Durrës, 13 mars 2014– Andrea Katro është një nga katër marinarët shqiptarë që kanë marrë pjesë në lundrimin njëmujor të nëndetëses shqiptare me mision vrojtimin dhe fotografimin e kryqëzorit amerikan në të cilin udhëtonte presidenti i SHBA-së, Duajt Ajzenhauer. Andrea Katro ishte pjesë e efektivave të marinës shqiptare në atë kohë, por është thirrur për të qenë pjesë e ekuipazhit të nëndetëses 196, e cila për publikun e gjerë njihet me emrin “nëndetësja 105”, që i mbeti pas përfshirjes së saj në skenat e filmit “Ballë për ballë”. Andrea Katro ka qenë në rolin e motoristit në ekuipazhin e nëndetëses 196 që përbëhej nga 70 vetë gjithsej, nga të cilët vetëm katër ishin marinarë shqiptarë. Lundrimi i fshehtë njëmujor i nëndetëses në detin Mesdhe, drejtimi i saj me mjeshtri nga komandanti rus Kozllov, paniku që u shfaq në bord kur nëndetësja u ndoq për 45 orë pa ndërprerje e të tjera detaje i rrëfen pas 50 vitesh Andrea Katro në intervistën e mëposhtme.
Cila është lidhja juaj me marinën shqiptare?
Pas mbarimit të gjimnazit, erdhi dita që unë të shkoja ushtar, të mobilizohesha. Shorti më ra në marinë dhe mbaj mend se nga qyteti i Durrësit morën shumë djem për t’i dërguar më pas në marinë. Në vitin 1957 morën shumë të rinj nga qytetet bregdetare të vendit për t’i dërguar në marinë. Sigurisht që për këtë sektor të ushtrisë bëheshin përzgjedhje dhe shikoheshin shumë familjet e tyre. Përzgjedhjen e ka bërë byroja e rrethit dhe mbaj mend se bashkë me mua kanë qenë edhe Ramazan Dedja, Kastriot Karamuço, Nasho Pali, Kristaq Teneqexhiu, Bai Mataj, Hasan Domi etj. Marina ishte tre vjet shërbim ushtarak i detyrueshëm deri në atë kohë, por vitin që ne u mobilizuam ajo u bë katër vjet. Pas mobilizimit tonë është mbledhur ekuipazhi i brigadës së nëndetëseve në Pashaliman. Ne ishim rekrutë dhe nuk dinim gjë, por shumë shpejt mësuam se ishin krijuar katër ekipe me marinarët e rinj. Komandant i brigadës së nëndetëseve në atë kohë ka qenë Xhemal Shani, ndërsa katër komandantët e nëndetëseve ishin Dashamir Ohri, Muharrem Lulolli, Shyqyri Çuka dhe Spiro Kote, Hero i Popullit. Nëndetëset në këtë kohë kishin edhe zëvendëskomandantët e tyre, ndërsa fill pas mobilizimit ne shkuam në Sevastopol të Bashkimit Sovjetik.
Ç’ndodhi aty, përse shkuat?
Ne shkuam në Sevastopol në dhjetor të vitit 1957. Aty ishte shkolla speciale e zhytësve, ku ne u përgatitëm në teori dhe praktikë për lundrimin me nëndetëse. Aty bëhej një përgatitje speciale, ndërsa unë personalisht do të bëhesha motorist i nëndetëses. Nga ana tjetër të gjithë marinarët ishin të detyruar që të bëheshin edhe polumbarë, kishte pajisje speciale të zhytjes për çdo marinar. Ishte rregull se në rast se ndodhte mbytja e nëndetëses, marinarët duhet të ishin të aftë për të dalë në sipërfaqe edhe nga një thellësi prej 180 metrash. Stërvitja zakonisht zgjaste 1 vit në kantierin e Sevastopolit, por ne arritëm që për 5 muaj të përvetësonim të gjithë programin teorik dhe praktik. Gjatë kësaj kohe mësuam shumë gjëra. Ne na trajtonin shumë mirë, gjuhën e mësuam shumë shpejt, megjithëse kishim bërë pak edhe në shkollë. Çdo grup kishte instruktor rus dhe shqiptar.
Cila ishte detyra e një motoristi në nëndetëse?
Detyra e motoristit ishte të përvetësonte anën teknike të motorit dhe atë profesionale të nëndetëses. Kishte një rregullore mjaft strikte, çdo gjë duhej mësuar dhe ditur përmendësh. Elementë të tjerë ishin edhe ata se si veprohet në rastet e avarive, zjarr, rrezik për mbytje etj. Asgjë nuk tolerohej në këtë drejtim, rregullorja zbatohej me rigorozitet të plotë.
Si ndodhi që u thirre në ekuipazhin rus për lundrimin në detin Mesdhe?
