Paraditen e sotme (13 prill) u raportua se stilisti i njohur nga Kosova, Valdrin Sahiti ishte arrestuar në Turqi, pasi iu gjend një sasi droge.
Së fundmi këto akuza i ka hedhur poshtë avokati i tij, Besnik Berisha, i cili në një prononcim për Telegrafin ka treguar se ka kontaktuar me Valdrinin dhe se stilisti nuk ndodhet i arrestuar në shtetin turk, por në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.
“Nuk janë të vërteta lajmet që kanë qarkulluar për Valdrinin sot. Ndaj tij nuk është inicuar asnjë precedent penal dhe nuk është ndaluar nga autoritetet turke. Ai ndodhet në Dubai, ku po vazhdon aktivitetet e tij biznesore”, tha Berisha.
Më tej ai theksoi se ka pasur vetëm një ngatërresë të vogël sa i përket një çante, të cilën ai e ka harruar në aeroport.
“Valdrini ka pasur një çantë dore të cilën e ka harruar në aeroport dhe gjatë udhëtimit të tij i ka rënë ndër mend dhe e ka kërkuar çantën që ta marrë mbrapsht. Sigurisht që stafi i aeroportit e kanë konfirmuar që çanta është e tij dhe ia kanë dërguar më pas mbrapa”, shtoi avokati i stilistit të njohur.