Të shijosh çdo gjë dhe të mos ndihemi në faj pas festave. Kjo është ajo që mendojmë gjithmonë kur kemi një tavolinë të bollshme, embëlsira dhe alkool. Ashtu si vendet e tjera, edhe festa në Shqipëri përveç ditë pushimi, janë edhe festa ushqimi.
Por këto festa lënë pas edhe kilet e shtuara. Sipas nutricionistëve, ata që abuzojnë mund të shtojnë deri në 2 kg gjatë këtyre ditëve dhe akoma më problem kur festimet zgjatin për disa ditë.
“Festat e fundvitit janë festa ushqimi. Është e pashmangshme në fund të festave kthehemi me 2 kg, të paktën i kemi marrë 2 kg. Abuzojmë me ushqimin, me pijet, me embëlsirat. Për të hequr kilet e marra gjatë festave, apo ato që janë mbipeshë, gjëja e parë që duhet të bëjnë është të kontrollojnë ushqimin. Edhe zgjatja e festave është problem”, – thotë dietologia Enkeleida Ferrollari.
Kujdes duhet të tregojnë personat që kanë probleme shëndetësore kronike.
“Ata që duhet të tregojnë kujdes janë personat e sëmurë, me probleme me hipertensionin, diabetin, të cilat ushqimi, alkooli u ndikon në mënyrë të menjëhershme. Edhe gjatë periudhës së festave nëse bëjmë ecje, në këmbë gjysmë orë, 1 orë, 2 orë në ditë djegim ato që kemi marrë”.
Aktiviteti fizik i shoqëruar me ushqimin e kujdesshëm dhe konsumimin e sa më shumë ujë dhe lëngje, është këshilla që dietologët japin për një trup perfekt.