Erion Millo, 37-vjeçari që u vra mbrëmjen e së shtunës në qytetin e Elbasanit u qëllua me armë zjarri. Ngjarja sipas policisë, ka qenë një atentat i organizuar, ku dyshohet se kanë marrë pjesë të paktën dy persona. Blutë njoftuan se në vendin e ngjarjes, pranë stacionit të trenit, kanë gjetur dy gëzhoja pistolete, me të cilët dyshohet se është qëlluar Millo.
9 persona janë shoqëruar në drejtorinë e policisë së Elbasanit si të dyshuar se kanë dijeni për krimin. Por deri në këto momente ata nuk kanë dhënë asnjë element të vlefshëm për zbardhjen e këtij krimi. Grupi hetimor po kalon në sitë të gjitha konfliktet e tij të mundshme me persona të ndryshëm në Elbasan dhe në Itali. Mësohet se 37-vjeçari ka jetuar për një kohë të gjatë në shtetin fqinj si emigrant.
Zbardhja e krimit do të jetë e vështirë për policinë, pasi në zonë nuk ka asnjë kamera sigurie ku mund të jenë filmuar autorët e dyshuar. Ata kanë përfituar edhe nga errësira për të humbur çdo gjurmë. Nga të dhënat e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, 37-vjeçari rezulton të jetë administrator dhe ortak në një kompleksi që ofron shërbime të ndryshme në fshatin Xibrakë të Elbasanit. Emri i kompleksit është “Garden” dhe ka si objekt të aktivitetit të tij tregtimin e karburantit, restorant, bar dhe hoteleri.
Burime të rezervuara i thanë Tv Klan se po verifikohen disa të dhëna që kanë të bëjnë pikërisht me këtë pronë. Të njëjtat burime sqaruan se ka dyshime se vrasja e së shtunës të ketë lidhje me ngjarjet e tjera kriminale të ndodhura në Elbasan gjatë këtij viti.
ATENTATI
Rreth orës 21:00 të mbrëmjes së të shtunës, 37-vjeçari ka ndaluar mjetin e tij shumë pranë stacionit të trenit, dhe ka shkuar te banesa e të fejuarës së tij. Në momentin që ka qenë thuajse në dalje së hyrjes së pallatit, ai është goditur dy herë me plumba pistolete, e nga dëshmitë dyshohet se kanë qenë dy persona. Sipas dëshmive, e fejuara e tij ka qenë e vetmja që ka kuptuar se ndaj 37-vjeçarit është kryer atentat me armë zjarri.
Sipas “News24”, në një moment ai ka tentuar të çohet në këmbë, ndërsa një prej autorëve e ka parë dhe ka nisur ta qëllojë edhe me thikë. Edhe pse ai është transportuar menjëherë në spitalin kirurgjik të Elbasanit, nuk ka mundur të mbijetojë. Policia ka marrë në pyetje dëshmitarët të cilët ndodheshin aty në momentin e krimit, ku mes tyre edhe partneren e tij, por që sipas Policisë, deri më tani nuk ka një ide të qartë rreth autorëve të dyshuar të kryerjes së këtij krimi. Vrasja e 37-vjeçarit duket se ka qenë e mirorganizuar, pasi sipas rrethanave që është kryer krimi, kuptohet se viktima është mbajtur nën vëzhgim për shumë ditë deri sa edhe u krye edhe atentati me pasojë vrasjen e tij. Pavarësisht se ende nuk ka një ide rreth autorëve të dyshuar, Policia ka ushtruar kontrolle në banesat e shumë personave që dyshon se mund të kenë dijeni për ngjarjen, ndërsa ka ngritur postblloqe në të gjitha akset kryesore që lidhin qytetin e Elbasanit me Tiranën, Korçën si edhe Gramshin.
/BalkanWeb





