Për herë të parë nga fillimi i pandemisë, Italia duket se po merr “frymë”.
“Numri i personave në terapi intensive është ulur ndjeshëm për hërë të parë në një muaj”,- deklaroi gjatë konferencës për shtyp kreu i Mbrojtjes Civile, Angelo Borrelli. Ndërkohë, edhe numri i rasteve të reja të prekur nga Covid-19 ka shënuar sërish rënie duke u regjistruar vetëm 2.256 persona në 24 orët e fundit.
Por një tregues pozitiv është edhe fakti që në një nga spitalet me numrin më të lartë të të sëmurëve situata është komplet ndryshe, krahasuar me rreth një muaj e gjysëm më parë.
Bëhet fjalë për spitalin Papa Giovanni XXIII në Bergamo. Për herë të parë pas një muaji e gjysëm, urgjenca është e zbrazët, korridoret janë bosh, madje gati bosh është edhe salla e pritjes, raporton la Repubblica.
Pas 45 ditësh, një nga spitalet me numrin më të madh të vdekjeve duket se ka lënë pas “tsunamin” që e goditi.
Madje edhe kisha është e zbrazët. Ai vend rreth një muaj më parë nuk kishte më vend për arkivolet. Pamjet me kamionët e ushtrisë që transportonin të vdekurit drejt krematoriumeve të qyteteve të tjera italiane bënë xhiron e botës dhe përlotën mijëra njerëz.





