Nëse përdorni grim rregullisht, rrjedhimisht furçat tuaja gurmbullojnë një sasi të konsiderueshme të tij. Si rezultat, pamja juaj mund të mos jetë e pastër dhe e përsosur. Të dini si të pastroni si duhet furçat e makijazhit do të bëjë një ndryshim gjigand. Jo vetëm që do të duken si të reja, por do të kurseni disa para sepse do të rrisni jetëgjatësinë e tyre.

Brooke Simons, një grimiere profesioniste që kuron imazhe si influencerja Leonnie Hanne apo këngëtarja britanike Laura Whitmore, thotë se furçat e saj personale i pastron një herë në 1-2 javë.

“Lëkura ndryshon vazhdimisht dhe nëse të dalin akne, nuk të duhet që bakteret e furçave të shpërndahen nëpër fytyrë”.

Sa i përket pastrimit, Simons nuk i ndahet një detergjenti që e kemi të gjithë në shtëpi: larësi i enëve. “Kam provuar pastrues të ndryshëm, por diçka që i rikthehem gjithmonë është larësi i enëve. Duhet të jetë pak i fortë ose ndryshe do t’ju marrë shumë kohë që t’i pastroni”.

Mbushni me ujë të ngrohtë një tas të vogël dhe hidhni larësin e enëve. Fillimisht pastroni furçat që përdoren për përhapjen e fondatinës, produkteve të tjera kremoze apo pluhur. Në një tas tjetër mund të lini furçat që përdorni për buzëkuqin në mënyrë që të shpërbëhet çfarëdo papastërti.

Pasi t’i keni lënë furçat për disa minuta, merrini në dorë dhe fërkojini në pëllëmbën e dorës duke bërë lëvizje të buta rrethore përpara se t’i shpëlani. Përsëriteni disa herë derisa të pastrohen.

Kur lani furçat drejtojini gjithmonë për poshtë ose uji që depërton në fijet e tyre mund të shkëpusë ngjitësin. Jepini furçave formën e tyre, vendosini në një peshqir të pastër dhe lërini të thahen.

Simons ndan edhe një truk për ditët kur nuk keni kohë. “Përdorni alkool me përqendrim 99%. Aroma nuk është e mirë, por funksionon për situatat urgjente”. Megjithatë, kjo s’duhet të bëjë të anashkaloni procesin e plotë.