*Qytetarët propozojnë peticion për largimin e lodrave italiane: Na kanë zaptuar shëtitoren!
Zaptimi i të gjithë shëtitores së vetme të Durrësit, nga një cirk e lojëra argëtimesh nga investitorë italianë, ka shkaktuar reagim të madh tek të gjithë qytetarët e Durrësit e jo vetëm.
Në këto ditë të nxehta gushti, shëtitorja shërben për t’u freskuar në orët e mbrëmjes qytetarët masivisht,e për të kaluar mbrëmjen e qetë. Realisht ndodh e kundërta, sepse shëtitorja është zaptuar nga lojërat e investitorëve italianë, cirku i kafshëve që mbërriti në fund të korrikut, nga petullaxhinjtë, qoftexhinjtë, nga ambulantët e gjithfarësoj, sorollopi, duke bërë që vetëm për xhiro të mos ketë vend në këtë lulishte.
Reagimi i parë ka ardhur nga qytetarët në rrjetet sociale, madje qytetarët durrsakë kanë hedhur edhe propozimin e nënshkrimit të në peticioni për heqjen e lodrave nga shëtitorja. Jo vetëm zaptimi i hapësirës së shëtitores për të rriturit e fëmijët, por edhe zhurma që shkaktojnë këto lodra është një tmerr i vërtetë thonë qytetarët. Të tjerë qytetarë ngrenë shqetësimet e erës së petullave, tymit të qofteve, të britmave të ambulantëve, muzikës tallava dhe hajdutëve e xhepistave mes për mes me turmat dhe qytetarët e turistët.
E si të mos mjaftonte e gjithë kjo situatë, fëmijët duan të shijojnë lodrat, ndërkohë që çmimet janë të papërballueshme për qytetarët durrsakë.
“Sheshi u pushtua me lodrat italiane!
Nuk ka hapësira për të kaluar te bregu i detit!
Të dalësh me fëmijët është e vështirë se ata drejtohen direkt te lodrat.
Ne kemi 4 fëmijë të vegjël dhe të hipin në një lodër × 200 lekë për lodër, na duhet menjëherë të paguajmë 800 lekë!
Po ata nuk mjaftohen vetëm tek treni p.sh.:,duan dhe te rrëshqitësja apo makinat etj! Pastaj duan ndonjë akullore, kokoshka a petulla!
A mundet ???
Jooo .. është e vështirë !
Prandaj duhet vizion, vullnet, dashamirësi dhe sinqeritet për të bërë më të mirën për qytetin dhe qytetarët!
Lironi sheshet që të shëtisin njerëzit lirshëm dhe bëni parqe e kënde lojërash për fëmijët, që të argëtohen edhe ata falas!
Mjaft taksa po paguajmë!”, thotë në statusin e saj avokate Luljeta Petani.
Mjekët e njohur në Durrës, por edhe intelektualë, Mira Kauri, Arjan Deveja por edhe qytetarë të shumtë përgjigjen ndaj këtij shqetësimi publik. Qytetarët propozojnë të ndërmerret një nismë për të larguar të gjithë lodrat nga shëtitorja. “Të firmosim një peticion t’ia dërgojmë bashkisë të largohen lodrat nga shëtitorja”, është reagimi i qytetarëve.
Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, në fund të javës, kjo çështje u ngrit nga kreu i grupit të PD-së Armand Teliti. “Nuk e di ju në Këshill dhe kryebashkiaku, por vetëm nëse keni fëmijë të vegjël e kuptoni se çfarë po ndodh në atë shëtitore që ka qenë e durrsakëve. Nuk mund të kalosh sepse janë zënë të gjitha hapësirat, nga lodrat . Nuk është mirë që t’i bëni qoka klientëve tuaj me hapësirat publike të shëtitores së vetme të durrsakëve”.
Vangjush Dako, kreu i bashkisë së Durrësit tha se do të urdhërojë policinë bashkiake për lirimin e hapësirave publike në shëtitore, por deri tani, pavarësisht shqetësimit të ngritur nuk është bërë asnjë gjë.
Ndjekim videon!
K.H.





