Më 22 qershor të këtij viti, këngëtares shqiptare Elvana Gjata i ka ndodhur një incident i trishto, teksa ishte në punime e sipër të hapjes së një dyqani me fustane nusërie.

Gjatë kohës që në dyqanin e saj po kryheshin punime, i kanë vjedhur portofolin me një shumë prej 3000 eurosh dhe dy telefona të shtrenjtë.

Hajduti u identifikua shpejt nga policia i cili u arrestua dhe u dënua me 3 vjet e 6 muaj burg. Ervin Tahiri u akuzua për 3 vepra penale, vjedhja, mbajtja pa leje e municionit luftarak dhe kultivimi i bimëve narkotike.

Ngjarja është mbajtur e fshehtë për kaq kohë, por është bërë zbardhur sot gjithë dinamika e saj.

Si ndodhi grabitja

Në një kallëzim që këngëtarja ka bërë më datën 22 qershor 2015 ka pohuar para oficerëve të Policisë Gjyqësore se ka hapur një biznes për shitje fustanesh nusërie në rrugën “Sulejman Delvina”. Dhe rreth orës 18:00 të kësaj dite, ajo ka qenë në këtë biznes duke u marrë me ndriçimin e katit të dytë me një grup pune. Kur ishte futur në dyqan, në katin e parë sipër tavolinës, kishte lënë dy celularët e saj të markave “Iphone 6” dhe “Samsung S6 Edge” dhe çantën e dorës. Kur ajo ka shkuar në katin e dytë, rreth orës 18:30, ka dëgjuar një zhurmë, sikur u mbyll dera në katin e parë. Menjëherë ka zbritur poshtë. Sapo ka zbritur, ka vënë re se të dy telefonat e saj mungonin. Ka kontrolluar çantën mbi tavolinë dhe ka konstatuar se i mungonte gjithashtu edhe një shumë prej 3000 eurosh.

Elvana Gjata ka njoftuar policinë. Nga informacionet operative të marra, ka rezultuar se autor ishte një person me emrin Ervin Tahiri. Menjëherë nga ana e policisë është bërë kontrolli i banesës së shtetasit Ervin Tahiri, i cili jetonte me vëllanë dhe babanë e tij. Gjatë kontrollit të banesës u gjetën 1220 euro dhe portofoli i Elvana Gjatës, i markës “Michael Kors”. Brenda këtij portofoli janë gjetur leja e drejtimit të mjetit në emër të kallëzueses Elvana Gjata dhe një kartë krediti në emër të saj.