Elida Mici, kirurge flebologe
Venat varikoze janë zgjerime të qëndrueshme të venave sipërfaqësore të gjymtyrëve të poshtme, të shoqëruara nga dëmtimi i valvulave dhe rikthimi i gjakut venoz.
Shkaku i vërtetë i kësaj patologjie nuk është identifikuar ende, por publikime të shumta tregojnë që radikalet e lira ose të paktën prania e tepërt e tyre luan një rol të rëndësishëm në shfaqjen e sëmundjes së venave, duke dëmtuar strukturën e paretit venoz.
Kjo shpjegon rolin e substancave antioksiduese, si flavonoidet dhe vitaminat E dhe C në përmirësimin e klinikës së kësaj sëmundje.
Faktorët favorizues
Trashëgimia është një ndër faktorët kryesor në shfaqen e kësaj sëmundjeje. Nëse të dy prindërit vuajnë nga varikoza, mundësia për të pasur varikozë edhe fëmija është 95%.
Faktorë të tjerë janë: barrat, profesioni (i lidhur me pozicionin e punës, ngritjen e peshave të rënda) mbipesha ose rëniet e menjëhershme nga pesha, duhani etj.
Përsa i përket moshës së shfaqjes së kësaj sëmundjeje tek fëmijët ose adoleshentët, ende sot është një realitet i neglizhuar.
Autorë të shumtë këmbëngulin në aspektin heriditar, trashëgiminë, në transmetimin e sëmundjes së varikozës, duke bërë që ajo të shfaqet sa më herët.
Mjekimi i venave të varikozuara
Metodat e trajtimit të insufiçencës së venave të varikozuar janë: kirurgjia, skleroterapia, lazeri, radiofrekuenca etj.
Sot në botë ka gjetur përhapje të gjerë skleroterapia me shkumë skerozante, duke mjekuar të gjitha format e venave varikoze dhe cilësuar si standard i lartë ku në 10 të sëmurë 8 trajtohen me skleroterapi.
Kjo për disa arsye:
– e lehtë në aplikim, kryhet në kushte ambulatore, pa anestezi lokale
– pasi kryhet, pacienti vazhdon aktivitetin normal
– ka kosto të ulët
– aplikohet sa herë lind nevoja, nuk ka kufi, duke qenë sëmundje evolutive me origjinë të panjohur.
Çfarë është skleroterapia?
Është një teknikë e trajtimit të sëmundjes së varikozës dhe realizohet nëpërmjet injektimit të një produkti sklerozant në formën e shkumës në brendësi të venës së dëmtuar. Realizohet me disa seanca, në bazë të segmenteve të dëmtuara të venave të varikozuara. /shendeti.com.al/