Policia Kufitare në Viçisht ka goditur një tjetër tentativë për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, dhe ka vënë në pranga një të ri nga Durrësi.
Arrestohet në flagrancë 18-vjeçari, Amonali H., dhe u sekuestruan 1 kg e 78 gramë kanabis sativa.
Gjatë patrullimit të Policisë Kufitare Viçisht, në kufirin e gjelbër me Maqedoninë, (në afërsi të fshatit Lladomericë, territor i Bulqizës), kanë konstatuar një shtetas duke lëvizur me këmbë.
Shërbimet e Policisë Kufitare e kanë ndaluar dhe pas kontrollit të ushtruar në çantën e shpinës, iu gjet një pako e mbështjellë ku brenda saj kishte një sasi me lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa, me peshë 1 kg e 78 gramë.
Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor dhe Specialistët për Narkotikët në Dejtorinë Vendore të Policisë Dibër.
Specialistët për Narkotikët në DVP-në Dibër po bashkëpunojnë me Prokurorinë për Krimet e Rënda Tiranë për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësajveprimtarie të paligjshme.
I riu nga Durrësi do të gjykohet për veprën penale “Trafikim i Narkotikëve mbetur në tentativë”.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.