Kur u kthyem nga Sevastopoli më thirrën komandanti i brigadës së nëndetëseve Xhemal Shani dhe komisari Pali Serapuli. Ata më pyetën nëse isha i gatshëm për të lundruar në një udhëtim të gjatë. Mbaj mend se ishte koha kur ende nuk kishin ardhur nëndetëset nga Bashkimi Sovjetik, sepse ne erdhëm dy muaj para atyre. Unë sigurisht që u përgjigja se isha i gatshëm për këtë lundrim, për të cilin nuk dinim absolutisht asgjë se çfarë misioni kishte. Që nëndetësja të lundronte një muaj pa ndalesë duhej bërë përgatitje e madhe. Rusët që ishin në këtë ekuipazh u stërvitën për një periudhë dymujore. U bë një punë mjaft serioze. Komandant i nëndetëses ishte Valentin Kozllov, një ushtarak i madh, i cili ishte me një dorë dhe pjesëmarrës në Luftën e Dytë Botërore. Stërvitja ishte mjaft e fortë për këtë lundrim. Bëhej fjalë për nëndetësen e katërt të bazës, e cila në film quhet nëndetësja 105. Vetëm katër shqiptarë ishin në gjithë ekuipazhin e nëndetëses, unë, Astrit Popa mekanik, Gëzim Rryta timonier dhe Shyqyri Çuka si një nga komandantët e nëndetëseve të tjera. Rusët duhet theksuar se morën vetëm katër marinarë shqiptarë. Përzgjodhën ata që iu interesonin atyre. Duke e lënë mënjanë modestinë ne në fakt ishim mjaft të përgatitur nga ana profesionale.
Kur u nis nëndetësja dhe çfarë misioni kishte ajo?
U nisëm në 30 nëntor të vitit 1959 dhe u kthyem pas një muaji. Sigurisht që në fillim askush nuk dinte gjë, por më pas e mësuam shkakun e këtij lundrimi të gjatë. Fillimisht bëmë diferencimin (baraspeshimin) e nëndetëses, furnizimin me ujë dhe ushqime që nëndetësja të lundronte në mënyrë perfekte. Diferencimi bëhej që ajo të arrinte të zhytej dhe të dilte nga thellësia në një kohë sa më të shpejtë. Zhytja është bërë në gjirin e Pashalimanit, pasi dolëm nga poligoni i diferencimit. Na thanë që është një udhëtim sekret, madje edhe komandanti nuk dinte asgjë për këtë. Kur hyri brenda komandanti i nëndetëses, u hap zarfi dhe nisi udhëtimi sipas itinerarit të përcaktuar nga komanda. Udhëtimi nisi dhe ishte llogaritur që për një muaj të mos na mungonte asgjë. Gjatë ditës nëndetësja lundronte me zhytje PDN në thellësi 9 metër, zhytej dhe ngrihej në sipërfaqe për të marrë ajër me dy periskopët e saj. Gjatë natës që ishte qetësi, ne zhyteshim më thellë, por mbaj mend se koha e lundrimit ka qenë shumë e keqe. Deri në thellësinë 60-70 metra dëgjohej forcat e dallgëve të detit Mesdhe.
Kur e morët vesh shkakun e vërtetë të lundrimit në Mesdhe?
Ne shkuam deri afër ngushticës së Gjibraltarit, u kthyem afër brigjeve afrikane dhe aty na thanë se presidenti i SHBA-së Duajt Ajzenhauer kishte qenë në Greqi dhe po kthehej me një kryqëzor. Në këtë mënyrë, komandanti i nëndetëses, Kozllovi, vendosi të afrohej dhe të bënte një foto të kryqëzorit amerikan. Kështu u afruam sa më afër bazës së kryqëzorit, por amerikanët na diktuan dhe kështu filloi ndjekja. Kryqëzori ruhej nga dy kaçatorpedinierë dhe zhurma që ata bënin ishte e tmerrshme, tingulli që lëshonte mbi ne nuk durohej, na çaheshin veshët. Kemi qenë shumë pak metra larg kryqëzorit, sigurisht që qëllimi i misionit tonë u realizua në këtë kohë që ne u afruam aq shumë. Në kohën që mjetet lundruese amerikane mësuan ekzistencën e nëndetëses tonë, komandanti bëri një manovër të shpejtë dhe mjaft të mençur. Normalisht në rrethana të tjera mund të bëhej shmangia e shpejtë, por Kozllovi ndoqi një taktikë tjetër. Ai ndaloi motorët kryesorë dhe vuri në punë motorët ekonomikë. Këta motorë bënin që nëndetësja të lundronte me shpejtësi të vogël, deri në 2 milje në orë, por nuk ndihej fare.
Çfarë ndodhi më pas?
