“Opinion” në RTV Klan, si rrallëherë nuk doli dje në transmetim të drejtpërdrejtë dhe kjo bëri shumë njerëz të spekulojnë arsye të ndryshme për këtë vendim, sipas Blendi Fevziut. Gazetari sqaroi se arsyeja kishte të bënte me transmetimin e Topit të Artë, i cili ishte parashikuar se do të zgjaste aq sa do të zinte dhe kohën televizive të “Opinion”, gjë që nuk ndodhi:
“Ka qenë një gabim i televizionit Klan i cili duhet të kishte sqaruar që në mëngjes dje se emisioni ‘Opinion’, si në raste shumë shumë të rralla, nuk do të transmetohej, për t’i hapur rrugë ‘Topit të Artë’, spektaklit i cili pritej të ishte pak më i gjatë. Klani nuk e ka bërë këtë.”
Më tej, Fevziu tregoi se i kanë ardhur një sërë mesazhesh nga njerëz që kanë menduar se mungesa e emisionit qe për të tjera arsye, të cilat ai i përmendi:
“Sot në mëngjes jam zgjuar me shumë mesazhe, me teori konspirative, me pyetje, madje dhe disa statuse në Facebook që thonë ’emisioni ka qenë i regjistruar dhe nuk është lejuar të transmetohet sepse ka pasur çështjen Balluku apo ka pasur një video shumë sekrete të Ballukur me gjyqtarët e Gjykatës kushtetuese’. Nuk është e vërtetë.”
Në fund, ai theksoi se ishte vendimi i tij të mos e nisnin emisionin përtej orarit zyrtar ndonëse Topi i Artë përfundoi më herët nga sa ishte parashikuar:
“Topi i Artë nuk dihej kur do mbaronte, mund të kalonte orën 22:00 dhe unë nuk pranova që të hyj në emision me vonesë. Emisioni nuk është regjistruar, nuk është bërë fare gati, sepse zakonisht emisionet janë 99% live. Për këtë arsye, sot kam anuluar udhëtimin dhe do të jem në studio për të bërë të njëjtin emision që kisha planifikuar dje, me të njëjtët persona. Ishte thjesht një keqpërllogaritje e kohës dhe një banalitet shqiptar dhe pa dyshim që televizioni Klan duhet ta kishte njoftuar.”





