Shpesh, përgjatë punës, përballemi me prindër, fëmija i të cilëve nuk flet apo ka një fjalor shumë të kufizuar, jo në përputhje me moshën e tij kronologjike, pa ndonjë çrregullim zhvillimi.
Prandaj, gjithnjë e më tepër, sidomos edhe me evoluimin e teknologjisë, fëmijët nuk nxiten për të folur. Nëse dikur sfida e prindërve ishte që t’ju përgjigjeshin të gjitha pyetjeve të fëmijëve, sot sfida është që ata të të bëjnë pyetje.

Çdo fëmijë është individual. Vjollca Myftari, Eksperte Zhvillimi e ftuar në Vila24 tregoi hapat që duhet të ndjekim për të çuar fëmijën në një të folur korrekt.

“Kur je përballë fëmijës duhet të jesh etalon komunikimi, kjo do të thotë që gjestet dhe fjalët që përdorim gjatë komunikimit duhet të jenë të një gjuhe të pastër letrare, larg zhargoneve, larg dialektizmave, pavarësisht se ai nuk i shpëton dot ndikimit të tyre. Mamatë janë të prirura t’u flasin me gjuhën e fëmijëve dhe kjo ndikon negativisht tek ata. Ai ende nuk di që kjo lloji e folure si “bebe” nga ana e nënës është gabim, e kupton këtë vetëm në momentin që fillon të ndjej inferioritetin në grup me shokët e tjerë, ndjen një lloji kufizimi në raport me moshatarët si në përgjigje dhe reagime. Fjala është shumë e rëndësishme por më e rëndësishme se përmbajtja është mënyra si e themi fjalën”, tha ekspertja.