Sot pasdite, Partia Socialiste hap zyrtarisht fushatën elektorale në Parkun Olimpik, në Tiranë. Kandidatët e saj në rrethe kanë nisur javën që po mbyllet edhe takimet e para me elektoratin, kryesisht me bazën socialiste, ku janë bërë prezantimet e para, të atyre që pritet të jenë kryebashkiakët e ardhshëm në 61 bashkitë e vendit.

Kjo javë ka qenë mjaft intensive për kandidaten e PS-së në Durrës, Valbona Sako, e cila ka zhvilluar takime të ndryshme jo vetëm me strukturat e partisë në lagjet e qytetit, por edhe në njësitë administrative si Katund i ri dhe Sukth.

Ajo që bie në sy në takimet e Sakos dhe fotot e publikuara në faqen zyrtare në rrjetet sociale është se kandidatja e PS-së preferon të takohet me të rinjtë, apo të shoqërohet prej tyre sidomos në vizitat në Muzeun Arkeologjik, Amfiteatër apo në një agroturizëm të njohur në Durrës.

Përsa i përket look-ut të saj në këto ditë të para të fushatës, Sako i ka qëndruar besnike stilit që e karakterizonte edhe gjatë 6 viteve të saj në krye të drejtorisë së Tatimeve.

Një kombinim mes klasikes dhe sportives, ngjyra pranverore në xhaketa apo xhubokse, pantallona të zeza dhe taka të ulëta.

Duket se para fustaneve apo fundeve, Sako preferon pantallonat e zeza, që janë edhe më komode në lëvizjet e shpeshta të saj nëpër zona të ndryshme të Durrësit.

Pantallonat shoqërohen përherë me këmisha të bardha apo me tonalitete të zbehta, duke u kombinuar me xhaketat blu dhe xhubokset rozë dhe të gjelbërt.

Në disa takime nuk kanë munguar bluzat me dizenjo florealë, mjaft të përshtatshme për stinën e pranverës.

Flokët janë përherë të krehur me kujdes dhe shpesh të kapur nga prapa, duke u përshtatur më së miri me stilin e saj të thjeshtë dhe sportiv.

Në takimet e para me bazën socialiste, rrethi i ngushtë që e shoqëron e prezanton si kryebashkiaken e ardhshme, gjë që duket mjaft pranë realizimit, pasi, garën, PS-ja këtë herë e ka me veten.

Përgjatë qershorit, kandidatja e PS-së do të jetë në terren, në takime intensive me qytetarët durrsakë, biznesin, grupet e interesit, arsimtarë, mjekë, studentë etj.

Por para nisjes së javës së ardhshme, Sako ka sot një prezantim shumë të rëndësishëm. Ajo do të jetë sot pasdite në Tiranë, së bashku me 65 kandidatët e përfshirë në listën e Këshillit Bashkiak të Durrësit. Të shohim cili do të jetë look-u i zgjedhur nga Sako për hapjen e fushatës elektorale, ku do të shfaqet krah kryeministrit Rama, kryebashkiakut Veliaj etj.

M.B.