Pashka po afron dhe me siguri amvistat e krishtera janë duke menduar për përgatitjet e kësaj feste të madhe. Sot kemi vendosur t’ju sjellim disa ide se si ta dekoroni tavolinën tuaj për të krijuar një atmosferë të këndshme për ju dhe të ftuarit.
Eleganca në tavolinë
Bëjeni speciale ëmbëlsirën e Pashkës falë një prekjeje elegance dhe kreativiteti, si psh duke vendosur vezë të ziera të dekoruara me dorë brenda saj dhe ndonjë degëz qershie ose pjeshke për të sjellë në tavolinën tuaj një frymë pranverore.
Qendra e tavolinës
Merrni një kuadrat bari sintetik që mund ta poziciononi në qendër apo në anë të tavolinë dhe zbukurojeni me qirinj apo shumë vezë të pikturuara me dorë. Tavolinën gjithashtu mund ta dekoroni duke përdorur bimë aromatike. Mund të kombinoni ngjyrën e verdhë me jeshilen dhe t’i lidhni pecetat me shirita sateni për të krijuar një efekt pranveror.
Dashuria e natyrës
Mos harroni të vini në tavolinë një buqetë me lule të freskëta, që do të gjallërojnë atmosferën. Mund të krijoni shumë buqeta të vogla me trëndafila apo viola, ose të vendosni një vazo të madhe në mes të tavolinës me zymbyla e tulipanë.
Një prekje romantike
Për ta bërë paksa romantik ambientin lini në çdo pjatë një gotë të vogël me një qiri brenda dhe një lule të freskët anash.
Kreativiteti në tavolinë
Poziciononi pirunat dhe thikat në qendër të pjatës të lidhura me fije kashte, kështu do të krijoni idenë e një pikniku në ajër të hapur. Shtoni edhe ndonjë vezë të ngjyrosur në pjatën e çdo të ftuari.
Si duhet të shtrohet tavolina?
Kujtoni që normalisht pjata pozicionohet në qendër, piruni në të majtë dhe thika në të djathtë të pjatës. Luga e supës vendoset në të djathtë të thikës, ndërsa luga e vogël dhe piruni i ëmbëlsirës vendosen në anën e sipërme të pjatës.
Një ide më shumë?
Lidhni pecetat me shirita sateni, të cilave mund t’i shtoni një degëz livandoje, për të sjellë freskinë e pranverës në tavolinën e Pashkës.
Të surprizosh… të rriturit
Kush mund t’i rezistojë ëmbëlsisë së çokollatës? Mos e harroni, thellë-thellë të gjithë jemi nga pak fëmijë. Përdorni një kuti ku mund të fusni çokollata të vogla në formë ovale për secilin nga të ftuarit. Shtoni gjithashtu edhe një pusullë me një urim të veçantë për secilin prej tyre, duke shkruar sigurisht edhe emrin e marrësit.
Zbukurime minimale
Zgjidhni një tonalitet të vetëm dhe thyejeni me dekorimet floreale dhe servisin e pjatave. E verdhë, turkeze, vjollcë, e bardhë, cila është nuanca juaj e preferuar?
Një ide më shumë?
Shtoni një buqetë të vogël me lule anash çdo pjate dhe vezë të pikturuara e të ngjyrosura.
Një mendim i ëmbël…
Poziciononi të gjitha ëmbëlsirat në një cep të tavolinës, duke filluar nga lepurushët prej çokollate, konfetat apo kekët, duke i zbukuruar me një degëz qershie apo duke i vendosur brenda një vazoje qelqi. Mund të përdorni filxhanë të këndshëm kafeje për të vendosur karamele dhe ëmbëlsira të vogla, për fëmijët që janë në tavolinë. Një surprizë e ëmbël kjo për “llupësit” e vegjël.
Për më shumë shikoni në fotot e mëposhtme dhe krijoni një ide se si do të jetë tryeza juaj më 16 prill.
R.O.