Artan Fuga

Aq copë – copë është financimi i universiteteve publike nga buxheti saqë vetëm nga mbyllja e shkollave doktorale në këto dy vitet e fundit, krejt akt i paligjshëm, janë humbur qindra milionë lekë, aq sa në disa raste fondi për pagat mbulon vetëm 9 muaj rrogë për pedagogët, kurse gjoja fondet për kërkimin shkencor janë vetëm disa thërrime për të ushqyer minjtë dhe ato shpërndahen pa asnjë transparencë dhe në mënyrë klienteliste, pa kritere të njohura, pa transparencë dhe pa analizë.  

Pagat e pedagogëve të thjeshtë, atyre që mbajnë mbi kurriz ngarkesën në auditore, janë kaq të ulëta sa pedagogu i ndershëm me të nuk blen dot asnjë libër, nuk abonohet dot në asnjë revistë, nuk ndërmerr dot asnjë udhëtim pune, nuk shkon dot as për një konferencë shkencore, nuk abonohet dot as në site online shkencore, me një fjale nuk shtyn veçse jetën e përditshme si një varfanjak i mjerë.  

Po qe se lihen të lira tarifat e shkollimit, këto mund të "rregullohen" vetëm duke i fut duart në xhepat e familjeve të studentëve. Doni arsim qena? Paguani qimet e kokës: Do të hajë njeriu njeriun…  

Kurse ka privatë që me lekët e studentëve blejnë toka, risorte, financojnë fushata elektorale, etj.   Edhe po qe se bën një libër a tekst, absurde, nuk quhet punë e shpërblyeshme as e matshme. Dhe as të mos presi të marrë ndonjë lek sepse librat piratohen duke u fotokopjuar. Pastaj pedagogu i padenjë, pasi ka humbur besimin te çdo shpërblim i drejtë, nis e imponon me dhunë tekstin e tij dhe nis plagjiaturat për tekste surrogato sepse rrugë tjetër nuk i kanë lënë.

Vidh për të jetuar. Kjo është drama që ligji i ri i arsimit as e prek e as e shëron. Po ju them fakte, nuk ju rrëfej përralla :  

Në dy vitet e fundit kam qenë i detyruar të financoj me rrogën time personale botime shkencore në departamentin që drejtoj përndryshe do të kishin mbet në mes të rrugës. Ka dëshmitarë.  

Ja ky është financimi i kërkimit shkencor sot.