Jeni mbipeshë dhe nuk dini se si të humbisni kilogramët e tepërt? Nëse jeni duke kërkuar mënyrën e duhur për të përmirësuar shëndetin tuaj, në ndihmë ju vjen rasti i një 33-vjeçareje nga Durrësi, e cila ka ndjekur dietën mrekullibërëse të supës me lakër që është shumë efektive.

Albana Bajramaj, 33 vjeçe, punonjëse pranë QKB-së bashkia Durrës, ndan me të gjithë ndjekësit e “DurrësLajm” sekretin e saj pas humbjes së habitshme të 18 kilogramëve në vetëm dy muaj e gjysmë.

Albana tregon se fillimisht kur e nisi dietën në muajin shkurt të këtij viti ishte 78,4 kg, e në muajin maj, peshonte 60 kg! Ndërsa aktualisht sot peshon 59 kg, duke arritur peshën ideale të saj.

Supën me lakër duhet ta shoqëroni me ushqimet që janë të rekomanduara sipas ditëve të dietës, këshillon Albana. Është shumë e rëndësishme që ju të hidratoheni dhe të konsumoni mirë të paktën 2 litra ujë në ditë e të shmangni alkoolin. 

Ndërkohë, aktiviteti fizik ka qenë prezent te durrsakja Albana përgjatë gjithë kohës, që nga fillimi i dietës, çka ndihmon edhe në tonifikimin e trupit, pas rënies së kilogramëve në mënyrë drastike.

Albana paralelisht me ndjekjen në mënyrë strikte të dietës me supë, ka frekuentuar edhe palestrën 3 herë në javë, të cilën vijon ta ndjekë edhe pas lënies së dietës, pasi siç e dimë të gjithë, të ushtruarit fizikisht ka benefitet e saj të panumërta për shëndetin e njerëzve.

Si është dieta fantastike e supës me lakër?

Dieta e supës me lakër është bërë për shtatë ditë dhe përbëhet nga marrja e kësaj supe, shoqëruar me ushqime të caktuara sipas ditës. Kjo është një dietë shumë efektive, sepse ju jep një ndjesi të ngopjes, pastron trupin, është e lehtë për t’u përgatitur dhe shumë ekonomike. 

Lakra ka nivele të larta të vitaminave C dhe D, antioksidantë natyrorë që përshpejtojnë metabolizmin dhe ndihmojnë për të djegur yndyrnat e grumbulluara. Është gjithashtu një burim i pasur me fibra, të cilat ndihmojnë për të pastruar trupin.

Përbërësit e supës për një javë:

• 1 lakër e bardhë 

• 3 qepë të mëdha

• 3 domate

• 3 karota

• 3 speca

• Çerek kg mashurka

• Një tufë majdanoz plus një lugë me vegetë zarzavatesh

Dita 1: Fruta gjithë ditën dhe supë (sa herë të dëshironi)

Dita 2: Zarzavate gjithë ditën dhe supë (sa herë të dëshironi), në darkë 1 patate e zier e shoqëruar me zarzavate jeshile.

Dita 3: Fruta, plus zarzavate dhe supë

Dita 4: Banane, qumësht dhe supë

Dita 5: 300 gramë mish ose peshk të shoqëruara me domate dhe supë, të paktën një herë në ditë.

Dita 6: Fruta + zarzavate 100 gramë mish dhe supë.

Dita 7: Oriz me një lugë të vogël vaj ulliri dhe supë (orizi mund të hahet 3 vakte).

*Frutat që nuk preferohen të konsumohen gjatë dietës: rrush, fiq, kumbulla.

Zarzavatet që nuk preferohen të konsumohen: Patate, groshë.

Bananet lejohen vetëm ditën kur është e përcaktuar të konsumohen me qumësht.

*Humbja e peshës nuk është konstante dhe nuk rrjedh me shpejtësi të qëndrueshme. Njerëz të ndryshëm humbin peshën me shpejtësi të ndryshme. Kjo është për shkak se humbja e peshës varet nga faktorë të ndryshëm si pesha fillestare, regjimi i ushqimit, mënyra e jetesës, aktiviteti fizik, gjendja shëndetësore, predispozicioni genetik, metabolizmi, stresi etj.