Detaje të tjera kanë dalë nga ekzekutimi i 40-vjeçarit në Vlorë, Fatjon Sinanaj, i cili u vra mbrëmjen e djeshme në mes të shtëpisë nga dy persona.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 22:50 në lagjen ‘Partizani, shumë pranë spitalit të qytetit. Sinanaj bashkëjetonte me gruan prej katër vjetësh në një banesë me qira. Ata nuk kishin fëmijë. Vrasja e tij me katër plumba ka ndodhur në derën e shtëpisë, në prani të gruas, e cila sot ndodhet në gjendje të rëndë psikologjike, pas skenës të tmerrshme që ka parë.  Banorët e zonës e përshkruajnë si një njeri të qetë Fatjon Sinanajn.

Bashkëshortja e tij punonte si rrobaqepëse, ndërsa Sinani si punëtor krahu. Burime të policisë thanë për “GSH.al” se Sinani nuk kishte precedentë penalë. Dyshimet për ekzekutimin bien mbi ndonjë konflikt ose ngjarje të kaluar në Tropojë.

Sipas policisë, “pranë vendit të quajtur “Shtëpia e Oficerave” është gjetur i braktisur një automjet tip Benz 2500 me targë gjermane SNBB 220, ngjyrë gri, i cili mund të jetë përdorur nga autorët dhe që mund të ketë lidhje me ngjarjen e ndodhur”. Në cilësinë e provës materiale u gjet dhe sekuestrua një pistoletë tip ‘Berete’.

Ndërkohë burime pranë Policisë së Vlorës bëjnë të ditur se njëri prej autorëve të dyshuar është shoqëruar, ndërsa bëhet fjalë për Neritan Qejvani. Sakaq, policia është vënë ndjekje të autorit të dytë, i cili mundi të largohej nga vendngjarja menjëherë pas krimit.