Mesditën e së martës, 45 familjet e pallatit nr.18 (901), në rrugën “Kristo Sotiri”, në njësinë administrative nr.4 në Durrës morën frymë lirisht, pas disa muajve të vështirë që kaluan prej një vendimi të Institutit të Ndërtimit, që kërkonte shembjen e godinës.

Tani është e zeza mbi të bardhë, në vendimin e Këshillit Bashkiak të votuar ditën e martë, se pallati nuk do të shembet.

Ishte po ky Këshill, që me vendimin nr.23, datë 25 shkurt 2021, miratoi vijimin e procedurave për prishjen e godinës së dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2021. Vendimin e tij, Këshilli Bashkiak e bazoi muaj më parë në konkluzionet e akt ekspertizës së thelluar të të hartuar nga Instituti i Ndërtimit Tiranë me nr.prot 2508/1 prot., datë 19.10.2020, ku konkluzioni i vlerësimit të këtij objekti ishte “Demolim”.

Por shembjen e pallatit e rrrëzoi sërish i njëjti institucion, që në një shkresë të dërguar më 7 korrik nënvizonte se pallati nuk duhej prishur, pasi Instituti kishte bërë një gabim njerëzor.

Në relacionin që bashkia Durrës i dërgoi këshilltarëve para disa ditësh, u bën atyre të ditur se pas ankesave të banorëve, që kundërshtonin shembjen e godinës, pushteti vendor iu dërgua me një tjetër shkresë Institutit të Ndërtimit për të rishikuar akt ekspertizën, “me arsyen se në raportin e grupit të punës që kishte hartuar akt ekspertizën e thelluar të Institutit të Ndërtimit nuk ishin dhënë se sa do të ishin kostot e restaurimit dhe përforcimit të detajuara në përqindje”.

Dhe disa muaj më vonë, Instituti reflektoi…

Për arsye të gabimit njerëzor në mbledhjen e të dhënave akt ekspertiza e thelluar me nr.prot 2508/1 prot datë 19.10.2020 ka gabime dhe për këtë arsye shfuqizohet. Për objektin Ndërtesa nr.18 (901) në Rr.”Kristo Sotiri” Durrës, do të meret në konsideratë për veprime të mëtejshme akt ekspertiza e thelluar që i bashkëngjitet kësaj shkrese ku konkluzioni është “Përforcim””,- shkruhet në shkresën nr.446/2, datë 07.07.2021, të Institutit të Ndërtimit.

Për fatin e mirë të banorëve, Inspektoriati Vendor i Mbrojtjes së Territorit Durrës nuk kishte nxituar ta shembte pallatin, menjëherë pas vendimit të Këshillit Bashkiak, marrë në fund të muajit shkurt.

E meqë pallati është ende “në këmbë”, në relacion bashkia u kërkoi një ditë më parë këshilltarëve të votonin shfuqizimin e VKB-së nr.23 të datës 25 shkurt, “pasi objekti sipas akt ekspertizës së thelluar të hartuar dhe dërguar nga Instituti i Ndërtimit është për përforcim dhe jo për demolim”.

Në një shkrim të publikuar në datën 26 shkurt 2021, “DurrësLajm”, pasi kontaktoi me banorët e pallatit ngrinte disa pyetje për vendimin e beftë për shembjen e godinës 5 katëshe, e cila fillimisht ishte vlerësuar nga Instituti i Ndërtimit me shkallë dëmi DS2, banorët kishin marrë dëmshpërblimin në vlerën 2.5 milionë lekë të vjetra, madje edhe i kishin riparuar apartamentet dhe sërish vazhdonin trajtoheshin me bonus qiraje.

Madje banorët kishin vazhduar të banonin në pallat, përgjatë gjithë kësaj kohe, edhe pasi Instituti i Ndërtimit kishte sjellë shkresën se godina duhej shembur.

Qoftë ky e vetmja godinë e dëmtuar nga tërmeti në Durrës, ku Instituti i Ndërtimit ka bërë gabim njerëzor në mbledhjen e të dhënave …

M.B.