Policia Kufitare njofton se një tjetër operacion antidrogë ndërkombëtar është finalizuar në orët e para të mëngjesit sot.
Një sasi prej 81 kg drogë e llojit kanabis sativa është sekuestruar nga policia greke në dalje të Shqipërisë nëpërmjet kufirit me Sarandën.
Policia ka arritur të kapë tre trafikantët e lëndës narkotike, ndërsa dy të tjerë janë larguar duke përfituar nga errësira. Në pranga kanë përfunduar A. N., 24 vjeç, nga Rësheni, banues në Shëndëlli, Konispol, K.LL., 23 vjeç, nga Cakrani, Fier, si dhe M.L., 26 vjeç, nga Peshkopia.
Policia njofton se mbrëmjen e të hënës, rreth orës 19.00, nëpërmjet oficerit të kontaktit të Komisariatit Policisë Kufitare Sarandë është vënë në dijeni pala Greke e Igumenicës ( Sektori i Antidrogës), se në drejtim të fshatit Vërvë të Sarandës, drejtimi i piramidave nr.63-64, disa persona që dyshohej se transportonin lëndë narkotike, janë nisur në drejtim të shtetit grek.
"Si rezultat i shkëmbimit të informacionit dhe ndjekies nga të dyja anët e kufirit, rreth orës 04.30, të dt.30.01.2018, në sajë dhe të përdorimit të kamerave të vendosura për këtë situatë, në vendin e quajtur Parapotamo, zona e Filatit, nga Policia Greke janë kapur 3(tre) shtetas Shqiptarë së bashku me lëndën narkotike ku nga peshimi rezulton se është 81 kilogramë, ndërsa dy shtetas të tjerë duke përfituar nga errësira mundën të largohen."
Vazhdojnë shërbimet e përforcuara dhe me Komisariatin e Policisë Rendit Sarandë për kapjen e personave të tjerë .





