Është shumë e rëndësishme që fëmija të ndiejë se ju jeni mbështetja e tij në këtë proces. Ndërsa fëmija rritet, ai ndryshon, formon karakterin dhe tregon prirje ndaj gjërave të caktuara.
Në këto momente, prindërit duhet të veprojnë me mençuri dhe t’i afrohen fëmijës nëse vërejnë se ka ndonjë problem.
Por çfarë ndodh nëse vini re se fëmija juaj heq dorë lehtësisht, nuk është këmbëngulës? Si duhet të veproni?
Rritja e fëmijëve të qëndrueshëm, që nuk dorëzohen lehtë, nuk është aspak një detyrë e thjeshtë, shkruan “Simply Rooted Family”.
Si të rritni një fëmijë të qëndrueshëm?
Me të gjitha komoditetet që ofron jeta moderne, rritja e fëmijëve të qëndrueshëm mund të jetë sfiduese.
Për të ndihmuar fëmijën të zhvillojë qëndrueshmëri, nevojiten tre elementë kryesorë: qëllimi, vetëbesimi për të marrë rreziqe, qëndrueshmëria për të provuar sërish.
1) Qëllimi, vizioni ose plani
Përcaktimi i një qëllimi është pjesë thelbësore e këtij procesi. Fëmija nuk mund të punojë për diçka nëse nuk ka një rezultat të dëshiruar për të arritur.
Çfarë mund të bëni ju? Ndihmojeni fëmijën të zhvillojë një qëllim të qartë dhe të arritshëm, qoftë në sport, në shkollë apo në jetë.
2) Vetëbesimi për të marrë rreziqe
Pasi qëllimi të jetë i qartë, hapi tjetër është t’i jepet fëmijës besimi për të marrë rreziqe.
Çfarë mund të bëni ju? Inkurajojeni përmes bisedave dhe shembullit personal. Një studim i Qendrës për Zhvillimin e Fëmijëve në Universitetin e Harvardit tregon se faktori më i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshmërisë te fëmijët është të kenë të paktën një marrëdhënie të qëndrueshme dhe mbështetëse me një prind të përkushtuar.
3) Qëndrueshmëria për të vazhduar përpara
Kurajo nuk fitohet kur fëmija fiton në çdo gjë që provon, as nga shpërblimet për përpjekje të pasuksesshme. Ajo ndërtohet nga sfidat dhe përvojat e vështira. Duhet të keni guximin t’i lejoni të dështojë ose të mos arrijë qëllimin.
Çfarë mund të bëni ju? Mbështeteni në momentet e vështira, por drejtojeni shikimin e tij nga e ardhmja. Lëreni të përballet me ndjenjat e veta, ofroni dashuri, lejojeni të shprehë emocionet pa u mbyllur në vetvete dhe zhvilloni biseda të hapura edhe pas dështimeve.
Fëmija ndoshta nuk do t’ju falënderojë menjëherë, por me kohë do të kuptojë se çfarë keni bërë për të dhe si ia keni mësuar një nga mësimet më të vlefshme të jetës.





