jo shumë të qarta.

Ministria e Brendshme e Kantonit 10, i tha Radios Evropa e Lirë se kishte blerë vetëm tri kamera Hikvision në vitin 2023.

Organe të tjera qeveritare, si Ministria e Brendshme e Kantonit të Bosnje-Podrinjës, thanë se nuk kanë informacione për vendin e origjinës për blerjet.

Ministria e Brendshme në Sarajevë tha se në pesë vjetët e fundit ka blerë vetëm dy kamera nga prodhuesit kinezë pa thënë se nga cila kompani i ka blerë ato.

Ajo theksoi se Policia e Sarajevës, në përputhje me ligjin, mund të ketë qasje në kamerat që janë instaluar në hapësira publike nga institucionet e tjera qeveritare.

Policia kufitare e Bosnjës i tha Radios Evropa e Lirë se nuk ka blerë asnjë pajisje kineze.

Kosova
Ashtu si në shumë vende të tjera, të dhënat e doganave kosovare nuk bëjnë dallim ndërmjet kompanive të ndryshme dhe llojit të kamerave të importuara.

Por, kamerat e vëzhgimit janë në përdorim të gjerë në kryeqytet, Prishtinë.

Radio Evropa e Lirë ka raportuar për kamera të shumta Dahua dhe Hikvision të instaluara në sheshet e kryeqytetit, si dhe në ndërtesat qeveritare, duke përfshirë Zyrën e Prokurorit të Shtetit, Ministrinë e Tregtisë dhe Ministrinë e Shëndetësisë. Zyrtarët kosovarë kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se kamerat në ndërtesat qeveritare janë blerë në vitin 2020 dhe 2021.

Tutje, autoritetet paralele në rajonet me shumicë serbe në Kosovë kanë nënshkruar marrëveshje për importimin e pajisjeve Dahua dhe Hikvision nga Serbia.

Transaksionet ishin jashtë kontrollit të autoriteteve të Kosovës dhe një hulumtim i Radios Evropa e Lirë nga viti 2022 zbuloi se dhjetëra mijëra dollarë pajisje vëzhgimi Dahua ishin blerë për shkolla kryesisht serbe në Kosovën juglindore.

Dokumentet treguan se Zyra e Qeverisë serbe për Kosovën ka siguruar financimin.

Rumania
Nuk ka asnjë bazë të dhënash qendrore në Rumani, por sondazhet e industrisë dhe portalet e prokurimeve publike tregojnë se përdorimi i kamerave të vëzhgimit të prodhuara nga Kina po zgjerohet.

Disa, madje, janë instaluar në vende të ndjeshme sigurie.

Sipas një raporti global të industrisë së mbikëqyrjes nga viti 2021, kishte 189.452 kamera Dahua dhe Hikvision aktive në Rumani, e teta me numrin më të lartë në botë.

Një hulumtim i fundit i Radios Evropa e Lirë zbuloi gjithashtu se pajisjet e mbikëqyrjes të prodhuara nga Hikvision dhe Dahua përdoren në të paktën 28 objekte ushtarake në vend.

Pajisjet përdoren edhe nga qindra institucione të tjera publike të përfshira në sigurinë kombëtare.

Radio Evropa e Lirë zbuloi, gjithashtu, se kamerat Hikvision po përdoreshin në një bazë ushtarake në Deveselu, e cila është shtëpia e sistemit të mbrojtjes raketore të NATO-s, Aegis Ashore me bazë tokësore.

Zyrtarët rumunë kanë mbrojtur përdorimin e kamerave të prodhuara në Kinë, duke thënë se ato përfshihen në parametrat e prokurimit të qeverisë për pajisjet e reja dhe se të gjitha kamerat mbahen jashtë linje për të parandaluar disa nga rreziqet e sigurisë që gjenden në teknologjinë Dahua dhe Hikvision.

Ekspertët, megjithatë, i thanë Radios Evropa e Lirë se hakerët më të avancuar mund të kenë qasje dhe se ka pasur shembuj të kohëve të fundit të grupeve të hakerëve që kanë qasje në sistemet e mbyllura të kamerave duke hakuar sistemin operativ të një kompjuteri në internet dhe më pas duke qenë në gjendje të depërtojnë në rrjetet offline.

Bullgaria
Përderisa kamerat Dahua dhe Hikvision mund të shihen rreth kryeqytetit, Sofje, dhe në ndërtesat qeveritare, Qeveria bullgare nuk ka publikuar shifra mbi numrin e kamerave që i ka në përdorim dhe nuk iu përgjigj kërkesave të Radios Evropa e Lirë për koment.

Prokurimi më i madh publik për pajisjet përqendrohet rreth një kontrate të vitit 2018 me një konsorcium kompanish për të blerë kamera Hikvision dhe teknologji të ngjashme për 45 milionë dollarë, me synimin për të instaluar gjithsej 4.300 kamera në autobusë, tramvaje dhe mjete të tjera transporti publik në Sofje.

Sistemi i mbikëqyrjes në sistemin e transportit publik u lansua në vitin 2020.

Ai u përball me kundërshtime publike nga aktivistët e privatësisë në vitin 2023 për shkak të shqetësimeve se burimet e kamerës mund të ishin të qasshme për grupet e krimit të organizuar ose hakerët.

Gjeorgjia
Gati 80 për qind e kamerave të instaluara në Gjeorgji vijnë nga Hikvision dhe Dahua, sipas një analize të Shërbimit Gjeorgjian të Radios Evropa e Lirë bazuar në të dhënat doganore dhe shifrat e prokurimit.

Është e vështirë të përcaktohet numri i saktë i kamerave kineze në Gjeorgji.

Të dhënat e disponueshme doganore për të gjitha importet e kamerave tregojnë një rritje dramatike gjatë pesë vjetëve të fundit.

Vetëm në vitin 2023, Gjeorgjia bleu më shumë se 10.000 kamera, krahasuar me më pak se 1.000 njësi më 2020.Një pjesë e madhe e këtyre importeve duket se janë blerë nga organet gjeorgjiane të rendit.

Të dhënat e prokurimit qeveritar dhe shifrat doganore të kryqëzuara nga Shërbimi Gjeorgjian i REL-it, tregojnë se forcat policore të vendit operojnë mbi 7.379 kamera vëzhgimi në mbarë vendin, me pothuajse të gjitha të prodhuara nga Dahua, Hikvision ose një prodhues tjetër kinez./REL