Kështu kemi lundruar për 45 orë me radhë. Nëndetësja hynte në thellësi, ngjitej lart, zhytej përsëri. Ne e dinim që na shoqëronin edhe dy avionë amerikanë. Nën kushtet e ndjekjes vihej re një farë frike, por kjo vetëm tek marinarët e thjeshtë, sepse ata ishin të rinj. Zbulimi i nëndetëses tonë dhe misionit që ajo kishte në detin Mesdhe filloi që të lindte dyshime tek komandanti Valentin Kozllov. Duke qenë se avionët amerikanë nuk po largoheshin, ai mendoi një taktikë tjetër. Qëllimi i amerikanëve nuk ishte mbytja e nëndetëses, por ata donin të na detyronin që ne të dilnim në sipërfaqe dhe kështu nëndetësja quhej e kapitulluar. Pas 45 orësh lundrim me shpejtësi të vogël dhe me motorë ekonomikë, Kozllovi vendosi të ndryshonte kurs. Me shpejtësi të madhe u kthye drejt brigjeve të Tunizisë në Afrikë dhe pas daljes së nëndetëses në sipërfaqe, pamë se nuk po ndiqeshim më nga avionët amerikanë.
Përse dyshonte komandanti për dekonspirim të misionit?
Në një moment në nëndetësen tonë kur zhvillohej ndjekja nga amerikanët, Kozllovi i inatosur akuzonte për tradhti persona konkretë. Midis atyre që ai dyshonte se kishin dekonspiruar misionin e nëndetëses ishte edhe komandanti i Flotës Detare Shqiptare Teme Seiko. Më shumë akuzonte palën tonë, shqiptarët. Në fakt ky lundrim dihej vetëm nga 3-4 vetë, komandanti i flotës tonë, komandanti rus që ishte në Pashaliman dhe Ministri i Mbrojtjes. Ndryshimi i kursit të lundrimit që bëri Kozllovi në kohën që ndiqej nga mjetet amerikane, kthimi drejt brigjeve të Afrikës, bëri që komanda ruse ta pezullonte atë nga detyra. Dy muaj pas kthimit në Pashaliman, Kozllovi qëndroi i pezulluar. Shkaku ishte se përse ai ndryshoi kursin e lundrimit, pasi itinerari i lundrimit kishte qenë i përcaktuar me detaje para se ne të niseshim. Komandantin e lanë në dispozicion në shtëpinë e pushimit në Lezhë. Më pas në muajt prill-maj u bë analiza e ngjarjes. Gjatë kësaj kohe Kozllovi luante letra dhe shah, nuk fliste me askënd. Thuhej se kur e ka marrë vesh Hrushovi ngjarjen ka qeshur me të madhe duke shprehur vlerësimin për ekuipazhin e nëndetëses dhe komandantin Kozllov. Sipas të thënave që mbërritën në bazën tonë në Pashaliman, Hrushovi e ka cilësuar Kozllovin si hero në këtë mision dhe shumë shpejt ai u ngrit në detyrë. U bë kundëradmiral dhe zëvendëskomandant i brigadës së nëndetëseve.
Po me ju çfarë ndodhi?
Pas kthimit në Vlorë, ne kishim ndërruar komplet ngjyrë në fytyrë. Të gjithë ishin të dërmuar dhe të rraskapitur. Kishte kaluar kohë e gjatë dhe na lanë dy javë në kampin e pushimit në Lezhë. Erdhi më pas udhëheqja jonë dhe na lavdëroi për këtë mision, ishte koha kur ende nuk ishin prishur marrëdhëniet me rusët. Ndërsa në lidhje me komandantin Kozllov, ai u bë vite më pas komandat i një nëndetëseje atomike, komandat brigade dhe mori gradën “Bashkëpunëtor shkencor”. Në kujtimet e tij për Shqipërinë ka shprehur josimpatinë e tij për shqiptarët, duke na cilësuar si “njerëz pa kulturë dhe që nuk e kanë qejf detin”. Këtij opinioni në fakt i janë kundërpërgjigjur ish drejtues të bazës së nëndetëseve dhe komandatë si Petrit Myftiu, Jak Gjergji etj. Ai kur ka mësuar se çfarë kishte ndodhur pas ikjes së rusëve nga Vlora, ka kërkuar ndjesë në një farë mënyre.
Info
Sfondi historik
Në qershor të vitit 1959 Hrushovi vizitoi Shqipërinë dhe një nga ndalesat e shumta të numrit një të Bashkimit Sovjetik të asaj kohe ishte padyshim baza detare e Pashalimanit. Lufta e Ftohtë ishte në kulmin e saj në këtë periudhë dhe flota detare ruse nuk kishte ndërmarrë deri në atë kohë lundrime të gjata me nëndetëset e saj. Mesdheu dominohej nga anglo-amerikanët dhe rusët kishin mbetur pas në këtë drejtim. Pas kësaj vizite flota ruse ndërmori manovra të ndryshme si qitje me silurë dhe lundrime të tjera, por jo lundrime shumë të gjata me nëndetëset e saj. Për këtë arsye u përzgjodh nëndetësja e katërt e bazës së Pashalimanit për të kryer lundrimin e gjatë njëmujor në Mesdhe me detyrë vrojtimin e kryqëzorit amerikan dhe fotografimin e tij gjatë kthimit të tij nga brigjet greke.





