Blerina Bombaj, dietologe

Alergjitë dhe sëmundje të ndryshme i bëjnë zorrët tona delikate dhe tretja vështirësohet. Por, një shëndet i mirë fillon pikërisht nga zorrët. Disa fruta përmbajnë sheqer i cili asimilohet shumë lehtë në gjak, ndërsa disa të tjera përmbajnë sheqer i cili fermentohet dhe shkakton gazra që akumulohen në zorrë.

Kjo situatë e përkeqëson gjendjen e mureve të zorrëve të cilat mund të jenë të acaruara nga situata të ndryshme shëndetësore, si alergjitë apo viruset. Raporti i fruktozës me glukozën në një frut si dhe përqendrimi i fibrave në to përcakton sasinë e asimilueshme të sheqerit. Sa më i madh raporti glukozë/fruktozë, aq më miqësore janë frutat me aparatin tretës.

*Frutat më miqësore për zorrët delikate apo të acaruara:

  • rrushi i bardhë

  • luleshtrydhet

  • mjedrat

  • boronicat

  • ananasi

  • portokalli

**Frutat më të ashpra për zorrë të irrituara (por më të mirat për kapsllëkun)

  • kumbullat vishnje

  • dardhët

  • qershitë e ëmbla

  • pjeshkat

  • mollët

*Nëse vuani nga diarreja, lëngu i rrushit të bardhë është shumë i përshtatshëm pasi përmban glukozë/fruktozë në raport të barabartë. Përmbajtja e lartë e frutave në glukozë ndihmon asimilimin e tij dhe shumë pak mbetet të fermentohet. Lëngu i rrushit të bardhë përmban shumë pak sorbitol dhe kjo gjithashtu ndihmon kur zorrët janë të acaruara.

**Arsyeja përse këto fruta i quajmë më pak miqësore është për faktin se ato kanë një raport më të madh të fruktozë/glukozës, përmbajnë më shumë fibra si dhe përmbajnë më shumë sorbitol (një irritues i zorrëve). Nëse vuani nga zorrë të acaruara, këto fruta duhet t’i evitoni. Nëse vuani nga kapsllëku apo zorrë 'dembele', atëherë mund të përfitoni nga këto fruta. /shendeti.com.al/