Teutën e pret një transfertë delikate në Laç të dielën dhe trajneri Renato Arapi po merr të gjitha masat për të hedhur në fushë një skuadër që garanton ekuilibër. Gabimi në mbrojtje në takimin e fundit ndaj Kastriotit, ka bërë që kreu i pankinës të rishikojë sërish formacionin në këtë repart.Rikthimi i serbit Ivanoviç i jep këtij të fundit më shumë shanse për të qenë titullar dhe nëse do të luhet me katër lojtarë në repartin difensiv, atëherë pritet që një mes Qaqit dhe Jazxhiut të sakrifikohet. Megjithatë, gjasat më të mëdha janë që të luhet me tre qendërmbrojtës nga minuta e parë, pra me skemën 3-5-2. Para seancës së djeshme, trajneri durrsak ka mbajtur një fjalim para lojtarëve, ku së bashku me stafin e tij është përpjekur të përçojë tek ekipi rëndësinë sfidës me Laçin. Më pas grupi ka vijuar ushtrime nën urdhrat e përgatitësit atletik për rreth 15 minuta.

Gjatë kësaj kohe Arapi është parë të marrë veçmas disa nga titullarët, duke kuptuar edhe më shumë nga gjendja e tyre, pasi ana psikologjike nuk është më e mira. Në seancën e së enjtes u zhvillua edhe një lojë brenda grupit, ku fokusi ishte finalizimi i aksioneve.Arapi jepte këshilla të vazhdueshme për të gjithë, por veçanërisht për mënyrën se si duhet të mbrojë skuadra. Ndërkohë, në mbrojtje mesfushë ka balotazhe, pasi për një vend luftojnë Daja me Akuah, ndërsa edhe në sulm, Daci dhe Lorenco Vila mund të rikthehen titullarë. Hebaj dhe Hyka nuk është çudi që ta nisin nga stoli në Laç. Në kampionat skuadra ka dalë nga objektivat, por tashmë kërkon që të jetë sa më e qetë në tabelë, duke iu larguar vendit që të rrezikon për “play out”.

Fusha e Laçit ka qenë një ters më vete për kampionët në fuqi ndër vite. U bënë plot 63 muaj që Teuta nuk fiton në stadiumin e Laçit. Për herë të fundit në Laç durrsakët kanë fituar më 22 dhjetor 2016, në shifrat 2-0, me dy gola të sulmuesit Andi Ribaj, i cili sot është pjesë e Flamurtarit.Dy vite më vonë, durrsakët kanë arritur që të fitojnë 3-0 në transfertë ndaj kurbinasve, por kjo ndeshje nuk është zhvilluar në Laç, por në fushën asnjanëse të “Elbasan Arenës”. Të dielën luhet një ndeshje shumë delikate për të dyja skuadrat, pasi edhe kurbinasit vijnë pas katër takimeve radhazi ku nuk marrin fitore, ndërsa kampionët në fuqi u mundën nga Kastrioti në “Loro Boriçi”.